top of page

Diamanta Zalta: Grimca poetike

  • 1 hour ago
  • 2 min read

Diamanta Zalta: “Grimca poetike”

 

x x x

 

Supi i mardhur, gjethja dhe uji përbri.

Rastësia nuk ekziston.

Ka vetëm Përputhshmëri.

 

x x x

 

Ditët ranë mbi njëra-tjetrën stivë,

zunë poshtë një pafajësi sublime.

Mbeti larg muzgu që më krihte pa u dukur,

me një krehër dhëmbëshkulur.

 

x x x

 

Dy sy të plakur m’u qepën,

zemra dhe shpirti u përqafën.

Malet shtrydhën mallë.

 

x x x

 

Ti vjen, edhe pa ardhur, pa kohë.

Gjethja e shpirtit çel, bëhet e kuqe.

Si Qershor.

 

x x x

 

Të padukshëm në gjithë këtë Galaksi,

por kokëlart unë edhe ti,

pa asnjë Përkatësi!

 

x x x

 

Ra muzgu dhe drita jote në ikje

me zemrën time u përplas.

Të nesërmen u gdhiva brymë.

 

x x x

 

Këndon shiu mbi tjegulla,

dhe era i shkon pas.

Zogjtë pagëzohen me fat...

 

x x x

 

M’i puthi këmbët një valë deti.

Më ngjethi.

Vala u largua, puthja mbeti.

 

x x x

 

E qeshura e stinëve janë lulet,

kënga e zogjve, deti.

E qara janë lotët e pishës,

hakmarrja dhe mëkati.

 

x x x

 

Më shpërblen ky pllenim ngjyrash,

që përtej horizontit laget në shi.

Dallga krijon një figurë binjake të çuditshme,

diku përbri, në një poezi...

 

x x x

 

Guaskë e bukur mbi shkretëtirë,

mos ik para se të më pështjellin retë.

Ne jemi Lidhja pa gjini, që ka kuptuar

madhështinë e njeriut në karakter të lartë.

 

x x x

 

Zëri i Hënës ka fuqinë e jehonës.

Ia kuptoj mesazhet që vijnë pa zhurmë,

se hëna jam vetë unë!

 

x x x

 

Iliadë dhimbjesh je, Kosovë,

në monopate egërsirash, kokëlart në të shtëna.

Mëngjese mbi gjakun e gjetheve të rëna.

 

x x x

 

Në një greminë shpirti kam fshehur dhimbjen.

Kapem pas një gjetheje që dridhet,

për të më marrë vëmendjen.

 

x x x

 

Ishim një ndryshim i madh,

dy botësh,

që kur Toka filloi të rriste filiza të hollë lotësh.

 

x x x

 

Libri im i jetës, çudi,

herë i trashë, herë vetiu hollohet.

Ndoshta grinden fletët, ikin ca fjalë,

që s’duhet të tregohen.

 

x x x

 

Ju arratis detit Premtimi,

i pafjalë,

u burgos në një guaskë.

 

x x x

 

“Po ti, kush je, moj zogëz?” – e pyeti një natë Hëna.

“Një gjuhë flisni me nënën time”,

ia ktheu ëmbël thëllëza.

 

x x x

 

Kam arritur në vijën që më ndan nga ty.

Drita jote zhbën mëkatin e pabërë,

tokën ku shkelën ëndrrat e lan,

se veç aty të kam.

 

x x x

 

Kur hija e shpirtit tim

do të ngatërrohet me tëndin e hapësirave,

bota ndoshta do të më shfaqet më e ëmbël,

si një grusht i vogël manaferrash.

1 Comment


Fatmir Terziu
an hour ago

“Grimca poetike” e Diamanta Zaltës janë më shumë se copëza të shkurtra vargjesh; ato janë çaste të ngrira të një shpirti që vëzhgon botën përmes një lenteje të brendshme. Në pak rreshta, poetja arrin të ndërtojë një univers ku gjethja, vala, shiu, Hëna, muzgu dhe malet nuk janë thjesht pamje të natyrës, por bëhen pjesë të një dialogu të heshtur me njeriun. Ka një filozofi të hollë në këto grimca: “Rastësia nuk ekziston. Ka vetëm Përputhshmëri.” Dhe pikërisht këtu qëndron një nga çelësat e leximit të saj: gjithçka duket sikur ndodh për një arsye të padukshme, edhe takimi, edhe largimi, edhe dhimbja, edhe dashuria.

Ajo që më tërheq veçanërisht është mënyra se si poetja e lidh të voglën me të…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page