Petrit Malushi: Koha dhe ne
- May 26, 2025
- 1 min read

Koha dhe ne
I artë ingranazhi i kohës,
Nuk ndryshket!
I magjishëm rrotullimi,
Nuk ndalet!
Kohë-jeta
Ecën, ecën!...
Ditë-natë
Nuk lodhet!...
E djeshmja,
E sotmja,
E nesërmja!...
Ne brenda tyre!
Kohëecjet
Gjejnë, sjellin,
Marrin, lënë ...
Jetë, ngjarje,
Mbresa, gjurmë…
E shkuara,
E tashmja,
E ardhmja!...
Ingranazhi i artë!
Rrotullimi i magjishëm,
I pandalshëm!...
Orëjetët e qytetit tim
Gjallon qyteti nga mijëra banorë,
Orëjetët e tyre me mijëra janë.
Si të kurdisura saktë me dorë
Lëvizje e vrull brenda kanë.
Por qytetit i mungojnë orëjetët
E atyre mijërave që janë larguar.
E fëmijëve që përshëndetjet
Në të tjera gjuhë janë duke i mësuar.
Orëjetët e të rinjve që thurin ëndërr
Në të tjera hapësira, vendkombit larg.
E prindërve, gjyshërve ku i shikojnë „vëngër“,
Me kartë identiteti „emigrant“...
Sa shumë do gjallonte imi qytet!
Sa gëzim e lumturi do përjetonte
Po të mos i mungonin mijëra orëjet,
Të bijëve e bijave që pranë i donte!









Comments