Petrit Malushi: Brohoritëm!…
- 2 days ago
- 1 min read

Nga Petrit Malushi
Brohoritëm!…
Brohoritëm urra-urra!
Theu qafën diktatura!
Lirinë e mohuar fituam,
Izolimin shpartalluam!
Urra-urra brohoritëm!
Ja, Evropën e arritëm!
Gardhe, mure përdhe shtrimë,
“Ta gëzojmë demokracinë!”
Brohoritën qytetarët,
Më fort në fshat, fshatarët
“Të keqen prapa e lamë,
Pa kufi do pimë, do hamë…”.
Mbinë partitë si kërpudha
Me programe, firma, vula…
Në tribuna e podiume
Fol, brohorit me fjalime.
Demokratë në vijë të parë
Pushtetarë, ish-sekretarë,
Servilë, gjuhëdredhur, spiunë…
Të gatuar për çdo punë.
Kostum pushtet-riu veshën,
Mandat deputeti ngjeshën.
Pesëdhjet vjet ç’u ndërtua
Nga themelet u rrafshua.
Ligje shthurin, ligje thurin
Prapa fjalëve tundin drurin.
Ca me shkollë, ca pa shkollë
U bënë “pinjollë mbi pinjollë”.
Shto biznese, vila, prona
Ish-e jotja, është e jona…
Në katund, mal e qytet,
Pushto pyje, fushë, bregdet…
Oreks me pashë makuti,
“Më të ndershëm” se hajduti.
Luajnë shou, komedianë
Në fytyrë dhjetë maska kanë.
Vit pas viti, për më mbarë
Presin të thjeshtët qytetarë.
Por problemet bëjnë progres,
Mbushin trasta edhe thes.








Comments