top of page

Petraq Janko Pali: “NJË NATË PA HËNË”

  • 10 hours ago
  • 19 min read

 

Novelë, në vijim...

 

KOMUNIKIMI

 

Mbasi kishte studiuar me ditë të tëra vaporin e huaj cisternë, i cili u ngarkua me naftë për plot 15 ditë, djali vendosi të futej natën në të, pikërisht ato ditë kur vapori do të niste lundrimin.

Edhe herë të tjera djali kishte ndjekur se sa ditë rrinte vapori në ngarkim dhe kishte një saktësim, po thuajse, të ikjes drejt shtetit të tij. Kishte një vit që studionte këtë variant. Atje kishin kaluar shumë vapore cisterna, të kapaciteteve të ndryshme dhe me flamuj të ndryshëm. Megjithëse pa në të flamurin Gjermano-Lindor, sërish krijoi bindjen se ata do ta merrnin në mbrojtje, duke kërkuar azil politik dhe, për çdo rast, edhe sikur të mos diktohej, nuk do ta dorëzonin.

U ngjit në vapor, pa u diktuar, me shumë mencuri e vështirësi. Falë trupit muskuloz të tij dhe gjimnastikës që bënte qysh në fëmijëri, u kacavar nëpër cimat e çelikta, të ftohta e të akullta, nga ana e mbrapme e tij. U ruajt nga prozhektori i molit, karshi vaporit, i cili ndodhej në anën tjetër të gjirit, aty ku ishin dhe tubat e furnizimit me naftë, që vinin nga mesi i Shqipërisë nëpërmjet stacionesh dhe pompash gjigande. Duart iu bënë gjak nga litarët, derisa mundi të hipte në të pa e parë kush.

I lagur dhe i ftohtë, siç ishte, u mundua që të shkonte sa më afër oxhakut qendror të vaporit Lubi, nëpërmjet disa shkallëve marinari të larta, dytësore, aneks me oxhakun dhe jo nga ato qendroret. U mundua të ngjitej kat më kat, herë barkas e herë me zvarritje, që të mos e diktonin marinarët, të cilët ishin futur pothuaj të gjithë në dhomat e tyre, se ishte koha e gjumit. Aty-këtu shihej ndonjë lëvizje e tyre nga siluetat e dritave.

Ora duhet të ishte tani më tepër se dymbëdhjetë e natës. Ai kishte dalë nga konvikti fiks në orën 10:30, atëherë kur të gjithë konviktorët kishin rënë në gjumë, më parë se gjysmë ore. Mbasi kishte rënë për të fjetur, kur shokët e dhomës i kishte zënë gjumi, u ngrit, u vesh shpejt dhe me qetësi, doli nga kapanoni dhe u drejtua nga muri i oborrit, nga ana e mbrapme e hyrjes së shkollës, nga pallatet. Dhe qetazi mori rrugën e ullishtave paralele me detin, pothuaj duke vrapuar.

Rruga nacionale ishte e ndriçuar plotësisht dhe ai, serioz, ecte me shumë kujdes drejt qëllimit të tij të vendosur dhe të pakthyeshëm.

U përpoq të zinte vend sa më afër oxhakut, që të mund të thahej shpejt dhe të mos mbërthente, mbasi të ftohtit i kishte hyrë në palcë. Oxhakut duhet t’i rrinte të paktën dhjetë metra larg, se e gjithë ajo zonë rreth perimetrit të tij gjigant lëshonte ngrohtësi të paparë dhe të pakufizuar.

Zuri një vend në një kthinë, pothuaj metalike, nga ku nuk kishte asnjë rreze drite. Atje qëndronte, disi mënjanë, një kosh plehrash hermetik. Djali, edhe sikur të vinin personeli të hidhte diçka në atë kosh, nuk do të shihej, se këndvështrimi dhe streha e tij ishte e pamundur të shiheshin nga të tjerët.

Mbasi u ngroh mirë e mirë nga rrezatimi ngrohës i oxhakut, i cili në kokën lart kuqonte nga temperaturat e larta, e zuri gjumi, duke parë lloj-lloj ëndrrash; një gjumë me plot frikë, pasiguri e ankth. Dhe kur pa se ishte gdhirë, hapi sytë i përgjumur. Pa lart në qiell, afër, mbi vapor, disa pulëbardha dhe dy flamujt që valëviteshin në të majtë të oxhakut, në një direk metalik.

Siguroi edhe një herë pozicionin dhe, ashtu kulaç, priste orën e lumturisë, atë orë kur vapori do të ulte spirancat dhe të fillonte lundrimin.

Më pas shikonte se po i vinte uri. Mendonte dhe sa orë i duheshin djalit të duronte. Një mendje i thoshte të kërkonte ndihmë, pa u nisur vapori; një mendje tjetër i thoshte se mos e dorëzonin. Dhe, në rast se i ndodhte kjo gjë, do të mundohej të asgjësonte veten, në çfarëdo lloj metode, sipas rastit që do të ndodhej.

Këto e të tjera mendime kaloi në atë ditë, plot ankth dhe i trembur. Shikonte marinarët poshtë, që lëviznin në kuvertat anësore të vaporit, duke punuar, nga vendi ku ishte i fshehur.

Aty nga pasditja, ndjeu se zorrët po i gërhisnin dhe i shkrepi dëshira dhe uria se donte të hante. Kishte që mbrëmë pa ngrënë, qysh në konvikt: një gotë çaj pesëlekësh, bukë dhe një copë marmelate.

“Do duroj”, tha prerë, “derisa të vdes këtu. Nuk do të kërkoj ndihmë; as do të kërkoj bukë e as ujë. Po sa mund të zgjasë njeriu në këto situata?”

Kështu që zbatoi variantin tjetër. Do të bënte sikur fshihej dhe do të lëvizte si me frikë, që ta shikonte ndonjë marinar apo punonjës i vaporit, me mendimin se duhet ta ndihmonte e të mëshironte për të.

Kështu edhe bëri. Aty nga ora dhjetë e mbrëmjes, lëvizi në një drejtim që të tërhiqte vëmendjen e një njeriu, i cili po lante dyshemenë e katit poshtë katit ku rrinte vetë i fshehuri. Nga drita që binte mbi të, kur ky lëvizi, marinari ktheu kokën dhe pa se dikush lëvizi dhe i zuri dritën.

Në fillim ai u rrëqeth dhe nuk mund të mendonte një gjë të tillë, por më pas edhe dyshoi dhe, ashtu, me shkopin me leckë që pastronte, u ngjit shkallëve të dyta, nga ishte ngjitur i fshehuri më parë.

Shikoi andej, shikoi këndej dhe, në një kthinë të errët, me pak vështirësi dalloi se dikush fshihej. Marinari u tremb dhe mendoi se mos i fshehuri kishte armë dhe e vriste. Folën në gjermanisht, ashpër, me zë të lartë dhe prerë. I fshehuri u tremb më shumë dhe njëherësh ngriti duart lart dhe doli në dritë, i dorëzuar.

Gjermani, mbasi iu qas afër me shumë frikë, e kontrolloi mirë e mirë dhe, kur u bind që nuk dispononte ndonjë gjë me vete, u përpoq të komunikonte me të, por ishte e pamundur.

Djali ankohej dhe bënte me shenja se Enver Hoxha donte ta vriste, duke i bërë shenja me dorën, sikur do ta qëllonin me pistoletë pas koke. Djali i tha se i vinte uri, duke bërë sërish me shenja me dorën mbi stomak. Ai, me shenja, lutej që të mos e dorëzonin. Se më pas do ta lidhnin, duke i bërë shenja se si mund të lidhet një njeri.

Marinari u ndodh njeri i mirë. I bëri me shenja të fshihej sërish dhe u largua. Kur u kthye, pas disa minutash, i solli për të ngrënë disa sanduiçe dhe një shishe me limonadë. Kështu që ai filloi të miqësohej me të dhe ta ndihmonte djalin, pa e kallëzuar, sa të mundej.

Duke u përpjekur të merreshin vesh me të, pas disa takimeve të po asaj nate, u mundua dhe mori vesh se djali, veç shqipes, dinte të fliste edhe greqisht. I dha të kuptonte se nesër do të merreshin vesh përsëri.

Gjermani, që doli një njeri fisnik dhe i përkryer, një djalë flori, shtatlartë, sykaltër e bjond, i kërkoi ndihmë një shoku të tij me origjinë greke, me të cilin punonin prej kaq vjetësh në të njëjtin vapor. Ishte një greko-gjerman, i cili kishte lindur në Gjermani dhe zotëronte greqishten nga të dy prindërit e tij, që kishin qenë shtetas grekë e, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin mbetur aty dhe ishin bërë shtetas gjermanë.

Grekut nuk i pëlqeu propozimi i gjermanit për të ndihmuar një të arratisur shqiptar dhe menjëherë kërkonte denoncimin e tij në kapideneri. Por gjermani i tha me tone të prera se atë duhet ta ndihmonte dhe do të merrte përsipër fshehjen e tij.

“Ti”, i tha grekut, “mos u përziej në këtë punë dhe, po qe se tregon gjë, do të mbys me këto duar. Dëgjove? Dëgjove, thuaj!”

Greku nuk u ndie dhe nuk u përzie më pas në këtë punë, po kur mori vesh ndalesën dhe qëllimin e saj, i tha sërish gjermanit ta dorëzonte shqiptarin, se ishte bërë problem midis dy qeverive.

Gjermani i tha edhe një herë prerë se, po të tregonte, ai do të vepronte mbi të.

E fshehu shqiptarin në një vend më të sigurt dhe, pa i treguar grekut vendin, mbasi mendoi se mund ta kallëzonte ngjarjen.

Kontrolli filloi rreptë dhe me përgjegjësi. Grekun nuk e mbante vendi të referonte te kapideni për çfarë dinte. Gjermani ishte egërsuar me të dhe ia kishte frikën. Nga darka, gjermani e mori me pahir grekun tek vendi i strehimit dhe ia afroi djalit për bisedë, që të kuptonte edhe gjermani pse po merrte përsipër këtë ngjarje dhe fshehjen e tij.

Djali i rrëfeu gjithë historinë e tij grekut dhe ky më pas ia përkthente gjermanit, të cilit i erdhi mjaft keq dhe mëshiroi për të, duke ditur se çfarë e priste sikur të tradhtohej. Ai i premtoi shqiptarit se do të bënte të pamundurën për jetën e tij. Gjermani u prek shumë nga historia e djalit.

Mbasi largoi grekun, e fshehu në një vend tjetër djalin. Mbas ndonjë ore, i thotë gjermani grekut se çështjen do ta bisedojë edhe me kapidenin dhe ai, shtetërisht, ta marrë në mbrojtje, se do të jetë turp për Gjermaninë dhe për emrin e saj sikur të bëjmë të kundërtën.

“Po”, i tha greku, “mendimi është shumë i mirë, po mos mendo se edhe unë, edhe ti, që dimë këtë histori, nuk do të kemi pasoja. Është e treta ditë që vapori kontrollohet dhe akoma s’ka dalë gjë në shesh. Duhet patjetër ta dorëzojmë; të mos i themi as kapidenit.”

Dha e dha gjermani, nuk e duroi dot paburrërinë e grekut dhe ia ngjeshi me një grusht në turinj.

“Kjo është puna ime dhe ti mos u përziej fare, se do të mbys, të kam thënë për të qindtën herë. Është faji im që të besova ty, o Kalë Troje!”

Greku, pa keq nga të dyja anët dhe menjëherë gjeti rrugën më të shkurtër: të raportonte ngjarjen. Shqiptarin do ta merrnin autoritetet shqiptare dhe gjermani do të kërcënohej e dënohej për shpërdorim të detyrës. Kështu i tradhtoi që të dy.

Kapideni u trondit kur dëgjoi ngjarjen dhe u vu midis dy zjarresh, në një pozitë mjaft të vështirë, si për djalin, por edhe për marinarin e tij. Kur ai mori takim me gjermanin, ai i tregoi të vërtetën. Kapideni u gjunjëzua nga pabesia e grekut, me dhimbje dhe me keqardhje, kundër dëshirës së tij, dhe shpalli më pas njoftimin se shqiptari ishte i strehuar në vapor.

S’kishte si të bënte ndryshe.

Vajti e pa djalin vetë dhe iu mbushën sytë me lot.

Në këtë kohë, sipër, mbi direkun e anijes, qëndronte një pulëbardhë. Dhe, sa iu afrua djalit kapedeni, ajo, pulëbardha, u mundua të fluturonte, por, siç duket, ishte e plagosur në krah dhe ra në ujë.

Autoritetet shqiptare përpiluan procesverbalet dhe morën djalin në dorëzim.

Shteti gjerman mori përgjegjësinë e tij për këtë ngjarje, që më pas e shkruan edhe gazetat e shumë vendeve të tjera.

 

DASHURIA NË ADOLESHENCË!

 

“Ti je i prekur nga pushteti dhe nuk kuptoj kurajon që more duke më dalë para, e le më pastaj të më propozosh për martesë”, i tha vajza e befasuar dhe e trembur nga ky takim.

“Lëromë rrugën! Të lutem! Mos më bëj të thërras!”

“Ti thirr sa të mundesh, unë do të shpreh çfarë ndjej për TY. Sikur edhe me plumb të më vrasin tani, pas koke... të lutem, më dëgjo të shprehem”, i thoshte djali i frikësuar. “Të lutem, më dëgjo... Të dashuroj, të daaaaashuroj. Të lutem, më dashuro. Edhe TY më dashuro!

Unë po çmendem, unë do të mbytem në det në qoftë se ti nuk më pranon. Po pse, o Perëndi, të ketë ndarje? Unë i deklasuar, e ti vajzë pushtetari. Dashuria nuk duhet të frenohet; ajo është mister nga vetë Zoti, i cili e ka bekuar dhe e ka lënë të lirë.

Dashuria nuk duhet të njohë kufi. Mendohu e më thuaj!”

Këto i tha djali atë ditën e parë kur i preu rrugën.

Vajza iku si e tërbuar, nëpër portokalla, gardh më gardh, derisa mori rrugën për në shtëpi, në kodrën mbi det.

Zemra sa po i pushonte nga skena që përjetoi. Flokët e argjendtë, të verdhë e të gjatë ia merrte era e detit dhe ia hidhte mbi fytyrën e skuqur e bërë flakë. Hyrë me vrull në shtëpi dhe ra në divan si e vilanisur.

E ëma, që e pa skenën e ardhjes së saj qysh në korridor, e ndodhur në kuzhinë, u llahtaris e bërtiti:

“Vajzë, çfarë ke? Kush të ndjek? Më thuaj, të lutem, ç’ke? Moj xhan, ç’ke, pse qan? Kush të ngacmoi?”

Vajza gjashtëmbëdhjetëvjeçare filloi të qante me dënesë, duke shtrënguar të ëmën në gjoksin që i rrihte si të zogut, ndërmjet lotësh e ngashërimesh.

“Thirri, mamaaa... maaammma! Aman, mama! Shpëtomë... më shpetoooo, mama! Më shpëto... maaaammmaaa, më shpëto!”

Dha e mori e ëma gjithë atë natë, që të mos i nxirrte ndonjë fjalë së bijës, por ishte e pamundur. Të shoqit nuk i tha gjë, por edhe ai s’mori vesh asgjë, se nuk u kthye fare atë mbrëmje nga reparti ku shërbente si oficer kufiri. Ai u ndodh me shërbim, për koincidencë.

Dha e mori e ëma ta qetësonte dhe të merrte vesh të vërtetën, por më kot.

Ndërsa djali, në anën tjetër, priste me ankth arrestimin e tij për atë veprim të “nxituar” dhe të “papëlqyer” për njerëzit e pushtetit. Atij, me ligj, i ishte ndaluar të dashuronte!

Vajza, atë ditë, u gdhi e “sëmurë” dhe nuk vajti në shkollë. E ëma mundohej të zgjidhte “enigmën”. Djali kishte zënë një kënd nga ku vrojtonte nga larg ardhjen e saj në shkollë. Dhe, mbasi u bind që vajza nuk kishte vajtur atë ditë, u nis për në shtëpi.

Sa u afrua tek dera e oborrit dhe, ndërkohë që do të hapte derën prej gardhi, një polic i fshehur pas portokallit e thërret të vinte pas tij, duke mbajtur distancë mbi 50–60 metra, që të mos binin në sy.

Djali menjëherë kuptoi që vajza e pati “denoncuar” dhe tani priste fundin e tij. Nuk e humbi toruan, por kishte vendosur të thoshte të vërtetën po ta pyesnin për të. Nami të bëhej, ai do ta merrte përsipër atë që kishte ndodhur të djeshmen.

Polici, para, e tjetri mbrapa, u futën në postën e policisë, ku e rrasën pikërisht në këtë dhomë të binxë, ku ndodhet edhe sot, i arrestuar, i torturuar dhe i rrahur për vdekje.

Operativi e mori në pyetje.

E pyetën pse rrinte e vrojtonte nga larg shkollën, kush e kishte vënë të vrojtonte dhe pse duhej të vrojtonte. Ç’e mundonte, nga kush ishte i shtyrë dhe pse?

“Ne i dimë të gjitha”, tha operativi, për ta “mundur” djalin. “Kemi edhe dëshmitarë për këtë. Nga shumë variante që përdori operativi dinak, i thotë që dimë edhe me cilën vajzë ke të bësh. Prandaj na thuaj më mirë vetë, se të piu e zeza!”

Aty për aty, siç ishte i “nxehur”, operativi e qëllon me pëllëmbë dhe me grushte në fytyrë e ku të mundte.

“Trego, more tradhtar i qelbur! Po të pyet Partia dhe shteti! Pse rrije fshehur në ferrë dhe vrojtoje shkollën? Ç’qëllime pate, more dobic e kelysh kurve? Do tregosh apo të të hedh hekurat e të përfundosh në burg? Do të të tredh me këto duar, armik!”

Djali, që në fillim, tha se rrinte kot dhe pa asnjë qëllim:

“Për këtë duhet të më besoni dhe bëni ç’të doni me mua. S’keni tjetër fjalë!”

Dha e mori operativi, me çdo lloj forme, me dialog, por edhe me dru, por nuk nxori asgjë.

Urdhëroi lënien e tij në qeli, duke bërtitur:

“Të thirren dëshmitarët!”

Djali humbi çdo shpresë. Mendoi se vajza kishte bërë denoncim. Priti një ditë, dy ditë. Të tretën e nxorën nga qelia. Firmosën një procesverbal për qëndrimin e tij disa orësh duke vrojtuar shkollën, e lanë të lirë, por edhe e paralajmëruan që çdo minutë ai do të ishte nën survejim.

U mundua mamaja e vajzës edhe ditën e nesërme, kur vajza nuk shkoi në shkollë atë ditë, dhe i shoqi iku në punë, mos i nxirrte gjë së bijës, e cila kuptohej që vuante nga diçka. Nëna këmbënguli se ajo, e bija, kishte rënë pre e ndonjë dashurie në adoleshencë dhe i kërkoi me këmbëngulje të tregonte vajza arsyen e madhe që e mundonte.

Por vajza heshtte. Dhe vetëm heshtte!

Ju deshën ditë vajzës, kur filloi edhe shkollën, që t’i hapej më së fundi të ëmës e t’i rrëfente ngjarjen.

E bija i kërkoi besën asaj, të mos e bënte kurrë, kurrë fjalë me njeri, bile as me të atin. Nëna i premtoi se nuk do t’ia rrëfente kujt, as vetë Perëndisë, por më pas donte të mësonte se ç’bëhej me të bijën.

Kur dëgjoi nga vajza se djali që i kishte propozuar dhe ajo ndjente për të që në atë çast, ishte i arrestuari dhe i torturuari i sotëm, nuk u besoi veshëve dhe, duke ulëritur e qarë me ngashërim, i tha:

“Ç’na bëre, moj bijë? Ç’na bëre? Mos, mos të lutem! Aman, mos... aman, harroje! Ndërpre çdo komunikim me të. Na more më qafë! Ku të vemi, e shkreta unë, të mjerët ne? Po na shkatërron, pse moj bijë, pse?”

Luftoi e ëma psikologjikisht derisa i “mbushi” mendjen së bijës për të mos e parë dhe takuar kurrën e kurrës atë njeri.

Nëna e mburi dhe e vlerësoi djalin:

“I mirë, i bukur, i shkathët, artist e kaluar artistit është... djalë i zoti e i mirë është...”

Por hendeku i madh që kishte krijuar Partia me luftën e “klasave”, kategorikisht nuk do të kalohej. Ishin dy gjëra të kundërta.

Vajza heshti, qau dhe premtoi se nuk do të përsëriste më atë gabim që mund të bënte. Ajo nuk i kishte premtuar atij djali asgjë, por tani asaj iu shfaqën disa gjëra të brendshme që e mundonin.

Pse të mos e dashuronte atë djalë? Pse? Pse?

Kaloi kohë dhe ditë, ndoshta dhe muaj, që djali, megjithëse e dinte se ndiqej, përpiqej të shihte qoftë një herë atë vajzë, e cila jo vetëm që nuk e kishte denoncuar, por i mungonte pa e parë.

E ëma kishte besim të madh tek e bija, me premtimin që bëri se do të tërhiqej dhe nuk do ta shikonte më djalin. Por edhe dyshonte se dashuria midis tyre nuk mund të pritej si me thikë.

Dhe një herë, duke e ndjekur gjithmonë fshehtas, e ëma e pa vajzën, në një vend tepër të fshehtë, në dritën e një nate me hënë, se po putheshin dhe loznin me njëri-tjetrin, me djalin e “ndaluar”.

U largua nga ajo skenë e llahtarshme, të cilën as sot nuk do ta kujtonte, dhe e mbajti brenda atë mister që pa me të bijën.

Në takimet e tyre të mëpasshme, të cilat u bënë më të shpeshta dhe ishin të rrezikshme e vdekjeprurëse, vetëm hëna ka qenë dëshmitare e dashurisë së tyre, nëpër ledhet e ullinjve dhe nëpër lulet e portokalleve.

Ata e shijuan këtë dashuri nëpër tmerrin e mbrëmjeve, vrojtimeve e survejimeve të policisë dhe të sulmit të ashpër të luftës së klasave: njëri i Partisë dhe tjetri armiku i saj. Një dashuri që diku do të ndërpritej.

Qefinin e kishte çdo çast djali mbi kokë, ndërsa vajza mund të ishte viktimë e tij. Këta duhet të ndaheshin, domosdo. Një fuqi e një përbindëshi i ndalonte të dashuroheshin.

Në takimet e tyre të mëpasshme ishte vetëm forca e dashurisë që nuk u zbuluan, ishte forca e shpirtit të tyre të njomë që nuk u ekspozuan, ishte ndrydhja e pushtetit që i bënte të bënin kujdes dhe ishte mëkat nga Zoti që të ndaheshin, siç edhe u ndanë.

Dhe ata u ndanë një herë e përgjithmonë.

Atë ditë kur djali u nis për në shkollë dhe udhët e jetës ishin të ndryshme, vajza vuajti shumë për dashurinë e saj të humbur. Dhe më pas ajo u martua, u bë një nënë e mirë, e heshtur dhe e frikshme. Më pas u sëmur dhe sot është paksa e trembur. Ka ngelur me hijen e dashurisë së tij.

Natyrisht, ka rritur fëmijët e saj, pa rrëfyer kurrë dashurinë e saj të parë askujt. Atë e dinte vetëm hëna, të cilën e mbajti sekret.

Ndërsa tjetri!

Kurrë nuk dashuroi dhe nuk provoi ndonjë dashuri tjetër deri sa u martua me atë vajzë të mrekullueshme, me të cilën sot ka dy fëmijë. Kurrë nuk njohu nga afër ndonjë vajzë para se të martohej. Ai u martua me shumë vonesë dhe ishte një i ri i burrëruar kur lidhi martesën.

U dashurua vetëm me libra dhe me enciklopedi. Kishte talent të madh dhe ishte shumë i përgatitur. Dinte përmendësh historinë e lashtë greke, historinë franceze, Napoleonin, Romën, Rusinë, persët, kinezët, arabët, gjithë enciklopedinë botërore. Kishte një kujtesë të veçantë dhe të mrekullueshme. Ishte orator i madh, kishte një humor të mrekullueshëm, por i ndrydhur; fliste pak dhe dëgjonte shumë.

Kur ishte në ambiente me miq dhe shokë të ngushtë, shpërthente ndonjëherë me tregime dhe histori që nuk e dëmtonin apo e tradhtonin. Kishte gjithmonë frikë se mos e keqinterpretonin tregimin apo rrëfimet e tij.

Megjithatë, ai ishte një intelektual i vërtetë. Kur fliste ai, njerëzit e shikonin të habitur dhe çuditeshin me intelektin e tij.

Vajzat dhe shoqëria e tyre për të ishin mollë e ndaluar.

Kishte pasur raste, kur ishte në gjimnaz, që vajza të ndryshme ta provokonin, duke i thënë “çun i mamit”, por ai kuptonte “hilet” e tyre. U lëshonte ndonjë batutë apo barcaletë, sa ato i bënte më shumë për vete. Por djali gjithmonë kishte frikën e operativit kudo. Prandaj edhe distancohej, ndërkohë që zemra i thoshte të kundërtën.

Kështu që jeta e tij u mbyll si në kafaz. U kufizua dhe u izolua brenda vetvetes. Buza nuk i qeshte asnjëherë. Melankolia, tkurja dhe ndrydhja ia kishin komprimuar zemrën, e cila më pas edhe u sëmur.

Ndenji ditë në spitalin e qytetit-fshat, duke u kuruar. Veç nënës së tij nuk pa asnjë shok, asnjë mik tek dera.

Një ditë i erdhi një shoqe e shkollës për ta vizituar.

Atë e ndaluan ta takonte, duke i thënë se po bënte një çmenduri, e cila do të ishte me pasoja për të dy, si për vete, ashtu dhe për prindërit dhe vëllezërit e saj më pas. Atëherë të dy ishin në maturë.

Sikur simpatizonin njëri-tjetrin, pa pasur dot kurajë për më tej.

Vajza u thye e u tërhoq. Kur mori vesh djali të vërtetën, u sëmur edhe më keq. Doktori ishte shpirtmirë dhe punoi me të t’i hiqte mërzinë. Por plaga që i ngeli në shpirt nuk u shërua kurrë.

Ajo vajzë, siç duket, e dashuronte atë djalë. Por djali e kishte lexuar mendimin e saj dhe kurrë, asnjëherë, nuk i pati dhënë të kuptonte dhe t’i kthente reston.

Ai dhe ajo nuk u panë asnjëherë më pas mbarimit të shkollës.

Në mbrëmjen e maturës, vajza, fshehtas, i dhuroi një degë trendeline, të cilën e mbajti brenda një libri për shumë e shumë vjet. Era e saj e ndjek edhe sot në këtë qeli të pistë.

Të tillë fat pati edhe më pas në punë, në fshat dhe kur iku në naftë. Kurrën e kurrës nuk u pleks me ndonjë femër, megjithë rastet e dala nga bukuria dhe mosha që kishte. Po të pleksej, aty mund të ishte edhe fundi i tij. Këtë e dinte me përgjegjësi.

Më pas, kur u mblodh përfundimisht dhe kur arbitrarisht iku nga puna dhe u kthye në fshatin-qytet, u martua me një të deklasuar, me të cilën lindën edhe dy fëmijët që janë edhe sot.

Rinia dhe adoleshenca e tij ishte e vrarë qysh në fëmijëri. Ai ishte i ndaluar të gëzonte e të dashuronte jetën si të tjerët. Liria i ishte mohuar qysh në bark të së ëmës, qysh kur i arrestuan babanë dhe qysh kur lufta e klasave qëllonte pa mëshirë mbi ta.

Këto mendonte sot në këtë qeli, i dërmuar nga goditjet e pamëshirshme të diktaturës dhe të njerëzve-kafshë të saj.

Si iku jeta kështu dhe PSE?

Lotët i rridhnin çurk dhe dhimbjet ishin të padurueshme, sa gati po i plaste zemra. I ishte hidhëruar shpirti.

Nga furtuna e kësaj nate dhe nga deti i egër, si në një jetë të përtejshme, dëgjonte të rrahurat e dallgëve mbi shkëmb:

“Baaam, baaam, bam, bam...!”

Ishte i vilanosur dhe pa ndjenja plotësisht.

 

ARRATISJE APO TENTATIVË-ARRATISJE?

 

Kapideni gjerman, që shfrynte nga inati, nuk doli dhe nuk e pa djalin kur autoritetet shqiptare, mbasi përpiluan të dyja palët procesverbalet e ngjarjes, i hodhën hekurat, i lidhën gojën dhe e futën në thes, duke e hequr zvarrë mbi kuvertën e vaporit e duke e përplasur shkallëve.

Ata e zbritën, e futën në motoskaf dhe u zhdukën.

Kapideni u fut në sallën e komandimit, ndezi cigaren dhe ktheu një uiski me eks, duke i rënë ziles me urgjencë.

Thirri grekun dhe gjermanin. I fyeu rëndë për tradhtinë e tyre, kritikoi edhe veten për çfarë ndodhi.

Marinari gjerman nuk duroi dot dhe, në sy të kapidenit, pështyu grekun për kurthin që i bëri të arratisurit.

“Turp, turp për shtetin tonë”, tha kapideni. “Ai, djalë, kërkoi ndihmë, kërkoi strehim dhe ne e dorëzuam. Ku është nderi ynë? Ku është burrëria dhe autoriteti i shtetit gjerman? Hajde, shporruni që të dy! Nuk dua t’ju shikoj më me sy, të pabesë!”

Ata dolën nga zyra dhe marinari gjerman, sa doli nga kapideneria, nuk duroi dot dhe e goditi grekun me grusht, sa e rrokullisi shkallëve.

“I pabesë, Kalë Troje! Si nuk të erdhi keq? Pse na bëre edhe neve si veten? Do të ma paguash. Do të të mbys me këto duar!”

Greku i lutej duke qarë:

“Bëra gabim, vëlla, bëra gabim!”

Mbas pak, cisterna gjermane ngriti spirancat dhe u largua me shpejtësi të madhe, sa deti ngriti dallgë të mëdha dhe pulëbardhat mbi të fluturuan të frikësuara me nxitim.

Në mol, motoskafi u rrethua nga shumë policë dhe punonjës të Sigurimit të Shtetit. Bile kishte shumë të ardhur nga Tirana dhe nga Ministria e Brendshme.

Ngjarja e djalit të humbur kishte marrë dhenë. Në të gjithë Shqipërinë, në çdo cep, ishte lajmëruar kufiri, ashtu siç u mor vesh edhe lajmi se djali ishte strehuar në vapor.

Jashtë molit, në breg të detit, në kohën që do të nxirrnin djalin, ishin grumbulluar mijëra njerëz. Policia mundohej t’i shpërndante, por ata shtoheshin më shumë.

Djali e kishte humbur fare toruan. Kur ata e pyesnin në hetuesi, e qëllonin dhe kërkonin me çdo formë që ai të fliste. Kaluan dy-tre ditë dhe nuk i nxorën gjë.

Djali kishte rënë në tokë pa ndjenja dhe, kur e qëllonin, ai flinte. I hodhën ujë të ftohtë, por më kot.

E vizituan në spital urgjent, i bënë analizat dhe e gjetën të droguar. Doza që gjermanët i kishin dhënë në ushqim para se ta dorëzonin te autoritetet shqiptare ishte e madhe. Atij iu deshën ditë të merrte veten.

E shtruan në spital, duke e ruajtur me polic për pesëdhjetë ditë rresht. Gjermanët e dinin se ç’e priste të gjorin djalë.

Mbasi doli prej andej, iu nënshtrua hetimit.

Djali, mbasi u përqendrua, kujtoi gjithë ngjarjen. Jo vetëm që nuk u tremb e as u trondit nga hetuesit e shumtë që ndërroheshin çdo ditë, por ndenji si trim, i përbuzi ata, fyeu dhe shau diktaturën, nuk pranoi akuzën dhe u bë si i çmendur nga inati.

Sikur edhe t’i hiqnin zverkun, ai kurrë nuk do të tulatej a frikësohej. Ishte ndërgjegjësisht i destinuar të vdiste si trim.

Ai u tha hetuesve me plot gojën:

“Do të ishte më e ndershme të më qëlloni me plumb, ja këtu, në ballë, në gjoks, e jo pas kurrizit. E urrej diktaturën tuaj, qeverinë dhe shtetin tuaj të kalbur, maskarenj, të ndyrë!”

Por hetuesit nuk dinin shaka. Ata e torturuan dhe e shembën në hu, me lloj-lloj marifetesh, por djali nuk u përgjunj asnjëherë.

Një mbifuqi e jashtëzakonshme i dha Zoti, që duroi ato tortura, natyrisht falë edhe trupit të tij prej sportisti.

Kishin ditë hetuesit të përfundonin aktakuzën. Si ta emërtonin ngjarjen: arratisje apo tentativë?

Po të ishte arratisje, djali duhet të kishte ikur. Po të ishte tentativë-arratisje, djali duhet të ishte kapur pa vajtur në vapor, se hyrja në të quhej si hyrje në tokë gjermane.

Si përfundim, atë e dënuan me dyer të mbyllura me dymbëdhjetë vjet heqje lirie, megjithë moshën e tij të re.

E çuan në burgje të rrezikshme, me lloj-lloj “piratësh”, të dënuar si për politikë, ashtu edhe për arratisje.

Ai mësoi shumë atje. Mësoi edhe gjuhë të huaja, por mësoi edhe të qëndronte përballë diktaturës si trim. Ai ishte dhe qëndroi i pathyeshëm. Nuk u përdor kurrën e kurrës si levë e tyre, nuk u mor me spiunllëqe, por përkundrazi ndihmonte të moshuarit, burgaxhinjtë, të përballonin vuajtjet dhe mjerimin e burgut, si në Spaç, në Bulqizë dhe në Hidrovori e Myzeqesë së Vlorës.

Djali e prezantoi veten si një kapedan dhe si bir i denjë i asaj krahine që ka nxjerrë e rritur trima e kapedanë.

Natyrisht, diktatura bëri punën e vet, ashtu siç bënë edhe vitet e burgut për të. Ai u dënua si i arratisur dhe jo si tentativë-arratisje. U ridënua në burg dy herë të tjera dhe, si përfundim, ai kurrë nuk u ligështua dhe kurrë nuk u thye.

Ai mbahet mend nga shumë të burgosur si “kokë e madhe”, si njeri i pathyeshëm, si njeri me vullnet të çeliktë dhe si njeri durimmadh e çelik.

Ai, ashtu si lexonte, ashtu bënte stërvitje sportive. Ai refuzonte punën dhe torturat i priste me qetësi, pa e çarë kokën fare.

“Dil jashtë e fut në qeli!”

Asnjëherë nuk iu tremb asaj.

Kur doli nga burgu, mbas vitesh e vitesh, iu desh kohë të merrte veten, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht.

Amnistia e fali, por ndërgjegjja për të ikur një herë e përgjithmonë nga skëterra komuniste e mundonte përherë.

Këto bluante në mendje edhe sot, kur, i rënë në dyshemenë e qelisë mizerabël, pa ndjenja nga torturat e forta të kësaj nate të egër, mallkonte veten që kishte gjithë jetën të bënte realitet largimin, të cilin nuk e bëri dhe nuk e realizoi dot asnjëherë.

Ngushëllonte veten se fati i tij ishte parë qysh fëmijë.

Fytyra e nënës dhe e fëmijëve nuk i shqiteshin nga sytë e lodhur, të vrarë e të munduar.

Sa e kishte zënë gjumi, kur u hap dera rrëmbyeshëm. Dëgjoi zërin tashmë më të urryer të operativit:

“COUUUU... maskara! COUUU!”

ALIBIA...

 

(Korektoi dhe redaktoi: F. Terziu)

Shkrimet e fundit

bottom of page