top of page

Pashk Alia: Reflektime leximi të librit...

  • 2 hours ago
  • 8 min read

KUR TJETRI TË TREGON NGJYRAT E SHPIRTIT

- Reflektime leximi të librit “Ngjyrat e shpirtit” të poetit Llesh Ndoj-

Nga Pashk Alia

         Krijimtaria e Llesh Ndojit është shumëplanëshe, e shumtë në numër dhe e shpeshtë në kohë. Vetëm në gjashtmujorin e parë të këtij vitit (2025) prej tij kemi 4 botime të reja, secili më I bukur se tjetri, por në këto shënime po ndalemi tek vëllimi me poezi “Ngjyrat e shpirtit”, SHB “Marjanistët Lezhë, qershor 2026. Pa marr përsipër recensën e plotë, po hedh në letër ato ndjesi pozitive që mora nga leximi I këtij libri dhe ashtu si më erdhën ato, si një konsideratë për disa monente të lidhura me dashurinë si ngjyra shpirti, ku brenda saj udhëheq mendja jonë jo voluntarizmi! Specialistët le të thonë më shumë!

- “Dashuria”, - thotë poeti Llesh Ndoj, - hyn në atë kategori emrash që duhet shkruar me gërmë të madhe! Dhe ka të drejtë. Ajo është e përveçme si përjetim, edhe pse është universale në thelbin e saj dhe bashkëjetuese me të gjitha ndjenjat e tjera njerëzore. Madje, pikërisht këtu qëndron një nga veçoritë e poezisë së tij: dashuria nuk qëndron e veçuar, e mbyllur në një botë sentimentale, por ushtrohet e kuptohet duke u bërë pjesë komplementare e jetës dhe e të gjitha marrëdhënieve të tjera njerëzore. Pra, nuk dashurohet në hava!

Dashuria është një fjalë olimpike, botërore, komplekse. Mbi të gjitha ajo hyjnore. Zoti e krijoi botën me dashuri. Dhe më këtë konkluzion autori na ballafaqon që në kapakun e parë të librit, ku shkruan: “Kush tha se Zoti s’ka sy? / Kush tha se Zoti s’ka shpirt? / Ai është shpirti I botës, / Syve tanë veç Ai u jep dritë. Na vjen kjo si një ftesë nga autori për ta gjetë edhe burimin e dashurisë tek Zoti e për ta parë atë me syun që Ai na sheh ne. Prej këtij kuptimi universal e brenda saj është edhe dashuria e ndjenjave në çift, dashuria gjinore, por ajo në vetvete është shumë më e gjerë se kaq. Ashtu si e nis, autori edhe e përfundon librin e tij. Në poezinë e tij, titulluar “jeta”, pasqyruar edhe në kopertinën e fundit, ai shprehet: Jeta, / ky lëmsh I zjarrtë / ndjenjash, / dashurishë, vuajtjesh, / shpresash, / zhgënjimesh…, vjen për lexuesin si konkluzion se dashuria është vetë jeta, por ajo s’dueht ngatërruar me ndodhitë që ajo na përplas e për më tepër, këto të fundit s’duhet t’na bëjnë ta humbim kuptimin hyjnorë të vetë dashurisë. Dashuria është aq e ndjeshme, saqë më së pari e marrim dhe e ndiejmë prej prindërve dhe familjes sonë. Madje, e ndiejmë qysh sapo lindim; mbase me këtë ndjenjë na ushqejnë nënat në atë genin fillestar të ekzistencës sonë. Dashuria jonë fillon qysh kur rritemi në mitrën e nënës. Aty rritemi dhe aty mësohemi të duam ambientin ku jetojmë, të ambientohemi me të.   

        Pastaj dashuria vjen përmes dëshirës. Dhe dëshira është ajo që na bën të kërkojmë të dalim nga ajo dhomëz e vogël, nga mitra e nënës. Të duam hapësirë! Të kërkojmë botën! Të dalim drejt së panjohurës! Në këtë kuptim, autori, në poezitë e tij, i jep dashurisë një korelacion gjithëpërfshirës. Dashuria na meson, është një koncept abstrakt që na çon tek realja. Flasim për dashurinë dhe janë dhënë qindra portretizime për këtë fjalë, por ende nuk është gjetur përkufizimi i saj i saktë. Por pikërisht këtu qëndron e bukura. Dashuria, duke qenë një “objekt shpirtëror” që e ndiejmë individualisht, secili e përkufizon si të dojë, secili e përjeton në mënyrën e vet, sipas botës së vet shpirtërore, sipas kujtimeve, ëndrrave, dëshirave, vuajtjeve dhe përvojave që ka mbledhur gjatë jetës.

- A mund të jetë dashuria një enigmë? Autori sjell mes rreshtave nocione të tilla. - Pse? Sepse ne mësojmë të dashurojmë përmes ëndrrave. Ato janë dashurickat e para. Unë kam shkruar një libër me titull “Dashuruar me ëndrrën”. Dhe e kam menduar shpesh këtë marrëdhënie mes ëndrrës dhe dashurisë. Qysh fëmijë, pa mësuar ende shkrim e këndim, mbase as pa ditur të flasim mirë, na shfaqen ëndrrat dashurore. Ëndrra është një nga përjetimet e para nga më të bukurat, ku njeriu krijon një botë që ende nuk e ka prekur me dorë. Autori e pohon dashurinë sa universale, po aq edhe konkrete, individuale, platonike. Dhe poet ii njohur Llesh Ndoj tregohet mjaft inteligjent edhe këtu. Ai e thotë bukur këtë, madje me gjuhën e vet krijuese. Dhe e thotë me elegance poetike. Është një dashuri që kumbon kur e ndajmë me të tjerët. Por çfarë janë “të tjerët”? - A është dashuria një ndjenjë kolektive? - Jo! Ajo është individuale. Por të gjitha dashuritë e tjera autori i portretizon si komunitare, sociale. Më së pari është dashuria prindërore, bijësore, vëllazërore. Është dashuria për vëllazërinë, për komshiun, për komunitetin, për shoqërinë njerëzore. Është dashuria për shtetin, dhe mbi të gjitha, dashuria për punën.

          Dhe këtu autori prek një nga themelet e jetës, sepse dashuria për punën është themeli, çelësi i qëndrueshmërisë së të gjitha llojeve të tjera të dashurive. Janë të rralla dashuritë, që qëndrojnë jashtë punës dhe të mirave materiale. Populli ka edhe një shprehje që thotë, se dashuria kalon përmes stomakut. Dhe kjo shprehje, sado e thjeshtë të duket, ka brenda saj një të vërtetë të madhe njerëzore, qe do të thotë se njeriu mund të jetojë me ndjenjën, me ëndrrën, me pasionin, por jeta kërkon edhe bukën, punën, përgjegjësinë, shtëpinë, familjen dhe të mirat materiale. Prandaj dashuria nuk është vetëm një emocion. Ajo është edhe përgjegjësi. - Dashuria, - thotë autori, - lind e rilind çdo ditë, qysh me diellin. Por ato të vërtetat nuk perëndojnë me perëndimin e diellit. Ato qëndrojnë! Dhe këtu autori na jep edhe një këshillë, madje na paralajmëron: Gërrejtjet, qortimet, nxjerrjet në dukje të të metave të tjetrit, të partnerit të dobësojnë dashurinë. Ndaj kujdes! Të mos lejojmë që të ftojmë urrejtjen në shpirtin tone, sepse dashuria nuk shkatërrohet gjithmonë nga një ngjarje e madhe. Shpesh ajo gërryhet pak nga pak, nga fjalët, nga qortimet, nga moskuptimi, nga mungesa e kujdesit, e komunikimit dhe nga harresa e asaj që na bashkoi.

Kur autori na thotë, se “dashurinë e dua në çdo çast, kudo, se pa të unë jam bosh”, ai nuk është duke folur vetëm për dashurinë e ndjenjave. Përgjatë gjithë kohës ai flet për dashuri të llojeve të ndryshme dhe jo thjesht për dashurinë sentimentale. Secili moment ka një objekt të cilin duhet ta duam. T’a duam në mënyrën e vet! Dhe përmbushja e tyre na çon tek ajo dashuria e ndjenjave. Nga perceptimi te dashuria. Edhe tek kjo lloj dashurie, tek dashuria e shpirtit binjak, janë disa lloj dashurish që na çojnë atje. Dashuria e perceptimit, e njohjes, e pranimit, diçka që na bëhet shkak.Ne nuk duam vetëm me sy. Nuk duam vetëm me para. Nuk duam vetëm me mendje. Nga momenti i shikimit deri tek fiksimi në mendje, tek dëshira për trupin e saj, tek burrat është një kohë shumë e shkurtër, diku 6–8 sekonda, që na ngacmon trurin, ndërsa tek femra kjo kohë është më e gjatë. Kështu, edhe dashuria e çiftit nuk është një ndjenjë që lind në një pikë të vetme. Ajo kalon përmes perceptimit, njohjes, pranimit, dëshirës, mendimit dhe më pas përmes një procesi të gjatë të jetës së përbashkët. Dhe autori e plotëson varg pas vargu sagën e tij për dashurinë. Dashuria vjen si amalgamë e jetës. Ai e thotë diku se janë të bashkuar mes nesh elementet e dashurisë, që nga ndjenjat, vuajtjet, sukseset, mirësia, zhgënjimet dhe se të gjitha këto zhyten mes nesh, duke u rrotulluar rreth nesh e rreth vetvetes, si Toka rreth Diellit dhe rreth boshtit të saj. (poezia “jeta”, faqe 16).  Kjo është një përngjasim.Ajo lind me diellin, përsillet rreth nesh, por ama kjo duhet “lidhur” mirë rreth nesh. Dhe kjo është dashuria e jetës. Jeta që duhet ta mbajmë për laku, për konopi, por pa e lëshuar kurrë.

            Liro - shtrëngo! Edhe kjo është një mënyrë për t’a kuptuar dashurinë, jo si një litar që duhet t’a këputim, por si një lidhje që duhet ditur t’a mbash. As shumë fort sa të mbytë, as shumë lirshëm sa të të ikë. E nga kjo autori na mëson se jeta nuk është vetëm dashuri. Sepse atë lloj jete nuk e duruan dot as Adami, as Eva. Dhe ky është edhe një mësim për njeriun, për çiftet, sepse dashuria, ashtu si jeta, është e gjithë amalgama jonë e përditshme dhe e përnatshme dhe jo vetëm ajo sentimentale e momentit. - A është dashuria që kërkojmë vetë fati që kemi pranë? - E pres çdo moment, - thotë autori, - dashurinë. Ama dashuria është më së pari në mendjen tonë. Është fati mes nesh. Dhe këtë fat duhet të dimë t’a kërkojmë. Nganjëherë fatin e kemi mes nesh dhe e kërkojmë diku tjetër. E kemi në turrën e druve në shtëpi dhe e kërkojmë në mal, shumë larg. E kemi tek gruaja jonë, apo tek burri ynë dhe nuk na bind, nuk na ngroh, dhe ne e kërkojmë tek një bashkëshort tjetër. E kemi tek molla jonë në kopsht, e cila ka lëng të ëmbël e të shijshëm, dhe nuk ngopemi me të, por shkojmë e blejmë mollë në dyqan, me fare pak lëng ose aspak shije. Kjo na mëson se, në fund të fundit, të kërkuarit në objekte të tjera, jashtë nesh, mund të na çojë në një kërkim të pafund.

         Dashuria është si puna e kungullit. Kungull janë të gjitha! Dhe këtu autori i shkon deri në fund gjithëllojdashurisë së tij kur thotë: “Unë, qysh kur mësova notin, fillova të dua detin!” Sa bukur! Autori na thotë se dashuri është edhe ajo që kemi pranë, bile në radhë të parë ajo. Pranë syrit, pranë zemrës. Dhe ndoshta këtu qëndron një nga mësimet më të bukura të këtij libri: Shpesh njeriu kërkon larg atë që e ka pranë. Kërkon një tjetër botë, ndërkohë që nuk e ka parë me vëmendje botën që i ka dhënë jeta. Dashuria fillon tek atdheu, tek puna, tek familja, tek natyra. Dhe për t’a mbyllur këtë konsideratë për poezinë e mikut tim, tek libri “Ngjyrat e Shpirtit”, më duhet të them, më në fund, se çdo dashuri ka vlera. Por çdo dashuri fillon tek puna. Nga puna na vjen dashuria e të gjitha llojeve të tjera. Mund të rrimë duke dashuruar me mendje, me ndjenja, me trup, një, dy, dhjetë ditë, por pas kësaj na duhet jeta, puna, të mirat materiale për të mbajtur frymën. Frymën nuk e mban vetëm dashuria. Dhe kjo nuk ia heq aspak madhështinë dashurisë, përkundrazi, e vendos atë në tokë. E zbret nga ëndrra në jetë, nga fjala në vepër, nga ndjenja në përgjegjësi, nga dëshira në përditshmëri.

       Kjo është arsyeja, pse mendoj se poeti Llesh Ndoj, në vëllimin poetik “Ngjyrat e Shpirtit”, nuk ka shkruar thjesht për dashurinë. Ai ka shkruar për njeriun përmes dashurisë, për dashurinë universale që ekziston tek qeniet njerzore. Ka shkruar për mënyrën se si njeriu lind, ëndërron, dëshiron, njeh, pranon, punon, jeton, zhgënjehet, vuan, gëzohet dhe përsëri kërkon dashurinë. Prandaj “Dashuria” këtu meriton vërtet të shkruhet me gërmë të madhe.

      Dhe tani, në vend të një përfundimi:

      Bravo Llesh Ndoj! Libri yt është si deti: sa më thellë të hysh, aq më shumë të tërheq. Ndaj duhet lexuar. Duhet lexuar me vëmendje, por jo në mënyrë voluntariste. Duhet hyrë në të me mendje të hapur, sepse mes vargjeve nuk është vetëm fjala poetike. Është edhe mendimi, përvoja, filozofia e jetës dhe ajo përpjekje e përhershme e autorit për t’a parë njeriun në marrëdhënie me veten, me shoqërinë dhe me botën.

        Do të kisha shumë e shumë për të thënë për librin tend poet, por më duhet të kthehem tek librat e mi. Me librin tënd i çlodha mendimet dhe tashmë më ke dhënë vullnet dhe forcë të punoj edhe për disa orë pune të mira.

        Të lumtë, Llesh!

        Një libër që të çlodh dhe, në të njëjtën kohë, të jep forcë për të punuar, nuk është thjesht një libër që e ke lexuar. Është një libër që ka hyrë tek ti, ka hyrë në ndergjegjen tende, në qenien tende.

 

 

                                                                                                             Lezhë, më 18 gusht 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page