Panajot Zoto: Poet i natyrës,i stinëve dhe dashurisë
- 2 minutes ago
- 7 min read

( Shënime për vëllimin poetik “Më shkruan vjeshta”të poetit Panajot Boli)
Nga Panajot Zoto
Panajot Boli është një ndër penat më aktive dhe të njohura jo vetëm në trevën më jugore të vendit dhe në minoritetin grek të zonës ; I ardhur nga fusha e mësuesisë dhe gazetarisë ,ai i është kushtuar krijimiarisë letrare. Ka botuar prozë dhe poezi në dy gjuhë, shqip dhe greqisht. Vëllimi i fundit me poezi “Më shkruan vjeshta” është libri i dymbëdhjetë i tij. Edhe se nuk mungojnë temat sociale në krijimtarinë e tij, ajo dominohet nga qasja për natyrën.Boli mund të konsiderohet si poeti i natyrës në shumëdimesionalitetin e saj.
1.Vëllimi në tërësi
Kur mbaron së lexuari vëllimin poetik “Më shkruan vjeshta” të poetit Panajot Boli, të mbeten në mend , veç të tjerave, vargje dhe fjalë që e mbajnë atë të lidhur ngushtë me natyrën në të katër stinët e vitit, dhe dashuria si një ndjenjë e paveçuar prej tyre. E thënë ndryshe Panajot Boli është poet i natyrës në shumëdimesionalen e saj: i malit, lumit, liqenit, bimësisë dhe i detit , i hënës dhe diellit. Në poezitë e këtij vëllimi lexuesi e shikon autorin në rrugëtim mes malit, në prehërin e të cilit mbështetet fshati i tij , përgjat luginës së lumit (Bistricë) në bisedë me lulet dhe gjelbërimin dhe, në zbritje drejt detit kaltërosh, ku takohet me nereidat bukuroshe.
Libri i jep lexuesit të kuptoj stilin dhe dëshirat e autorit. Kujt i drejtohet dhe cilat janë ëndërrat, dashuritë dhe bota krijuese e tij. Poezia “Më shkruan vjeshta” është si një paradhomë ku qëndron muza nga ku marin udhë vargjet që burojnë nga shpirti lirik i autorit.

Vëllimet poetike ndryshojnë nga njeri –tjetri për nga tematika, idetë,nga të konceptuar si një tërësi apo jo, etj. Pyetjes në se vëllimin poetik “Më shkruan vjeshta” ka bosht tematik dhe ideor që i bashkon poezitë e tij dhe, a duket vëllimi i konceptuar si një tërësi apo si një grumbull poezish të veçuara?- shkurt do i përgjigjesha: Kemi të bëjmë me një vëllim poetik që ka një bosht tematik dhe ideor të qartë, që i bashkon poezitë. Vëllimi është konceptuar si një tërësi, dhe poezitë duken si vazhdim i njëra- tjetrës, të para nga autori në këndvështrime të ndryshme. Për ta konkretizuar këtë konstatim le t’i referohemi disa titujve për të parë se si ato interferojnë në njera- tjetrën në ngjashjmëri tematike, në një ecje si të pambarimtë.
“Më shkruan vjeshta” në këto “Ditë që nuk ankohen”po “ Nuk e di pse trishtohem”,mbase që “Dua të më përkund deti ”. Kujtoj “Diku, dikur një dashuri”, në këtë “Ditar të humbur”, që “Mat vetëm shpirti”. “Nuk më le nata” e “Deti më përkund”,dhe teksa “Numëroj petalet e trandafilit” ”Pyes Bistricën” “Pse pjergulla u kërrus” dhe pse “Hëna u vonua të dalë në fshat”.Dhe ndërsa “Vjeshta nxiton” unë kam “Kohë për të ëndërruar” në këtë mot që mban “Aromë vjeshte” dhe kur “Qyteti lahet në shi”... etj, etj.
2.Temat dhe motivet kryesore
Dashuria për vendlindjen, për natyrën, kujtesa dhe fëmijëria, malli dhe shpresa janë temat kryesore.Ndërkaq motivet në poezitë e tij janë vjeshta dhe stinët, pranvera me lulet dhe deti, dashuria për profesionin e mësuesit dhe malli për nxënësit..
3.Bota poetike e autorit
Ai e sheh njeriun të lidhur me natyrën dhe gjallesat , me bimët, lulet, malin, lumin dhe detin si pjesë të jetës. Ndjenjat që dominojnë shpirtin krijues të tij janë dashuria, sinqeriteti poetik, malli për të ikurit nga jeta dhe kohën e shkuar. Pasioni për natyrën dhe ndërthurjen e saj me gjithësinë, yjet, hënën dhe diellin si jetëdhënës.
4. Uni lirik
Poezitë e këtij vëllimi dallohen nga uni lirik. Në to flet vet autori, është zëri i tij lirik, që ndryshon nga një poezi në tjetrën.
Do të ndalem në një karakteristikë që përbën veçanti krijuese të këtij autori dhe shprehet qartë uni i tij lirik. Në poezitë : “Dua të më përkund deti”, “Më buzëqeshje ti”, “Xheloz bëhem me valët” dhe “Të isha”, dallojmë pasionin dhe lidhjen e autorit me një figurë mitike:” Nereidat”, që në mitologjinë e lashtë konsiderohen nimfat detare, bijat e Nereut “Plakut të detit” dhe të Darisit. Ndërkaq poeti në poezitë e tij, i shikon nereidat, në kuptimin simbolik, të lidhura me detin dhe fuqinë e tij, me bukurinë dhe hirin femëror. Në përgjithësi në letërsi, edhe në këtë rast në poezitë e Panajot Bolit, Nereida përdoret si figurë metaforike, si një grua jashtëzakonisht e bukur, misterioze, e lidhur me detin.
Në një libër poetik ka disa poezi që qëndrojnë si kollona mbajtëse. Kështu ndodh dhe me këtë vëllim. Mjafton të analizosh disa prej tyre që të mbrish në përfundim të vlerësimit për vlerat artistike dhe estetike të vëllimit. Pozia “Dua të më përkund deti” është ndër më të bukurat, një kollonë mbajtëse, dhe ja pse:.
Së pari. Në këtë poezi kemi një përdorim mjaft të bukur të figurës mitologjike dhe, veçantia: një modernizim të saj. Nereidat nuk janë më nimfa mitologjike. Në vargjet:
“Nereidat të lodhura u ulën në sallonin e bukurisë
Një gotë verë pinë dhe qytetin shohin menduar”....
poeti i sjell Nereidat nga mitologjia në jetën bashkohore. Ato nuk shfaqen më si qënie të botës së lashtë, po si gra të bukura që kanë jetuar një verë të gjallë dhe tani pushojnë.
“ Salloni i bukurisë”, “një gotë verë”, “qytetin e shohin”- këto shprehje janë elemente të jetës moderne,ç’ka nënkupton një ndërthurrje mes mitologjikes dhe të përditshmes.
Së dyti: Neriadat janë personifikimi i verës dhe kjo më duket një nga çelsat më të rëndësishëm të poezisë. Vargjet:
-“ Gjithë verës në ekstazë, me koncerte e dëfrime
Tani çlodhen nën dritën e hënës”...
i bëjnë Nereidat një lloj personifikimi të sezonit turistik veror.Autori i shikon ato si pjesë e gjallërisë të ditëve verore,të koncerteve, dëfrimeve, si pjesë e detit dhe jetës njerëzore. Me ardhjen e vjeshtës ato “lodhen” dhe tërhiqen. Pra, Nereidat janë njëkohësisht: ‘nimfa’ mitologjike por dhe ‘vajza të bukura’-‘ shpirti i verës’, ‘atmosfera e bregdetit’.
Së treti: Ka edhe një element të bukur të ironisë së lehtë në thënien “Salloni i bukurisë”.
Nereidat, të cilat në mitologji janë vet mishërim i bukurisë, shkojnë në sallon bukurie. Këtu kemi një lloj humori të lehtë e lozonjar, sepse një qënie mitologjike vendoset në një situatë fare të zakonshme njerëzore. Kjo e çmitizon disi figurën, dhe njëkohësisht e bën atë më të afërt dhe më simpatike.
Së katërti: Vargjet e fundit të kësaj poezie e ndryshojnë marëdhënien me nereidat. Autori shkruan:
“Ndofta vij edhe unë me miken time, së bashku me ju
Të na përkund deti e të ëndërrojmë këtë natë magjike”.
Kuptojmë në këto vargje se si nereiadat bëjnë ftesë për të kaluar nga realiteti në ëndër.
‘Deti’, ‘hëna’, ‘Nereidat’, ‘mikja’, ‘nata magjike’- të gjitha këto krijojnë një atmosferë romantike, ëndërrimtatre dhe paksa fantastike.
Si përmbledhje,them se autori i jep një kuptim më të gjerë Nereidës.Në poezinë e tij Nereida është figura mitologjike e shndëruar në simbol të bukurisë, verës, detit, dëfrimit dhe ëndërrës. Autori e sjell nereidën në realitetin bashkohor, duke krijuar kësisoj një mitologji moderne të bregdetit, E thënë dryshe kemi të bëjmë me një çmitologjizim dhe njëkohësisht rimitologjizim të nereides. Poeti e zbret atë nga olimpi i mitologjisë ,në “Sallonin e bukurisë”dhe pastaj e rikthen në një botë poetike të magjishme
5.Gjuha poetike,figurat dhe simbolet
Gjuha që përdor autori është e thjeshtë , konkrete dhe në tërësinë e poezive metaforike.Shpesh përdor fjalë apo shprehje që përsëriten dhe që marrin një funksion simbolik.
Ndërkaq figuracioni është ajo që dominon poezitë e këtij vëllimi, ku vështrimi poetik i autorit është i mprehte e zhbirrues. Ai shikon me imtësi në mjedisin që e rrethon, në shiun që bie, në errën që fryn, në lulet që çelin dhe gjethet që vyshken, në sytë e gjyshit dhe ahet e nënës,në mimikën e fëmijve dhe në grinë e detii... atë që një sy i zakonshëm nuk dallon dot. Autori shikon misteret e perëndimit e të agut mëngjezor, të detit e të lumit dhe na sjell në poezitë e tij vargje estetikisht mbreslënëse, të veshura me vllon poetike të metaforës, simbolit, krahaimit, personifikimit etj.
Poeti bisedon me natyrën, jeton me të. Keqardhet për gjethet që bien në vjeshtë dhe lumturohet për lulet që çelin në pranverë. Në poezinë “Nxiton vjeshta”- autori thotë:
*Kur reja nxin në horizont e ngrica than mëngjeset
lulen e brishtë ta mbaj në gjoks, ta ngroh me frymë
Ndërsa në poezinë “Ti je dielli” shkruan:
“ Ky top i zjarrtë më vuri në mendime qysh fëmijë,
Si lodër seç m’u duk kur më doli përpara.
Tani harohem shpesh në vezullimin e tij magjepsës
Dhe me rezet e tij mpleks gërsheta ëndërash të marra”.
Ndërsa në poezinë “Dua buzëqeshjen tënde”, vargjet metaforike të japin një kënaqësi estetike të veçantë.
*”Fije të shtrenjta drite i kërkova ylberit
Dhe iu qasa luginës tinëz në një kënd,
Diellin luta për një gjilpërë të florinjtë,
Të qendis këngën në portretin tënd”
Një figurë stilistike e përdorur gjersisht nga autori është personifikimi. Në shumë poezi sendeve ose kafshëve ai u vesh tiparet e njeriut Ato mendojnë, veprojnë e flasin me autorin:’ Hëna i buzëqesh’, ‘dielli e shikon’, ‘deti e thëret’, ‘Bistrica e fton’, etj. Po ashtu edhe thëniet: Lumi im i mirë, dritarja ime, mali im, muzgu im, janë lëndë e kësaj figure stilistike. Në poezinë: “dua të më përkund deti” që analizuam më lart, edhe deti është personifikuar
Thotë autori: “Deti im po ndien mornica nga freskia e vjeshtës
Me një çarçaf gri të mëndafshtë supet ka mbuluar”
Këtu deti paraqitet si një qnie njerëzore që ndien“mornica” dhe mbulohet me “çarçaf”. Krijoht kështu një sistem i tërë personifikimesh: Nga njëra anë deti që –‘ ndjen’ dhe ‘ mbulohet’ dhe në anën tjetër Nereidat që-‘ lodhen’,’ pushojnë’ ,’pinë verë’,’ sodisin qytetin’. Dhe Poeti që- dëshiron t’u bashkohet.Kjo e bën peizazhin detar të duket si një botë njerëzore e gjallë.
Panajot Boli mund të konsiderohet një poet simbolist. Në shumë prej lirikave të këtij libri, poeti i natyrës, stinëve dhe dashurisë, Panajot Boli, futet në thellësi të nënvetëdijes duke zbuluar një botë me imazhe dhe përjetime emocionale. E veçanta në poezitë e tij është ndërtimi i strofës dhe vargut.Dominojnë vargjet shumërokshe, sidomos 18 -20 rokshet ,me rimë të kryqëzuar, që nuk e humbasin ritmin brenda strofës.








Comments