top of page

Pashk ALIA: ATDHEU - TOKA QË TË FLE NË SHPIRT

  • 2 hours ago
  • 6 min read

   - Duke lexuar librin “Toka që skuq yjet” të poetit Llesh Ndoj -

Nga Pashk ALIA

Autori Llesh ndoj vjen para lexuesit me librin e radhës: “Toka që skuq yjet” – poezi, një libër që nisur nga kopertina e tij të jep me kuptue se Toka Shqiptare, nuk është tokë si çdo tokë, por toka që me bukuritë e saj i ndez edhe yjet, i bën ato xheloze, duke qenë njëkohësisht edhe toka që të fle në shpirt. Duke u nisur nga saga filozofike e Llesh Ndojt: Atdheu nuk është vetëm toka ku lindim; është një marrëdhënie shpirtërore dhe një përgjegjësi që ndërtohet çdo ditë,  dhe duke kujtuar shpirtin e një amerikani, kur thotë: “ Mos pyesni çfarë ben atdheu për mua, por çfarë bëj unë për atdheun”, marr spunto dhe guxim të komentoj sa mundem këtë krijim shpirti të autorit Llesh Ndoj.

Si një intelektual shkëlqyeshëm i mirëformuar, si njeri i ditur, si drejtues me plot përvojë mbi supe, si krijues, poet, gazetar, studjues, botues e shumëçka cilësor, Llesh Ndoj nuk është kollaj të lexohet! Nëse nuk e lexon mes rrjeshtave dhe me imagjinatë të thelluar do të thotë se e ke shkuar dëm kohën tënde, por nuk e ke kuptuar! Qysh ne hyrje të këtij libri me poezi, ai jep dy ide mirëfilli  filozofike për Atdheun.

Në vijim krijon një poezi kushtuar atdheut!

         Me sa arrita për së shpejti ta lexoj atë me frymë filozofike, ligjore, me ndjenje shtetformuese, mund te sjell një shtjellim përmbajtesor, ashtu si e kam perceptuar unë idenë se çfarë Llesh Ndoj, ka dasht t’na sjell në vëmendjen tonë me këtë aksiome dhe me poezinë për të madhin atdhe, mund të cilësoj se atdheu – merr kuptim kur toka e tij të fle në shpirt! “Atdheu është një materie e veçantë që merr kuptim kur fle në shpirt dhe frymon bashkë me ne!” Kështu nis një nga mendimet më të bukura të studiuesit, krijuesit, analistit dhe tashmë edhe gazetarit me sqimë, Llesh Ndoj, në hyrje të poezisë së tij në librin “Toka që skuq yjet”. Një fjali që nuk është thjesht një përkufizim poetik për atdheun, por një ftesë për të menduar se kur dhe si bëhet atdheu pjesë e shpirtit tonë.

Më së pari Lleshi na thoteë se duhet kuptuar se atdheu nuk lind në hartë. Harta vetëm e përcakton territorin. Atë e lind njeriu në ndërgjegjen e vet. Atdheu na jep emrin. Por jo si një kurorë lavdie që e mbajmë mbi kokë pa bërë asgjë. Kete na thote autori! Ama na e jep si një investim të trashëguar, si një amanet që duhet kthyer me punë, me dije, me ndershmëri, me përgjegjësi dhe me vepra. Emri që marrim prej atdheut duhet që një ditë, të kthehet në faqet e historisë së tij. Atdheu na jep emër, dinjitet, dituri, mbështetje, mbrojtje, ashtu si banka na jep një kredi për të ngrit një biznes, por që me fitimet që nxjerrin duhet t’ia kthejmë kredidhënësit!


Por kur fillon kjo marrëdhënie kredimarrje e kredidhënëse atdhe-individ?

Si proces kredimarrës: A fillon në shkollë? Ndoshta më herët. Ajo fillon në shtëpi, në momentin kur fëmija dëgjon për herë të parë gjuhën e nënës. Fillon kur babai i tregon për vendin prej nga vijnë të parët. Kur nëna ruan një këngë, një zakon, një fjalë të vjetër, një histori familjare. Fillon kur fëmija kupton se pas emrit të tij ka një histori dhe se pas historisë së familjes së tij ekziston një tokë që ka mbajtur gjurmët e brezave.

Atdhedashuria e parë është ajo që fëmija sheh, jo ajo që i mësohet me fjalë.

- Nëse babai e respekton vendin ku jeton, fëmija mëson respektin,

- Nëse nëna e ruan gjuhën, traditën dhe kujtesën, fëmija mëson trashëgiminë,

-Nëse vëllai sillet me dinjitet, komshiu me mirësi, mësuesi me përgjegjësi, shtetari me ndershmëri, atëherë fëmija fillon të kuptojë se atdheu nuk është një fjalë e madhe që thuhet në festa. Është mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin çdo ditë. Pastaj vjen shkolla. Shkolla nuk duhet vetëm të na mësojë se kur ka ndodhur një betejë, kush ka qenë një hero apo ku ndodhet një krahinë. Nuk ja vlen të na mesoj numrat, formulat as ekuacionet si qëllim në vetvete! Ajo duhet të na mësojë pse duhet ta duam vendin ku jetojmë dhe çfarë përgjegjësie kemi ndaj tij. Sepse si fëmijë e duam atdheun kur nuk marrim vese, kur formohemi për t’u bërë të ditur. Dhe më pas vjen institucioni. Këtu atdheu përballet me provën më të madhe. Sepse çfarë vlere ka një fjalim për atdheun, nëse zyrtari nuk e respekton qytetarin? - Çfarë vlere ka të flasësh për ligjin, nëse gjyqtari nuk e zbaton me drejtësi? - Çfarë vlere ka të flasësh për atdheun kur prokurori mbron një hajdut, kriminel e të korruptuar? - Çfarë vlere ka të flasësh për shtetin, nëse shtetari e sheh detyrën si privilegj personal? - Çfarë kuptimi ka patriotizmi i politikanit, nëse interesi i tij vendoset mbi interesin publik? - Cili është kuptimi i fakteve dhe argumenteve që analizon Llesh Ndoj mes rrjeshtave?

Atdheu nuk mbrohet vetëm në kufi. Atdheu mbrohet edhe në zyrë, në shkollë, në gjykatë, në spital, në rrugë, në familje dhe në çdo vend ku një njeri ushtron një përgjegjësi ndaj të tjerëve. Atdhu mbrohet edhe nga vetëvetja! Madje kjo është strumbullari i sagës! Këtu qëndron edhe një pyetje që shoqëritë e zhvilluara ia bëjnë vetes: jo vetëm “Çfarë duhet të bëjë shteti për mua?”, por mbi të gjitha “Çfarë bëj unë për shtetin dhe shoqërinë time?” Kjo është një përmbysje e rëndësishme e këndvështrimit. Sepse qytetari nuk është vetëm përfitues i shtetit. Është edhe ndërtuesi i tij.

      Një shtet i mirë nuk ndërtohet vetëm nga qeveritë, ndërtohet nga miliona sjellje të vogla të qytetarëve të tij: nga njeriu që punon me ndershmëri, nga mësuesi që i mëson nxënësit me përkushtim, nga mjeku që respekton pacientin, nga nëpunësi që nuk kërkon privilegj, nga sipërmarrësi që krijon punë, dhe bën punë me cilësi; nga studiuesi që zbulon të vërtetën, nga gazetari që nuk e shet fjalën dhe nga qytetari që nuk e dëmton të përbashktën. Por kjo pyetje bëhet edhe më e fortë kur flasim për emigracionin.

- A mund të mbetet vendlindja gjallë larg atdheut? Po. Madje ndonjëherë largësia e bën njeriun t’a kuptojë më fort se çfarë ka lënë pas. Por prova e vërtetë nuk është vetëm nëse emigranti e kujton Shqipërinë. Prova është nëse ai ua transmeton historinë dhe dashurinë për Shqipërinë fëmijëve të tij. - A ua mëson gjuhën shqipe? - A u tregon për gjyshërit? - A i çon në vendlindje? - A u mëson këngët, doket, zakonet, mikpritjen dhe mënyrën e të jetuarit të të parëve? - A u tregon se pas një mbiemri familjar qëndron një histori? Sepse një emigrant mund të ndërtojë një shtëpi të madhe në një vend të huaj, por nëse nuk ndërton në zemrën e fëmijës së tij një dhomë për gjuhën dhe kujtesën e të parëve, për historinë, për zakone, tradita, doke e sjellje të mira, atëherë një pjesë e atdheut mund të humbasë me një brez.

        Atdheu, pra, është edhe kujtesë e transmetuar. Nuk mjafton t’a duam ne. Duhet t’ua mësojmë edhe atyre që vijnë pas nesh. Dhe këtu fjala e Llesh Ndojit merr një kuptim edhe më të thellë: “Atdheu merr kuptim kur neve na fle në shpirt, dhe ne frymojmë bashkë me të”. Ama atdheu fle në shpirtin tonë kur bëhet pjesë e kujtesës, e vetëdijes kolektive. Frymon me ne kur bëhet pjesë e veprimit, e dhimbjes, e ndergjes kombëtare. Dhe bëhet histori kur ajo dashuri kthehet në vepër. Prandaj atdheu nuk është vetëm vendi ku kemi lindur. Është edhe ajo që ne i lëmë vendit ku kemi lindur.

Dikush një sjellje me educate,

Dikush që transmeton dije,

Dikush që krijon a boton një libër,

Dikush që ndërton një shkollë,

Një tjeter që nderton një urë,

Një që mbjell një pemë,

Një shkencëtar që boton një vepër shkencore,

Një institucion i ndershëm kur nuk i shpërdoron fitimet, nuk abuzon me to, e që sjell efektivitet.

E do atdheun një brez i edukuar që punon e sillet me ndershmëri në familje, në komunitet dhe në shoqëri, e do atdheun një fëmijë që flet gjuhën e gjyshit të vet, e do atdheun një qytetar që nuk e turpëron vendin e tij. Këto janë gurët e vegjël me të cilët ndërtohet kalaja e madhe e një atdheu.

Në fund, ndoshta pyetja më e drejtë nuk është:

- Çfarë më dha atdheu mua?, por: - Çfarë lashë unë në atdheun tim që të më kujtojë?

Sepse atdheu na jep një emër në ditën kur lindim. Por ne kemi një jetë të tërë për t’ia kthyer atë emër historisë së tij. Dhe vetëm atëherë toka nuk mbetet thjesht tokë. Ajo bëhet atdhe. Sepse ka fjetur në shpirtin tonë. Dhe ka filluar të frymojë bashkë me ne.

       Faleminderi Llesh Ndoj që na ngacmon shpirtin për të kuptuar se ku lind, ku zhvillohet, si mbrohet e çfarë duhet të bëjë secili për këtë Atdhe-thesari ynë madheshtor! Suksese mik!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page