Fatmir Terziu: FIDUSHJA
- 1 hour ago
- 7 min read

FIDUSHJA
Në fshatin Gj., pranë kishës së vjetër të fshatit kufitar, ndodhet një varr për të cilin askush nuk flet më. Ka vite që askush nuk ndalet pranë tij, askush nuk ndez qiri, askush nuk vendos një tufë lulesh mbi dheun e mbuluar me bar. Megjithatë, varri është ende aty, i heshtur, sikur pret dikë që të kujtohet. Në gurin ballor janë gdhendur dy emra. Njëri është gati i fshirë nga koha, tjetri lexohet ende, megjithëse shkronjat i ka ngrënë lagështira.
Mes dy emrave është gdhendur një gjarpër dhe një trëndafil. Gjarpri ka trupin e mbledhur rreth kërcellit, ndërsa trëndafili duket sikur sapo ka çelur nga guri. Askush nuk e di kush i ka gdhendur. Askush nuk di pse janë bashkë. Në fshat thonë se gjarpri ishte frika, ndërsa trëndafili dashuria. Por kjo është vetëm një nga ato fjalitë që mbijetojnë nëpër fshatra kur e vërteta është tretur prej kohësh.
Dhe megjithatë, nëse do të afroheshe pak më shumë, do të shihje se njëri prej emrave nuk është emër i plotë. Është vetëm një emër që duket sikur është prerë në mes, sikur dora që po e gdhendte u ndal papritur. Ndoshta nga frika. Ndoshta nga një zë. Ndoshta nga një kujtim që nuk duhej të shkruhej. Prej vitesh askush nuk ka hedhur sytë mbi atë gur. Por varri, siç ndodh me varret që fshehin histori, nuk ka harruar asgjë.
Në fshatin Gj. askush nuk e dinte nga kishte ardhur ajo. Kur e shihnin të ecte poshtë telizave, apo ballkoneve me dërrasa ahu, nëpër rrugicat e ngushta, me kokën ulur dhe me duart gjithnjë të mbledhura përpara, gratë thoshin se ishte vajza jetime e ardhur nga jugu. Disa thoshin se kishte humbur prindërit. Të tjera se kishte ikur nga një shtëpi ku nuk kishte gjetur vend. Ajo nuk i kundërshtonte. Nuk fliste pothuajse fare. E thërrisnin Fidushja. Dhe kaq mjaftonte.
Vetëm kur mbetej vetëm, ndonjëherë, i shpëtonte nga buzët një emër tjetër. Jordanka. Por atë emër nuk e dëgjoi askush. Ajo kishte kaluar kufirin natën. Nuk kishte marrë me vete asgjë. As rroba të tepërta, as bukë, as një kujtim nga shtëpia. Vetëm atë që mund të mbante në duar dhe frikën që i rëndonte në kraharor. Disa herë ishte ndalur pas shkurreve, kur kishte dëgjuar zhurma. Një qen. Një hap. Një zë larg. Sa herë që mendonte se po e ndiqnin, fshihej dhe priste.
Nuk e dinte nëse po ecte drejt shpëtimit apo drejt një vdekjeje tjetër. Në një çast kishte parë dritat e një patrulle larg.
U shtri përtokë. Mbajti frymën. Kur dritat u zhdukën, vazhdoi. Deri sa, para agimit, gjeti një kasolle bari. U fut brenda. U mblodh në një cep dhe për herë të parë pas shumë orësh mbylli sytë. Kur u zgjua, dikush po e shikonte. Ishte Fidani. Ai nuk e pyeti menjëherë kush ishte. Ndoshta sepse ajo kishte një fytyrë që e ndalonte çdo pyetje. Ishte e zbehtë. Sytë i kishte të skuqur. Dhe në atë çast, Fidanit iu duk sikur ajo kishte ardhur nga një vend ku njerëzit nuk flisnin më me fjalë. Vetëm me sy.
Ai u largua pa thënë asgjë. Kur u kthye, kishte sjellë bukë dhe ujë. Ajo e mori bukën me të dyja duart. Nuk tha faleminderit. Fidani nuk e priti. Të nesërmen u kthye përsëri. Edhe ditën tjetër. Kështu kaluan disa javë. Askush nuk dinte asgjë. Vetëm Fidani. Dhe, pak nga pak, ai nisi ta priste mëngjesin jo për të parë diellin mbi fshat, por për të parë sytë e saj.
Ndërkohë, shumë larg kasolles, një histori tjetër vazhdonte të ndiqte pas vajzën. Një gjerdan floriri ishte zhdukur nga shtëpia e kushërirës së saj. Në fillim askush nuk kishte menduar për Jordankën. Pastaj kishin nisur pyetjet.
Kush kishte hyrë në dhomë? Kush e kishte parë gjerdanin? Kush kishte qenë i fundit aty? Ajo nuk kishte folur. Jo nga frika e gjerdanit. Por nga frika e një burri. Një burri që kishte lidhje me një vajzë të njohur të saj. Një ditë, krejt rastësisht, Jordanka e kishte parë. Nuk kishte dashur ta shihte. Nuk kishte kërkuar të dinte. Por një derë e hapur paksa dhe një çast i pamenduar mjaftuan që ajo të zbulonte një lidhje të fshehtë. Nuk foli. Për disa ditë e mbajti brenda vetes atë që kishte parë. Pastaj ia tregoi shoqes. Shoqja e dëgjoi në heshtje. Dhe papritur nisi të qante. Jordanka u tremb.
- Çfarë ke?
Shoqja nuk iu përgjigj menjëherë.
Pastaj i tha: - Gjerdanin e ka marrë ai.
Jordanka e pa e hutuar. Ajo nuk e dinte çfarë e tronditi më shumë. E vërteta për gjerdanin apo fakti që tani kishte një arsye tjetër për t'u frikësuar prej tij, sepse ai e kuptoi se ajo dinte. Dhe, kur një njeri e kupton se dikush tjetër di sekretin e tij, sekretit i lind një hije. Filluan kërcënimet.
Fillimisht me fjalë. Pastaj me shikime. Pastaj me një pushkë që u shfaq një mbrëmje pranë derës.
Atë natë Jordanka nuk fjeti. Në mëngjes kishte marrë vendimin. Do të ikte. Kështu kishte përfunduar në kufi. Kështu kishte përfunduar në atë kasolle. Kështu kishte përfunduar përballë Fidanit. Por Fidani nuk dinte ende asgjë. Për të, ajo ishte vetëm një vajzë e bukur, e frikësuar, që kishte ardhur nga jugu. Një ditë nëna e Fidanit, Gjurgjja e kuptoi. Ajo pa të birin të kthehej nga kasollja me një bukë të pambështjellë mirë. E ndoqi. Kur hapi derën e kasolles, vajza u ngrit menjëherë.
Gjurgjja nuk bërtiti. E pa gjatë. Pastaj pyeti: - Si të quajnë?
Vajza heshti.
Gjurgjja priti.
- Fidushja, - tha më në fund.
Gjurgjja e kuptoi menjëherë se nuk ishte emri i saj. Por nuk insistoi. U kthye nga i biri.
- Askush nuk ka parë gjë, - tha.
Fidani e pa.
- Askush?
- Askush.
Dhe prej asaj dite, vajza nuk ishte më vetëm një e arratisur. U bë sekreti i shtëpisë së tyre. Në fshat vazhduan të thoshin se ishte jetime. Vajza nga jugu. Fidushja. Askush nuk e dinte se pas atij emri fshihej një vajzë që kishte parë një të vërtetë të ndaluar. Askush nuk e dinte për gjerdanin. Askush nuk e dinte për kërcënimin. Askush nuk e dinte se një natë ajo kishte kaluar kufirin me mendimin se mund të mos e shihte më kurrë diellin. Dhe askush nuk e dinte se, në kasollen e barit, një djalosh kishte filluar ta donte. Ndoshta as ajo vetë.
Por vite më vonë, kur dikush e pyeti Fidanin se kush kishte qenë Fidushja, ai nuk foli. Vetëm nxori nga një kuti të vjetër një copë letër. E hapi. Në të kishte vetëm një emër. Jordanka. Dhe atëherë, më në fund, u kuptua se vajza jetime nga jugu nuk kishte qenë aspak pa emër. Ajo kishte pasur një emër. Thjesht kishte qenë e detyruar ta linte pas kufirit. Dhe për shumë vite, në fshatin Gj., të gjithë e kishin njohur si Fidushja. Vetëm ata që e kishin dashur, e dinin se ajo quhej Jordanka.
Vitet kaluan dhe fshati Gj. ndryshoi. Rrugët u mbushën me gurë, njerëzit u larguan, shtëpitë e vjetra u rrënuan, kufiri që dikur i kishte ndarë njerëzit filloi të dukej si një kujtim i largët. Vetëm varri pranë kishës mbeti pothuajse i paprekur. Bari i lartë i mbulonte herë pas here shkronjat, shiu e nxinte gurin, ndërsa gjarpri dhe trëndafili, të gdhendur në ballinën e tij, vazhdonin të qëndronin aty si dy shenja që askush nuk dinte t'i lexonte. Për fshatin, ajo kishte mbetur Fidushja, vajza jetime e ardhur dikur nga jugu. Emri tjetër në gur nuk i thoshte më asgjë askujt.
Dosja i ra rastësisht në duart djalit të Fidanit, shumë vite më vonë, kur ai po bënte kërkime shkencore në dokumentet e vjetra të kufirit. Nuk kërkonte as nënën e tij dhe as atë histori. Po kërkonte gjurmë të një kohe që tashmë dukej e largët. Por në një dosje të hollë, mes raporteve të zverdhura dhe shënimeve të zyrtarëve, pa një emër që e kishte dëgjuar vetëm në shtëpi, Fidushja. E hapi. Në faqen e parë nuk shkruhej Fidushja. Shkruhej Jordanka. Dhe, ndërsa lexonte, historia që ai kishte dëgjuar gjithë jetën me copëza nisi të bashkohej para syve të tij.
Aty ishte shkruar për gjerdanin e floririt të kushërirës, për burrin që ajo kishte parë rastësisht me vajzën që njihte, për sekretin që i kishte treguar shoqes, për vjedhjen që më pas kishte dalë në dritë dhe për kërcënimet që kishin ardhur njëra pas tjetrës. Ishte shkruar edhe për natën kur Jordanka kishte kaluar kufirin, për javët që kishte kaluar e fshehur në kasollen e barit dhe për djaloshin që i kishte çuar bukë e ujë pa i treguar askujt. Por dosja nuk mbaronte aty. Në faqet e fundit, emri i saj shfaqej përsëri, tashmë në raportet e Sigurimit të Shtetit. Edhe atje e kishin ndjekur. E kishin kërkuar, e kishin survejuar dhe kishin dashur ta bënin bashkëpunëtore. Ajo nuk pranoi. Dhe, siç shkruhej në një nga shënimet e ftohta të dosjes, pas një kohe të shkurtër: “Objekti u neutralizua.”
Djali i Fidanit e mbylli dosjen dhe për disa minuta nuk lëvizi. Tani e kuptonte pse babai i tij nuk kishte folur kurrë për atë grua dhe pse nëna e tij kishte ruajtur heshtjen deri në fund. E kuptonte edhe pse në shtëpinë e tyre, sa herë përmendej Fidushja, pasonte një heshtje e çuditshme. Të gjithë kishin menduar se po ruanin një sekret. Në të vërtetë, po ruanin një jetë të tërë. Ai u kthye në fshatin Gj. dhe shkoi drejt kishës. Pastroi me dorë myshkun mbi gur. Dy emrat dolën ngadalë në dritë. Poshtë tyre, gjarpri dhe trëndafili dukej sikur po shikonin ende njëri-tjetrin. Frika dhe dashuria, dy gjurmët që e kishin ndjekur Jordankën deri në fund. Ai lexoi emrin e saj me zë të ulët, “Jordanka.” Pastaj vuri dorën mbi gur dhe, për herë të parë pas kaq shumë vitesh, dikush nuk e thirri më Fidushja. “Nënë,” tha ai. Dhe atëherë, më në fund, varri kishte marrë emrin e vërtetë.








Comments