top of page

Ilinka Dimashi: KRAHËT E  SHPRESËS

  • 18 minutes ago
  • 2 min read

Ilinka Dimashi: KRAHËT E  SHPRESËS

(Epopeja e patave të egra)

 

U nisën patat e egra,

ikën varg e varg,

e lanë atdheun e vjetër

e shkuan larg, sa larg.

 

Ikën patat e bukura,

fluturuan që pa gëdhirë,

ga-ga-të e tyre të fundit

humbën në mugëtirë.

 

Dhe morën me vete

bagazhe të rënda,

jo me pupla, pendë

a ushqim,

por vezët e tyre të mëdha

futën brenda,

që të vegjlit të çelin

në mërgim.

 

Dhe krahët e shpresës

i rrahën fort,

në qiej, në hapësirë,

krejt të lirë,

u lodhën, u sfilitën,

andej-këndej nëpër botë,

për të gjetur një fole

më të mirë.

 

Pellgu i vogël mbet’

krejt i shkretë,

fëmijët sollën bukë

si çdo ditë,

ca matka të vjetra qenë

strukur në foletë,

gjithçka dukej e trishtë

dhe e mpitë.

 

Por liqeni s’mbeti

gjatë bosh,

ca shpendë të huaj

u shfaqën n’ato anë,

me pupla të errëta

e sy të ftohtë,

kënga e tyre s’qe veç

një krrokamë.

 

Ata s’kishin skrupuj,

as kishin sqimë,

vendin e zaptuan

sop më sop

foletë e patave

i prishën pa mëshirë

dhe pupla, kashtë e pendë

i bënë copë-copë.

 

U ndërruan stinët,

u ndërruan motet,

zogjt’ e vegjël u rritën

në mërgim

dhe një ditë prilli,

kur koha zu të ngrohet,

u pa një V në qiellin gri,

po ktheheshin në shtëpi

patat e vjetra,

pas i ndiqte një ushtri.

 

Pa zhurmë, pa bujë,

zbritën mbi liqen,

me mall po kërkonin

të vjetrat fole,

por shpendët e huaj

brofën menjëherë:

“Kush jeni ju?!

Ikni që këtej!”

 

Patat u shtangën

mbi ujin e ftohtë,

s’kishin ku shkonin,

pas nuk kish më kthim,

përplasën krahët

dhe nisën të klithin

me një zë të fortë

si buçimë.

 

Ju drejtuan qiellit,

ai veç gjëmoi,

i thirrën pyllit,

stuhi u dërgoi,

dhe iu lutën detit,

ai veç dallgëzoi.

 

Dhe pata më plakë

mori një vendim:

të mblidheshin të gjitha

në një kuvend,

me krahët e shpresës,

luftë e guxim,

t’i shporrnin të huajt

nga ky vend.

 

U mbush liqeni gjith’

pupla, gjak e pendë,

dielli ende pa perënduar,

ushtria e patave luftonte

dhëmb për dhëmb,

asnjë pëllëmbë tokë

për të mos lëshuar.

 

Shpendët e murrmë

u sprapsën të tmerruar,

gjithçka humbur kishin,

e kuptuan.

Krrokamën e vajit nisën

të dëshpëruar,

morën këmbët në krah

e u sikterrisën,

u larguan.

 

Kur dita agoi,

çdo gjë qe e qetë.

Një diell i qeshur

përshëndeste nga lart,

çdo patë nxitonte me

bar a kashtë në sqep,

foletë t’i lartonin

më të bukura se më parë.

 

Dhe punë si mbaruan,

fëmijëve

një amanet u lanë:

 

“Kurrë mos e braktisni

vendin tuaj,

sepse mallin për këto

fole të ndërtuara

me shpirt, kashtë

e bar

nuk do t’jua shuajë

asnjë fole e huaj,

qoftë e ndërtuar ajo

edhe me ar!”

 

Ilinka Dimashi

VA, USA

23 maj ,2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page