top of page

PAS NDARJES


PAS NDARJES


Poezi nga Kozma Gjergji



PËRSHËNDETJE


Qofsh e bekuar ti zemër që

Rrahe për paqën e dashurinë

Ndërsa urrejtja bënte kërdinë.


Përshëndetje ju buzë që

Shprehët fjalë shprese e besimi

Ndërsa nderi qe çnderuar

Dhe mjerimi vajtonte.


Qofshi të bekuara ju duar që

Ndërtuat shkatërrime

Dhe e ngrohët dimrin.


Lavdi ty mendje e ndritur që

Drejtove timonin e jetës duke

Shmangur greminën e vdekjes…



PRANVERA


Fillimisht

Ia hoqi zinxhirët

Dimrit të ngrirë

Dhe ujrat e shkrirë

Ua dërgojë

Tokave shkretë.



SKËNDERBEU


Sa herë gjëndemi në rrezik

Ai vjen e na jep kushtrim,

Sa herë armiqtë i harrojmë

Ai vjen e na kujton,

Sa herë arrijmë suksese

Ai vjen feston e ngre shëndete,

Sa herë…



NJË ZOTËRI


I mahniti të gjithë

Me gjestet e dashurisë

Që i bën buldogut të tij.


Lypsi tek e sheh me admirim

Mendon se kushedi

Sa shumë duhet

T'i dojë njerëzit,

Dhe besimplotë

I drejtohet të përfitoi diçka.


Mirëpo zotëria

As e vëren dhe as e dëgjon.

Kur lypësi

Nis t'ja përsëris të luturën

Ai i ndërsen qenin.



BURRËSHTETASI


U bë burrështeti

Se dijti mjeshtërisht

Të tredh gjeldeti

Dhe japë të puthurën

E Juda Iskariotit.



URTËSIA


Urtësia e vjetër

E thotë drejtë:

Kush lind gomar,

Gomar do vdes.



DASHURIA


Mora vesh se

Shkoi në qiell

Dashuria

E gonxheve të para!

Shkoi përgjithmonë…


Mbeta

Si një dritë neoni

Që dridhet

Në një korridor bosh…



QË ATËHERË


Ndodhi në rini:

Unë u shndërrova në hark

E dashura në violinë,

Dhe pangopësisht iu kënduam

Çasteve më të praruara

Me lumturi.

Që atëhere

Ato këngë e melodira

Ende i mbanë

Kolonë zanore

Dashuria.



ÇILTËRSIA


Trendafili i bardhë

I hap zemrën çiltërsisht

Flladit e dritës

Dhe merr prej tyre

Ledhatime e shkëlqim.



PËRSE


Përse disa bukuri

I kanë lulet

Tejet të mrekullueshme

Dhe frutet

Tmerrësisht të helmëta?!



PAS NDARJES


Pas ndarjes

Shiu

Më tregoi me lotë

Për misterin e hidhur

Të dashurisë.


Kozma Gjergji.

56 views4 comments

4 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Oct 19, 2022

Q

I nderuar z.Sotir, ju përshëndes fortë për angazhimin. Pas muajve ripërtëritës, tani dhe ju duhet ta ngrini "pushkën" e frymëzimit dhe të shënjoni kaprolle, thëllënza, fazanë dhe të na ftoni për t'i shijuar. Me respekt, K.Gjergji.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Oct 19, 2022

"Dekorata" të tilla prej miqsh të sinqertë e dashamirës dhe artistësh klasi si ju i dashur Myslim, të mbushin me gëzim e siguri dhe grishin ta hedhësh vështrimin më lart.

Ju uroj shumë suksese dhe juve në krijimtarinë letrare cilësore.

Me mirënjohje e përqafime, K.Gjergji.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Oct 18, 2022

Xing.

Lexoj me ëndje një cikël poezish ku vërrej se poeti dhe miku im Kozma Gjergji di të depërtojë me mënçuri në botën e personazheve që vetë ka gdhëndur për të shprehur mendimet dhe pozicjonet e tij herë-herë dashamire dhe herë-herë kundërvënëse (Zotria dhe lypsi). Janë dymbëdhjetë poezi: njëra më vezulluese se tjetra. Por mbi to unë pëlqej Përshëndetje. / Xing.


Like

mich.maska
Oct 18, 2022

Pershendetje Kozma Gjergji per kete cikel dinjitoz, ku si gjithmone, Poeti eshte vetevetja, i fresket dhe origjinal.

E mrekullueshme poezia PERSHENDETJE. Me befasoi per zbulimet e fshehta, misterioze

qe s'i sheh syri, por fantazia e poetit Kjo eshte poezia moderrne, kjo eshte poezia e vertete

qe shkruhet sot, Me pelqeu gjithe cikli do te vecoja, NJE ZOTERI, URTESIA,DASHURIA, PERSE, PAS NDARJES etj.

Te uroj arritje te reja. Me shume respekt, Myslim Maska, Athine.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page