
1. FLIRTIM
Fatmir Terzu
Një cigare. Flirtim
me zhbirimin e tymit,
një cigare duhan si kadaif i grirë,
ka ngjizur ku palosen buzët e duhanpirësit
e unë që nuk e pi trazoj mendimet i ngrirë:
sytë, vetëm sytë
dritare e qelqtë që përpijnë
retë që i bëri mënxyrë
dhe, i mbarsi përfundimisht përsëri
me ç'motiv përhumbet në hapësirë,
apo për ndonjë flirtim të ri?
2. PRANVERË
Pluskojnë lulet,
poleni derdh mëkatin e vet,
kopshti ngazëllehet bletëza e quk;
e ngjiri zërin i riu lejlek,
lepurushja s'bëzan më pas shkurres së butë.
3. PARFUM
Gjurmoj në djersët shkumë
lëngun tënd që zbrazet si polifoni,
dhe fap,
mendja më gurgullon si lumë,
ti më rrëmben si një melodi
gati sa s'më vë në gjumë.
Përjetoj një botë pa zë,
nuk di ç'më ndodh tani,
udhëtoj njëmijë vjet më parë,
mos vallë dua, sekretin tënd ta di,
nga koha kur u shtrydhe si vaj?
Comments