top of page

Paratë nuk mund të të blejnë …?!


Kur lotët ikin

Fatmir Terziu


Mëngjesi do të vijë përsëri. Dielli do të lindë. Nata do të përfundojë. Mandej dhe jastëku nuk do të duhet të mbaj më lotët.

Do fshihet pikëllimi nga sytë. Dhimbja do vendoset në një sirtar. Një dush dhe një perspektivë e re do të jenë të mirëseardhura.

Kujtimi do të fillojë të zbehet. Zemra e plagosur do të shërohet. Do tendosen pjesët përsëri së bashku. Do të kuptohet se çfarë do të vijë më pas. Kur nuk do të kemi më lotë për të qarë! Atëherë më në fund do të jemi me sy të shpëlarë. Dhe mund të vazhdojmë përpara… pa qarë dhe u qarë.



2. Paratë nuk mund të të blejnë …?!


Nuk ka dy njerëz që e kanë të njëjtën gjë. E vërteta është se jeta nuk është e drejtë. Ndërsa disa njerëz duket se e kanë të lehtë dhe nuk kanë kurrë një kujdes, të tjerë vuajnë nga in-dinjiteti dhe duhet të kalojnë dhimbje të mëdha. Ata thonë se paratë nuk mund të të blejnë dashurinë, por nëse më jep një miliardë dollarë, jam i sigurt se mund të gjej disa, më thotë dikush që e zbraz fundin e gotës së dhjetë me birrë.

Dhe vazhdoj të shikoj bulëzat e turbullta në gotën e tij. Pastaj mësyj me sy. Kaq. Bëj me të gjitha paq. Nuk kam më fjalë. Bota është një vend i paqëndrueshëm, të pasurit dhe të pakaturit përcaktojnë racën njerëzore. Disa njerëz lindin në një botë të parë dhe disa në një të tretë, por shumë ende jetojnë në të njëjtën gërmadhë, vetëm me një emër tjetër. Por, varfëria është varfëri dhe pak duket se ndryshon me sy.

Perandoritë ngrihen dhe mbretëritë bien, ndërsa të varfërit dhe të uriturit mbeten. Të pasurit dhe të fuqishmit ndërtuan kështjella në male të larta, dhe vazhdojnë të ndërtojnë ndërtesa që arrijnë qiellin, me shpresën se nuk duhet të shohin atë që shtrihet në rrugët poshtë syve të tyre. Në të gjitha gjërat vdekja është i vetmi barazues, por edhe në këtë të fundit duket se ka pabarazi. Janë disa marifete të tjera, në varësi të cilës feje ju pranoni vdekjen si ikjen tuaj. Edhe atje duhen para… një mal me para për të paguar ikjen.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page