
Astrit Lulushi
Në demokraci me pak njerëz të mirë, të këqinjt janë shumicë. Të ikurve në vende të lira u është krijuar një ministrit, por nuk kanë të drejtë të votojnë. Ata kanë mbetur si dikur, ‘pa triskë fronti’; kufijtë ditën e zgjedhjeve qeveria i mbyll për emigrantët, të sëmurët me Covid nuk i lejon t’u afrohen qendrave të votimit. Vetëm ata që janë brenda territorit, si dhe të burgosurit votojnë. Prej zgjedhjeve të tilla dihet se çfarë qeverie del, dhe çfarë kuvendi.
I gjithë qëllimi i politikës sot është të mbajë të alarmuar popullsinë (dhe kështu me lavdi ta çojë atë në siguri) duke e frikësuar me një seri të pafund rreziqesh, të gjitha imagjinare. Propagandë. Kjo teknikë është përdorur nga sundimtarët. Kombi i njerëzve pa Guxim ka vetëm një fat, të presë, sepse nga qeveria vjen shpëtimi. Kështu do ajo që populli të mendojë. Covid-19, dhe vaksinat që dalin e i presin çdo ditë në aeroport. Thjesht, vazhdon e vazhdon e vazhdon, veçanërisht tani që vendi qeveriset pa program, por vetëm me mesazhe e pamje me drone në FB.
Dhe nëse nuk mund të presësh mjaftueshëm që ndonjë protestë të ndizet, bëje vetë, atëherë mund të thuash, 'hej, plasi dhuna - duhet të bëjmë diçka!' Dhe bën atë që doje të bëje duke përdorur justifikimin se nuk do të ndodhë kurrë më...por do të ndodhë kur të vendosësh të bllokosh aeroportin.
Flamuj alarmi të rremë - historia është e mbushur me ta. Njerëzit besuan në këto qeveri për 30 vjet. Por ishte besim i çimentuar nga diktatura e mëparëshme që i kishte bërë njerëzit ta quanin derrin dajë. Ata përshtaten me të gjithë alarmistët. Teoritë e konspiracionit mund të jenë argëtuese, sepse krijojnë një ndjenjë aventureske dhe mbase epërsie. Por të gjitha bien vetëm me pak analizë. Kurdoherë që ndjen dëshirën për t’u entuziazmuar kontrollo veten dhe mendo për gjërat e tjera të ngjashme që kanë ardhur dhe kanë ikur me kalimin e kohës, për të gjetur se asnjë nuk është më, të gjitha mungojnë. Njeriu, thotë një fjalë e urtë, gjithmonë ka dy arsye për atë që bën - një e mirë dhe një e vërtetë. Ka gjasa ndonjëherë që arsyeja e mirë dhe arsyeja e vërtetë të jenë e njëjta. Kjo mund të ketë ndodhur thjesht rastësisht, por jo mes politikanëve.
Comments