
Nga Fiqri Shahinllari
Para ca kohësh postova për miqtë e mi një shkrim me titull PANIKU. Në fakt teksti ishte i Hysen D, i një mikut tim, që jeton në Tiranë i cili siç më tha më vonë kishte qenë një krijim i tij humoristik. Por ja që ai krijim u shndërrua në realitet me kalimin e ditëve. Paniku nuk është gjë tjetër veçse frikë që përfshinë turmën. Dhe dihet: Turma në alarm e në panik përfshin çdo gjë që gjen përpara pa pyetur për ligje e rregulla. Të shpëtojmë kokën e familjen pa kush pyet për të tjerat-thotë gjithkush duke i rënë shkurt si sëpata e dardharit. Jemi ne karantinë edhe ne në Amerikë. Dëgjojmë turli teori e mendime. Nuk janë të pakta këshillat se si të mbrohemi nga corona virusi, nga ky armik tinëzar e të padukshëm. Në një këndvështrim tjetër, pandomia me emrin Covid 19 pati një ndikim, le të themi kështu. Sepse iu hodh ujë përflakjes politike, aq të bezdisshme për popullin. U ulën tonet akuzuese. "Burgu shtëpi" çmontoi maninë e atyre politikanëve, analistëve e opinionistëve në Shqipëri, të cilët në mungesë të mendimeve racionale e argumenteve bindëse vetëm ulërijnë.. Njerëzit interesohen dhe pyesin njëri-tjetrin siç kanë bërë denbabaden: Si je me shëndet? Si e ke familjen? Nuk pyesin as për pasuri e as për katandi. Gjë njerëzore. Mirëpo kam mendimin, që uroj të mos jetë i vërtetë, se ky ndikim nuk do të vazhdojë gjatë.. Pse? Sepse, në mos sot, nesër virusi do të gremiset e do thyejë qafën. Por ama, duam apo nuk duam, ekonomia kombëtare shqiptare dhe ajo botërore po dëmtohet rëndë si pasojë e Covid 19. Dhe politika do heqë vallen sipas muzikës, që do prodhojë ekonomia. Sepse dihet se politika është refleks i ekonomisë. Do fillojnë sherret, gërr-mërret, qofshin për pikëpamje politike, qofshin për inate e xhelozi personale, midis politikanëve. Sidomos në inatet personale, në qejf mbetje gjeni ballkanas i shqiptarit politikan e opinionist, apo gazetar, drejtues emisionesh do të kreshpërohet e do turfullojë edhe nga ndonjë fshikullim fare i lehtë.. Gjeni do të kërcejë hop pupthi përpjetë. Dhe hajde qetësoje tjetrin të kam rixha! Teoritë se nga e ka burimin Covid 19 janë të ndryshme. Një nga këto është edhe ajo që thotë se shkaktar qenka lakuriqi i natës. Dhe se arma vrastare e kësaj Corone virusi qenka drita e fortë e diellit. Edhe unë si të tjerë, mbase, mendoj që ca nga dëshira për t'u shëruar njerëzimi nga kjo flamë që ka pllakosur botën, e ca nga dëshira për të bërë bashkë dy a më shumë fakte, që i përshtaten dëshirës. Ta zëmë se burimi është lakuriqi i natës. Pra vepron natën dhe e ka zët e fshihet nga drita e diellit. Arma është drita e diellit dhe ngrohtësia e mjedisit. Lakuriqi është qorr dhe sëmur çdo njeri që gjen përpara, pa pyetur nëse është i ri apo i moshuar, nëse është femër apo mashkull. Dëgjoj lajmet që thonë sa të sëmurë e sa të vdekur ka në Shqipëri e në vende të tjera të botës. Në muajin mars 2020 ka pasur goxha të tillë. Sakaq më shkon mendja te sentenca popullore: "Shkurti shkurton udhët, marsi mbledh lëkurët" Kësaj sentence i shkon pas tjetra, që përdoret në rrethet e juglindjes së Shqipërisë: "Selanik e tatëpjetë, siç ka qene do të jetë!" Lexuesi është në të drejtën e vet t'i interpretojë si të dojë shprehjet e mësipërme. Në dacin le ta quajnë një gjë kalimtare, një remë, që do kalojë si gjithë remat e tjera. Dhe tani po përcjell përsëri për miqtë e mi shkrimin e dërguar nga Hysen D disa javë më parë. Ai pasi më dërgoi një koment për shkrimin tim GJYSHËRIT E KORRUPTUAR, si duket, i përfshirë nga psikoza kolektive bëri këtë shënimin e mëposhtëm që unë dua ta ndaj me miqtë e mi. Nuk di nëse është e vërtetë apo krijim i Hysen D, mikut tim por gjithsesi këtu tregohet açik se çdo të thotë fjala PANIK.. "Fiqri, unë vite me radhë kam pirë kafe tek Mon Cheri tek sheshi Willson. Dhe para një jave, pas një shëtitje shkova tek i njëjti klub për te pirë kafe por nuk gjeta vend se ishte plot me studentë. Po qëndroja në këmbë duke pritur se mos po lirohet ndonjë tavolinë?! Papritmas më flet një shok nga ana tjetër e trotuarit: - Hysen ka kohë që nuk të kam takuar, ku ke qenë?! Dhe unë duke u kollitur pak si gjatë, i them: ka 5 dite që jam kthyer, kam qenë në Kinë?! Sa përmenda Kinën, studentët ikën me vrap, lanë dhe kafen pa e pirë?! Njëra nga vajzat horroi çantën dhe mu drejtua ashtu siç po qëndroja i habitur: të lutem çantën mos e prek?! Dhe unë nuk e preka. Në këtë moment del nga banaku pronari i barit dhe më drejtohet i inatosur: Çfarë u the atyre që ikën me vrap? Dhe unë i tregova të vërtetën, duke i treguar atë çfarë i thash shokut që më foli. Baristi i inatosur më thotë: - disa prej tyre ikën pa paguar?! Dhe unë nxora lekët për te paguar kafet e tyre, duke porositur dhe një për vete. Por baristi i alarmuar më thotë: - Ata paskan pasur të drejtë,?! Paret tuaja të marr unë?! Ti dashke me më fut kolerën në banak, ik nuk kam kafe për ty!” Ky është mesazhi i mikut tim. Fiqri Shahinllari
Comentarios