Panajot Zozo: “ FAMILJA”
- 6 minutes ago
- 6 min read

Fragment nga romani im “Të fortët”, në fokus të të cilit janë lidhjet dhe interesat e përbashkëta të elementëve kriminal, politikës dhe sistemit të drejtësisë të kohës.
-Panajot Zozo-
Ishte një ditë e bukur pranvere me një diell rrezëllitës, që kishte pushtuar atë mëngjes maji natyrën e bukur të Bregdetit. I ngjante një velloje në ngjyrën e bardhë të zymbylit, përzier me një pigment vjollce. Salla e madhe e barit atë mëngjes ishte mbyllur për klientët e përditshëm. Personeli i shërbimit kishte përgatitur gjithçka duhej, që aktiviteti të kishte suksesin e kërkuar nga Endri. Të ftuarit nuk do të drekonin në atë sallë,por në restorant, ku , edhe atje, salla ishte bërë gati si për ditë feste. Në sallën e madhe të kafes ‘familja’ do merrte pjesë në një koktej,përgatitur në tavolinat e qendrës së lokalit ,ndërsa në ndenjëset e buta rreth e qark do të zhvilloheshin bisedat e zakonshme në një ceremoni të tillë.
Endri priti, në hyrje të resortit turistik me radhë të ftuarit, duke u uruar mirëseardhjen. I pari kishte mbërritur kryetari i PLESH-it,Lirimi me bashkëshorten, Minenë, edhe ajo një grua ambicioze për të bërë karrierë në politike. Pas tyre Hysen Mborja e Maksi Kamberi, edhe ata me bashkëshortet përkrahu, të ndjekur nga deputetët Halimi e Drini të partisë në pushtet dhe Ledio Mara i PLESH-it. Më herët kishin mbritur njerëzit e ‘grupit’: Pedri, Beso Cani, dhe avokat Arjani. Mungonin njerëzit e ‘aksionit’, siç i quante Endri:Ben ‘spiteni-n” dhe Lenci-n, si dhe miku italjan Benito Kalpa, i cili kishte marrë përsipër lirimin nga burgu të dy njerëzve të “aksionit”. “ Kamë folur për këtë me gjykatësin e lartë dhe me shokun Lirim”- i kishte thënë më herët ai ,Endrit.
Të pranishmit në atë sallë të madhe , ku dëgjohej në sfond një melodi ledhatuese që i ngjante flladit pranveror, e zbukuronin mjedisin edhe me veshjet e tyre të bukura plot kolorit. Dukej se ata vinin jo nga realiteti i kohës me probleme varfërie e pasigurie të përditshme, por nga një jetë mondane, e qetë dhe sureale. “Familja” festonte emërimin e Hysen Mborjes në postin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Ishte i pari në listën disa emërore që maxhoranca parlamentare e djathtë paraqiti në seancën parlamentare, si kandidatura për t’u votuar antarë të kësaj gjykate. Nuk ishte rastësi dhe as që i befasoi ky emër deputetët.Emrat qarkullonin koridoreve të politikës prej ditësh, madje vet Lirimi, kryetari i PLESH-it (Partia e Lëvizjes Europiane e Shqipërisë), që ishte futur në parlament me një grup të vogël deputetësh, kishte lobuar për këtë emër në strukturat vendimmarrëse të partisë në pushtet.
Endri ishte i pari që e uroi me fjalë të zgjedhura e plot patos në një mesazh të gjatë, dërguar ende pa u mbyllur seanca parlamentare. Hysen mborja, që e priste i qetë rezultatin e votimit i ulur në politronin ngjyrë alle të zyrës,lexonte mesazhin: “... Një ditë e madhe për ne erdhi,por sot është dita më speciale për ty, i dashur mik. Ështe një ditë shumë e rëndësishme e jetës tënde,por dhe e miqëve që të rrethojnë.Kaluan dhe do të kalojnë vite dhe ti do të mbetesh personi më i dashur në jetën time, andaj le të festojmë së bashku.....” E lexoi deri në fund mesazhin e Endrit dhe iu duk sikur e gudulisnin nën sqetull. Qeshte me vete duke përsëritur shprehjet: “...gëzo dhe ndjehu i lumtur..”, “..ti je arsyeja e buzëqeshjes time..” etj. Pastaj i telefonoi Endrit dhe e falenderoi. Biseduan gjatë dhe u dakordësuan për ta festuar këtë ngjarje bashkërisht.
Dhe ishin mbledhur si një familje. I pari në atë ceremoni e mori fjalën Endri,që uroi të ftuarit dhe përshëndeti me një fjalë të zjarrtë, me gotën plot uiski në dorë,zgjedhjen e Hysen Mborjes në institucionin më të lartë të gjyqësorit shqiptar. Tha se ishte i lumturuar nga ajo që kishte ndodhur e që i kishte bërë bashkë në “shtëpinë” e tij.Pastaj me gotën drejtuar nga turma e festuesve vijoi “ Më lejoni t’i urojë zotit Mborja, edhe në emrin tuaj, suksese dhe fat. Gëzuar! Të pranishmit nuk ia kursyen gjyqtarit lëvdatat. E uruan me kërcitje gotash dhe me fjalë që në shumicën e tyre u ngjanin pëshpëritjeve në një ceremoni kishtare.
Gratë u veçuan dhe dolën në verandë nga ku dukej ishulli përballë dhe deti i blujtë me ujin e kristaltë, që i ngjante një oazi të qetë ushqyer me reze dielli. Ajo pranverë kishte ardhë e vontë, por të pasionuarit e plazhit nuk mund ta humbisnin rastin për t’u kredhur në det,edhe pse uji ishte ende i freskët . Burrat, të ndarë në grupe çapitnin lehtas nëpër sallë dhe si në gjendje idilike flisnin për një miqësi e dashuri mes tyre, të pastër e të sinqertë. Përplasnin hera-herës pëllëmbët e duarve dhe qeshnin me zë. Lirimi u zhvendos për një çast në krahun verior dhe iu drejtua banakut.Hapi një portë dhe u çapit në një koridor të ngushtë që të shpinte në tualet. Hyri brenda dhe u përball me pasqyrën e madhe në faqen e murit. Iu afrua pasqyrës dhe pa në të shëmëlltyrën e vet. Shkoi dorën mbi flokët e dejtë , të ashpër, të ngjashëm me një kresht kali dhe hapi gojën duke rotulluar nofullat e forta si të një kafshe mishngrënëse. Qëndroi ca çaste pa lëvizur duke parë shëmbëlltyrën përball. Iu kujtua thënia e Dekartit, filozofit të jetës njerëzore, i cili, në një pozicion të njëjtë para pasqyrës,kishte thirrur i habitur: “Paska dhe një tjetër Dekart?!”. Kryetari i partisë së re PLESH, pëshpëriti fjalët e filozofit: “Jetojmë sepse mendojmë”, si një cilësor që i përkiste atij, “politikanit të së arthmes”.
Endri, në një skaj të sallës me pamje nga deti, bisedonte me Hysen Mborjen për gjyqet që kishte bërë në dy shkallët e gjyqësorit, për pronësinë e objektit në Sarandë. “Tani mbetet vetëm shpresa te gjykata e lartë dhe ju...” .Mborja, që e kuptoi domethënien e fjalës ‘shpresë’ nuk e la Endrin të lodhej me gjëra koti, siç tha. “Mos u shqetëso.Çdo çproblem e ka një zgjidhje. Do merrem vetë me avukat ndreun”. Pastaj iu drejtua Lirimit që ecte serbes aty pranë.
-Po ku humbët kështu? Mbeta duke rrotulluar kokën nëpër sallë.
-Pagova faturat e ujit,- ia ktheu Lirimi dhe ia shkrepi të qeshurës si një bubullimë në qiell të pastër.
Pastaj nisën bisedat për çështje që ata i quanin të rëndësishme për vendin. Për qeverisjen dhe opozitën. Lirimi kundërshtonte mendimin e gjyqtarit lidhur me marëdhëniet pozitë- opozitë dhe që e cilësonte opozitën “një pakicë e zhurmshme”. “Nuk është tamam kështu-thoshte si me mëdyshje. Jo gjithnjë pozita në pushtet ka të drejtën e zotërimit të së vërtetës”. Ndërhyri në bisedë edhe Endri që mendonte si miku i tij, Mborja dhe përmendi deklaratën e ditëve më parë të opozitës për korrupsionin dhe pastrimin e parave,krimin, etj. Lirimi heshti dhe me një lëvizje të dorës dha të kuptohej se nuk kishte dëshirë të fliste për politikë...
-Ti lëm këto gjepura , le të flasim më mirë për Sulltan Novruzin dhe ditën e hashures, a nuk është festa këtë javë?- tha për ta nxjerrë bisedën nga shinat e politikës. Togfjalëshi “pastrim parash” e drithëronte, nga që i kujtonte lidhjen me italjanin Benito Kalpa.
- Beson në fe?- e pyeti Endri.
-Gjithkush ka një raport të veçantë me besimin.Unë.. dihet jam betakshi...-tha dhe qeshi nën buzë.
Hsen Mborja , me një mjekër të zezë e të gjatë, që më shumë se një zyrtari të drejtësisë i ngjante një imami, me një cinizëm e sarkazëm therrëse ,pyeti Lirimin në se e falenderonte Zotin që ia kishte hapur rrugët e suksesit, duke i dhënë qetësinë shpirtërore dhe vullnetin për të ecur përpara. Lirimi nuk iu përgjigj.Kërkoi leje dhe u nis drejt qendrës së sallës ku e priste Beso Cani. Donte të bisedonte veçmas me të. U ulën në një prej kolltukëve anësor të lokalit dhe Lirimi, në padurim, e pyeti për situatën e punimeve në objekt. Bëhej fjalë për hotelin e madh në Bregdetin e Himarës,në afërsi të objektit të vjetër.
- Me ndërhyrjen tuaj rrugët na janë hapur dhe kemi gjetur dakortësinë me ministrin për ta shtyrë detin disa metra ,nga ku do të përfitojmë një sipërfaqe toke rrethuar nga ujët. Pastaj...
Lirimi e dëgjonte me vëmendje duke tundur kokën. I shtërngoi dorën Beso Canit, u përqafuan dhe , si të kishin mbaruar një pazar me përfitime të mëdha, buzagaz iu bashkuan grupit.
Zana, që e ndiqte këtë ceremoni si një çfaqie butaforike dhe njerëzit në atë sallë i shikonte si ‘tirada e të fortëve” dhe aktorë që luanin me përtallje rolin në postet që mbanin, me një padëshirë të dukshme në pamjen e fytyrës që i mbeti e paçelur përgjatë gjithë kohës, e mori fjalën duke iu drejtuar të pranmishmëve me shprehjen “të dashur miq”. E nisi kështu fjalën e shkurtër të mbylljes së ceremonisë, sa për kortezi, sepse për të as Endri (bashkëshorti) nuk e meritonte këtë nderim. “Në emër të familjes pritëse - vijoi,- ju falenderoj për këto orë të këndëshme që kaluam. Mund të vazhdoni ta shijoni shoqërinë e njeri- tjetrit,por unë mendoj se e konsumuam kohën e koktejit. Le të bëjmë tani një shëtitje në pistën buzë detit, para se të ngjitemi lart në sallën e ngrënies”... U dëgjuan zëra miratues dhe salla shpërtheu nga duartrokitjet. Dreka ishte një tjetër hapsirë kohe ku orekset do të çelnin të tjera marveshje interesash.








Comments