top of page

Fatmir Terziu: Pas 365 ditësh...

  • 2 hours ago
  • 3 min read

Vizitë Atdhéut. Vizitë? Po për pak ditë…

 

Vizitë Atdhéut. Vizitë? Po për pak ditë. Një vizitë që më yshti të „buzëqesh“, ndonëse buzëqeshja ime kishte më shumë ironi sesa gëzim. Shkova për të parë atë që mungesa e gjatë e kishte mbajtur gjallë në kujtesë: rrugët, njerëzit, zërat, aromat, fytyrat dhe atë ndjesinë e vjetër se atdheu, edhe kur të lodh, përsëri të thërret. Por sapo hapa sytë mbi peizazhin e tij të ri, m’u duk sikur po shihja një skenografi të madhe ku njeriu kishte mbetur diku pas. Një Atdhe i mbuluar me shenja, tabela, reklama, kabllo, letra, urdhëra e ndalesa. Një Atdhe që të pret, por të pret duke të treguar se ku duhet të qëndrosh, nga duhet të kalosh dhe çfarë duhet të bësh.

Vizitë nën sinfoni teneqesh. Mijëra metra katrorë teneqe. Mijëra metra katrorë letra. Mijëra metra katrorë urdhëra. Urdhëra nga lart, urdhëra nga poshtë. Teneqja mbi teneqe, letra mbi letër, fjala mbi fjalë. Një qytet që duket sikur ka harruar se edhe bukuria ka nevojë për hapësirë për të marrë frymë. Dhe mes gjithë kësaj, njeriu bëhet i vogël, aq i vogël sa duhet të kërkojë një cep ku të vendosë buzëqeshjen e vet. Më dukej sikur çdo tabelë më thoshte diçka, çdo shkresë më kërkonte diçka, çdo pengesë kishte një rregull pas vetes dhe çdo rregull kishte një tjetër rregull që e shpjegonte. Në këtë teneqeramë të madhe, vizita ime nuk ishte më një kthim, por një provë durimi.

E vizita thjesht një gozhdë. Një gozhdë mes teneqeramës që të bën shoshë. Një gozhdë që nuk e di nëse mban diçka apo vetëm të kujton se aty ka qenë dikur një mur. Dhe unë, një vit më parë, e lashë këtë mendim si një buzëqeshje bosh, ndoshta sepse nuk doja ta ktheja zhgënjimin në revoltë. Sot, pas një viti, pyetja më vjen vetvetiu: a ka ndryshuar? Apo kemi ndryshuar ne, duke u mësuar me atë që dikur na dukej e pamundur? Sepse ndonjëherë ndryshimi nuk është se teneqet zhduken, por se syri mësohet me to. Letra shtohet, urdhri shtohet, zhurma shtohet, ndërsa njeriu mëson të kalojë mes tyre pa pyetur më pse. Dhe ndoshta kjo është forma më e heshtur e dorëzimit: kur ajo që të shqetësonte dje, sot të duket normale.

Gjithsesi, i dashur lexuesi im, i shtrenjti adhuruesi im, po të përcjell edhe sot disa vargje nga ajo vizitë, duke shpresuar që ti t’i shijosh, jo thjesht të më mirëkuptosh. Sepse vargjet ndonjëherë janë më të drejta se fjalimet, më të guximshme se deklaratat dhe më të sinqerta se buzëqeshjet që na kërkohen. Atdheu nuk është vetëm vendi ku kthehesh; është edhe pasqyra ku sheh se çfarë kemi bërë me të dhe çfarë ka bërë ai me ne. Një vit më parë e quajta vizitën një buzëqeshje bosh. Sot nuk jam i sigurt nëse ajo buzëqeshje ishte bosh, apo nëse brenda saj kishte një pyetje që ende nuk ka marrë përgjigje: kur do të vijë dita që të vizitojmë Atdheun jo si kalimtarë, por si njerëz që ndihen vërtet në shtëpinë e tyre?

 

BUZËQESHJA NË TENEQERAMË

Nga Fatmir Terziu

 

Po ia hoqe një kopsë rrobes së saj tradicionale

edhe po s'pate një sy në të thjesht për kurreshtje

të mbeti në dorë si një copë e grisur banale

me sqimën e tendosur gjithë urrejtje

dhe grahmën e zhurmshme të teneqeve lokale.

 

Po ta vëzhgosh,

sepse edhe mund të mos e dallosh si të tillë

mund ta diktosh përshembull si një lëvozhgë,

pas ndonjë targe të ndonjë makine të fryrë,

nga trupi i hollë që e mban mbi gozhdë,

Tjetrin, atë zyrtarin e ndyrë.

 

Buzëqeshja nuk është thjesht një pengmarrje

mbi buzë të huazuara nga revistat e modës

as ndonjë kërkim për të ndryshuar fate,

kalkuluese, zhbiruese e qoshkave të Botës,

edhe kur dy trupfrymorë i bën bashkë

thjesht në teneqeramë u ngjan fluskave të gotës

që enden lajthitjeve si ethet e arit në Alaskë.

 

AGRESIONI XEHEROR

 

Ku i pikon çatia një shtëpie që s'njeh shi

për t'i parë trarët ku janë kalbur

kur natyrshëm aty s'ka as dhe një sy

thjesht, pra, fare thjesht gjerbën për ta pikasur?

 

Me çdo ngjashmëri duhet të jetë ndonjë atavizëm

ndoshta dhe ndonjë gabim erotik njerëzor

pikat e rrejshme po pshurren me fanatizëm

nga këmbë merimangash mbi agresionin xeheror.

 

VELENCA E PADUKSHME

 

Ku buron zhurmëria njerëzore për të gllabëruar

për të mos ia ndalur oreksin tjetrit

gjithçka duhet ndërtuar, gjithçka duhet shkatërruar

për ta kuptuar „pordhën“ e më të vjetrit,

(sa shumë kemi trashëguar?!)

 

Me siguri është ndonjë farë nga mbetjet e Edenit

(velencat e padukshme që mbetën në histori)

kur dikush ende i bie me lugë legenit

të gjitha velencat na i shet sikur të ishte Perëndi

që kërkon të mbuloj mëkatin që i bëhet vendit.

______________________

Vazhdojnë…

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page