SHPENDI TOPOLLAJ: PARA SE TË MBROJË KRIMINELIN…
- 49 minutes ago
- 4 min read

PARA SE TË MBROJË KRIMINELIN RATKO MLLADIÇ, VUÇIÇI DUHET
“TË SHKOJË NË KANOSË”
Opinion
Në vitin 1077, perandori i Gjermanisë Henriku i IV - të, pasi nuk ia doli dot të fitonte të drejtën për të emëruar ai peshkopët (e ashtuquajtura investitura), mori rrugën për të shkuar në Italinë e Veriut, ku në kështjellën e Kanosës, qëndronte Papa Gregori i VII - të, të cilit, ai i zbathur dhe kokëjashtë, për tri ditë me radhë iu lut me përulësi që ta falte për sakrilegjin që kishte bërë. Qysh atëherë, doli shprehja e famshme “Të shkosh në Kanosë” që përdoret kur dorëzohesh dhe mohon parimet e tua apo pendohesh për atë që ke bërë. E patën burrërinë ta bëjnë këtë edhe politikanët gjermanë që pasuan, kur kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe krimet e mizoritë e Hitlerit ishin dënuar ndërkombëtarisht. M`u kujtua kjo, pasi gjithmonë kam menduar se të njëjtën gjë, duhej të bënin edhe udhëheqësit e Serbisë, me në krye Aleksandar Vuçiçin, për tmerret që serbët e pa shpirt të kohës së Millosheviçit bënë në Ballkan e kryesisht në Bosnje dhe Dardani. Mirëpo ata me një kokëfortësi dhe karshillëk të pa skrupullt, jo vetëm që nuk e ndijenë peshën e fajit, por edhe sikur mburren me atë të kaluar të turpshme e për më tepër, vijojnë të krekosen dhe të kërcënojnë hapur duke pretenduar rivendikime. Ky veprim sfidant, i cili sikur gjallërohet edhe nga politikat zbutëse e shpesh të çuditshme të perëndimorëve, është konstatuar në shumë e shumë raste, sikurse po ngjet edhe këto ditë me qëndrimin pas vdekjes në moshën 84 vjeçare të kriminelit me damkë, ish gjeneralit famëkeq i Republikës Srpska në Bosnje - Herzekovinë, Ratko Mlladiç, mizoritë e të cilit, tani njihen nga kushdo. Ballkani ndër shekuj, ka parë dhe përjetuar shumë. Do sjell si shembull vetëm atë që ka thënë monarku bullgar Isai Svjatagorec lidhur me pushtimet turke: “Disa masakroheshin, të tjerët ktheheshin në skllevër, ndërsa me ata që qëndronin në atdheun e tyre, bënte kërdinë vdekja nga uria. U shkretua toka, njerëzit ishin privuar nga çdo pasuri, vriteshin të pafajshmit, grabiteshin bagëtia, zhdukeshin njerëzit. Në të vërtetë, atëherë të gjallët i kishin zili, ata që kishin vdekur qyshkur”. A nuk bëri të njëjtën gjë, ndofta akoma më keq, edhe Mlladiçi në luftimet e përgjakshme gjatë rrethimit prej 1.425 ditësh të Sarajevës, si pasojë e prishjes së Jugosllavisë, ku përdori të gjithë fuqinë e zjarrit të armëve, deri edhe artilerinë që kish në vartësi, me egërsinë më të madhe, edhe pse në atë qytet kishte kryer shkollën fillore dhe kishte punuar në ndërmarrjen “Tito” si metalgdhendës? Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mbi të rëndonte edhe urdhërimi për vrasjen e 8.372 burrave të pushkatuar në Srebrenicë, pa folur për shumë të tjerë që ende nuk u është gjetur varri. I akuzuar nga Gjykata Nërkombëtare, i fshehur për dhjetë vjet, për t`iu shmangur drejtësisë, dhe me emërin e ndryshuar në Milorad Komodiç, ai u arrestua në Lazarevo në 26 maj 2011 dhe përfundoi në Hagë, ku iu nënshtrua gjykimit për mbi tre vjet, gjersa në vitin 2017 u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë. Pas vërtetimit të krimeve, në plot dhjetë akuza, midis të cilave; për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte, dhe përgjegjësi kryesor i përdhunimeve, torturave dhe dëbimeve, u quajt, ose më mirë, u damkos, si “Kasapi i Bosnjes”. Ndërkohë që vajza e tij Ana kishte vrarë veten me pistoletën e tij, mesa duket ngaqë nuk duroi opinionin e krijuar për krimet e babait të saj, djali Darko, vijonte të kërkonte për “humanizëm”, lirimin e tij, pasi kishte probleme shëndetësore. Ai, kuptohet që as e shkonte ndërmend, se ishte pikërisht i ati i cili nuk kishte pikën e humanizmit, duke urdhëruar pa asnjë vrasje ndërgjegjeje, eliminimin e mijra dhe mijra djemve dhe burrave krejtësiht të pafajshëm, që gëzonin shëndet mjaft të mirë. Dikush mund të thotë se ai ishte djali i tij dhe i takonte të përpiqej për babanë, por e keqja është se pasi Ratko Mlladiçi vdiq (edhe pse duhet thënë: ngordhi), nisën manifestimet në Zvornik dhe Bijeljinë, qytetet me shumicë serbe, për ta shpallur atë Hero. Dhe kjo nuk mbeti këtu, por vazhdoi në Serbi, dhe më keq akoma, edhe në udhëheqjen e atij vendi, ku ka nisur diskutimi se si do të gjendet mundësia për ta sjellë në atdhe trupin e tij dhe për t`i bërë të gjitha nderimet, që sipas tyre i takojnë. Është për t`u habitur, se ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB - së e ka shpallur 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë të vitit 1995”, Milorad Dodiku, president i Republiës Sërpska, organizon me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, miku i diktatorit Putin, Porfirije, një ceremoni përkujtimore për viktimat serbe, pa zënë në gojë as Srebrenicën dhe as vendimin e Tribunalit të Hagës për gjenocidin më të madh, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Por belaja më e madhe dhe krejt diskredituese është djallëzia e Aleksandar Vuçiçit i cili trullos mendjet e serbëve me gjoja qytetarinë që duhet treguar, duke nderuar e respektuar një njeri si Ratko Mlladiçi. Ai njëkohësisht, duket se nuk merakoset që BE - ja nuk mund të pajtohet me deklarata e veprime të tilla, sidomos me vende që aspirojnë të përfshihen në të. Prandaj atij i duhet kujtuar diçka nga mitologjia se teksa komentonte urdhërin që mori Oresti nga hyu Apollon për t`u hakmarrë për vrasjen e babait, historiani Janis Benekos shkruan: “Larja e krimit ishte një ligj i patundur për grekët e lashtë. Nëse të liqtë mbeteshin pa u ndëshkuar, atëherë e keqja do të shumohej dhe shoqëria do të shkatërrohej”. Kush mbron kriminelët, është kryekriminel! Mbetet akoma aktuale thënia proverbiale e Ovidit, para dymijë vjetëve, se “Një e keqe bëhet ende më e keqe po të mbrohet”! Në Kanosë, duhet të kenë mbetur ca gërmadha!








Comments