Panajot Zoto: PËRTEJ BOTËS MATERIALE
- Jun 6
- 4 min read

Shënime kritike për krijimtarinë e Marjeta Rrapaj, në librin “Regëtima pulëbardhash”
Nga Panajot Zoto-
Marjeta Shatro Rrapaj punon prej vitesh si mësuese e gjuhës shqipe në shkollën 9 vjeçare “Adem Sheme”, Sarandë. Ka një krijimtari të pasur në poezi dhe prozë, e përfshirë kjo në disa libra në më pak se 15 vite krijimtari. Libri “Regëtima pulëbardhash”, të cilit i kushtoj këto shënime, është një tregues i qartë i përfaqësimit denjësisht të kësaj autoreje në “shtëpinë” e krijuesve sarandit dhe më gjerë. Në prozën e saj ndeshet misticizmi i karaktereve,thellësia e mendimit dhe mesazhet jetësore që përcjell te lexuesi.
“Regëtima pulëbardhash” nuk është një libër vetëm me TREGIME, sikundër shënohet në kopertinë, poshtë titullit. Është diçka mikst, një libër ku gjejmë, nga njëra anë, llojshmërinë e teksteve letrare dhe, në anën tjetër, llojshmëri të gjinisë së prozës,ku spikat tregimi i shkurtër, skica letrare dhe eseja.
I gjithë spektri i krijimtarisë përbën një mozaik të tekstit rrëfyes në të tre dimensionet e tij: letrar, joletrar dhe të kombinuar... Disa tekste (ato janë në pakicë) si: ZHGËNJIMI,KEQARDHJA, PLAKU I AZILIT, MËSUESJA E RE, deri dhe novela e vetme me titull: NËN DRITËN E HËNËS, bazohen te fakti dhe përgjithësisht kanë një funksion faktik , dhe unë i klasifikoj në tekste rëfyes të kombinuar (letrar dhe joletrar).Janë kryesisht tregime me përvojë personale,ku spikat stili i thjeshtë, që të mban pezull e të zhyt në kurthe befasues dhe e mbajnë lexuesin të mbërthyer pas faqeve të tij.
Edhe në këto tekste autorja ka përdorur mjeshtërisht përshkrimin, aty këtu me paragrafe meditues dhe argumentues. Le të marrim si shembull tekstin KEQARDHJA, ku autorja , si e thotë edhe vetë, shpreh keqardhjen për “rininë e plakur”, që e vret kohën duke lozur me telefonat në dorë. Është një detaj social ,një vëzhgim i realitetit të përditshëm në se mund ta themi kështu,pra një fakt.Megjithatë nuk mungon përshkrimi i lokalit ku ndodhen të rinjtë, si :” Hodhi vështrimin përreth dhe vuri re që salla ishte plot me të rinj, I gjithë ai mjedis lundronte nën smogun e duhanit”.
Vlera e një libri nuk përcaktohet dhe as konsiderohet nga madhësia fizike dhe numuri i faqeve por nga cilësia ,nga kënaqësia estetike që përfton lexuesi pas leximit të tekstit letrar. I vogël,i vogël (në numur faqesh) , libri për të cilin po flasim, por me peshë të rëndë, do thoshja, sepse në të gjen këtë kënaqësi ,thuajse në shumicën e teksteve, ku stili konçiz, gjuha e pasur, e zhdërvjelltë dhe plot figuracion, struktura e përgjithshme e thjeshtë e çdo njërit prej tyre, të nxit dëshirën për lexim dhe të zhyt në botën e shprtit njerëzor.Këto tekste bazohen te trillimi dhe luajnë pikërisht funksionin estetik dhe artistik që ka një tekst rrëfyes letrar. Në të gjitha tekstet e këtij libri: tregime, ese, skica letrare (nuk po i përmend si tituj) autorja ka ditur e mundur të krijoj një imazh të besueshëm mendor për çka dashur të thotë dhe këtë e bën përmes shpiegimit e përshkrimit të hollësishëm të personazhit, objekteve dhe vendëndodhjes së tyre, situatave që zhvillohen, etj.
Në një numur të konsiderueshëm të teksteve letrare të këtij libri dallojmë anën eveçantë të stilit të autores e cila përpiqet, dhe shumë herë ia ka aritur, t’i trajtojë artistikisht pyetje të tilla të mëdha mbi qënien njerëzore që lidhen me jetën, vdekjen , shpirtin, kohën, pafundësinë dhe marëdhëniet e njeriut me universin apo me hyjnitë. Në tekstet: NË KËRKIM TË VETES, AI ËSHTË LYPËSI I VOGËL I QTETIT TONË, AJO, PORTRETI, GJATËSI MENDIMESH, etj. autorja nuk kufizohet vetm te përshkrimi i realitetit të dukshëm , ajo përpiqet të depërtojë në kuptimet e fshehta dhe filozofike të ekzistencës, çka e realizon përmes meditimit, simbolikës,pyetjeve ekzistenciale etj.
“Shpirti i njeriut ka një aftësi të çuditshme që të arsyetojë në çaste kulmore, Dëshpërimi i thellë në agoninë e monologut të zi për vdekjen diskuton të gjitha tezat e mundshme. Logjika përzihet me përpëlitjen dhe pluskon në stuhinë e përzishme të mendjes”- totë autorja në skicën “Në kërkim të vetes”, Ose :“Pasoi një heshtje, ku dy vështrimet mbeteshin të fiksuar tek ajo imagjinatë që sillte të tjera imazhe..”- te “Gjatësi mendimesh”,ku edhe titulli është një metaforë e bukur. Dhe më tej te teksti (tregimi) ‘AJO’ që trajton temën e emancipimit, shprehet mendimi filozofik: “Ajo ëndëronte dhe të tjerët e shihnin si vullkan të fjetur, me krater të hapur, në çdo moment për të shpërthyer e djegur metastazën kohë....”
Ajo që desha, veçanërisht, të theksoja lidhet me faktin se në përgjithësi krijimtaria e Marjetës ka një karakter metafizik ku shpesh krijimi modernist mplekset me atë filozofik. Në tekstet e saj, qofshin tregime ,ese, skica... nuk gjen emra konkret si personazhe. Ata janë imagjinar. Autorja përdor përemrat: ‘Ajo’, ‘Ai’, etj. të cilët jemi ne,kushdo prej nesh si qënie sociale, që do të thotë se lexuesi në brendësi të narativës gjen veten, përqas përvojën sociale me ato që sjell autorja në tekstet e saj. Kur përmenda togfjalshin “ karakterin metafizik në prozën e Marjetës”, kisha parasysh faktin që ajo nuk mbetet në përshkrimin fizik të personazhit apo objektit. Ajo përpiqet të kuptojë, të depërtojë dhe të shpreh atë që shikon përtej botës materiale,përvojës së zakonshme njerëzore dhe anës fizike të personazhit. E thënë ndryshe: futet në botën e brendshme njerëzore dhe e shikon shpirtin si forcë, energji për mbijetesë apo lëvizje. Emra personazhesh mungojnë,po ata janë aty. Autorja është brenda tyre, është me ta, flet me gjuhën e tyre. kalon nga një gjendje emocionale në një tjetër. Në çdo faqe të librit përballesh me aftësinë krijuese, ku spunto merret nga detaje të vogla, që gëlojnë në jetën tonë të përditshme, por që vetëm një sy i mprehtël dhe vesh i vëmendshëm prej artisti mund t’i kap e t’i ngrejë në artin e të shkruarit. Kjo është forca e mendimit dhe e krijimit që karakterizon Marjetën.
Në pamundësi për t’u ndalur në çdo tregim e tekst tjetër që përmban libri,kjo edhe metodikisht e justifikuar, shkurt them se në pyllin e dendur të detajeve,në bukurinë e përshkrimeve të situatave dhe ngjarjeve, në shumëngjyrshmërinë e figurave letrare ku mbizotëron metafora, lexuesi zbulon anë të veçanta të botës njerëzore, përjetime të autores me karakter përgjithësues etj. Libri ngjan me një fushë të mbjellë me grurë, ku : aty këtu, mes grurit që verdhon, dallon ndonjë lulekuqe. Kjo pamje: me kallinj gjyrë ari kokëvarur nga pesha, dhe lulëkuqet që gjenden aty jo rastësisht, është jo zhgënjyese. Po përdor këtë metaforë për të dal te fakti se libri,brenda cilësisë të padiskutueshme ,ka edhe tekste që çalojnë, e megjithatë nuk janë ferra që hidhen poshtë,sido që të jetë janë lulëkuqe ,të pranueshme gjithsesi.








Comments