top of page

Panajot Zoto: Mëngjesi  ishte  ende  larg

  • Jan 26
  • 3 min read

-Fragment nga romani  im “ LIANA “,  që është në proces botimi-  


Toka  ishte  lagur nga shiu i butë i atij mëngjesi dhe retë në ngjyrën gri të qiellit të Athinës nisën përtueshëm udhëtimin drejt veriut, të hutuara, si të kishin larë mëkatet. Liana zbriti nga taksia kujdesshëm e me një hap të matur, të lehtë, sikur të  ecte mbi pupla,  kaloi  rrugën veshur në  të dya anët me një lulëri të pafund  ngjyrash dhe hyri në “qytetin” e madh të përtej –jetës. Eci nëpër korridoret e ngushta të parcelave me varret e mermerta, jo me atë solemnitetin e zakonshëm dhe hijeshinë që i jepte trupi i saj në përditshmërinë e lëvizjeve, por lehtazi, që të mos zgjonte nga gjumi banorët e nëntokës. Ecte si një hije e zezë, veshhapur për të ndier dhimbjet dhe dëgjuar “Oh”-et e tyre.  Ia  thoshte  zëri i brendshmëm i mallit të pashuar  se atje, poshtë atyre mijëra mermerëve, ku sundinte një ftohtësi heshtëse që të fuste në botën e mosfolësve, do të shfaqej si një hije farfuritëse imazhi i zonjës.

   Varri, me mermerin në ngjyrën e trëndafilave të kopshtit të saj, ishte në parcelën e dytë, pak në pjerrësi, me pamje nga lindja. E kishte mbushur vitin që prehej poshtë atij mermeri. Sot ishte dita e saj. Liana, me tufën e trëndafilave në dorë, përshkoi rruginën e parcelës së parë dhe ngjiti shkallëzat që e çonin atje, në banesën e re të botës qiellore ku kishte fluturuar dhe prehej shpirti i saj. Afroi buzët mbi fotografinë me kornizë ngjyrë ari, përbashkoi ato, me sytë poshtë xhamit dhe psherëtiu. Iu duk se dikush foli. Dëgjoi t’i thoshin:”Bëre mirë që erdhe”. Ishte zëri i  zonjës Pirhiani. I fliste sa herë Liana  vinte pranë saj, e heshtur, e përkulej  pastaj mbi atë pllakë mermeri dhe mbërthente vështrimin në atë fotografi,që vetë e kishte përzgjedhur nga qindra foto të albumit, për t’ia vënë aty, në shtëpinë e jetës së përtejme. Vështrimi iu lëngëzua dhe lotët i rrodhën mbi xhelentinën e syve, si të ishin pika shiu që zbrisninqë lart nga qielli gri i asaj dite.

  “Erdha dhe do të vij përherë. Do të të sjell  trëndafila nga kopshti ynë që të ndiesh, bashkë me aromën, edhe rrahjet e zemrës time;të shikosh ylberin e ngjyrave të dashurisë brenda meje, sepse ke qënë e veçantë për mua.Ishe një frymëzim”.-fliste heshturazi Liana me kokëm mbështetur mbi mermer. Fjalët i buronin nga thellësitë e qenies. Ishin fjalë malli, fjalë shpirti. U mblodh brenda  vetes nga tundimet e frikës, e la tufën e trëndafilave mbi kryqin e argjendtë dhe u largua.

  Sa herë shkonte në varreza e pushtonte melankolia. Trishtimi, si njëlloj shtupe, ia mpakte frymëmarjen. Ndihej keq. Sytë nuk ia qasnin gjumin dhe ajo kalonte natën duke qëndruar në ballkon ose duke shfletuar librat që gjendeshin në çdo dhomë të vilës.

Atë mbrëmje u përpoq të flinte por makthet, që i shfaqeshin sa herë shkelte në sinoret e tejbotës dhe ia rrëmbenin qetësinë, e lanë aty në ballkon, syzgjuar, në humbësitë e thellësive të kujtimeve. “Si kurrë mos  qoftë ajo ditë”- foli së brendshmi. Vdekja e zonjës ishte për të më e dhimbshme se çdo vdekje tjetër. Kur ajo ballëdigjej në ethe dhe fliste belbët emrin e saj, Liana i shkonte afër, ia lagte buzët me ujë të ftohtë trëndafili, e pushtonte përmallshëm dhe ia puthte faqet e eshkëzuara. Ajo nuk zëzonte dot,por fliste me sytë e përlotur...

...Larg,në qytetin e vogël të  lindjes, në Shqipëri, nënë Halimeja mblidhej e vetme mbrëmjeve dhe Liana nuk haronte t’i telefononte dhe të bisedonte me të. Ishte me dy nëna, tani kishte mbetur vetëm ajo, Halimeja, e vërteta nënë, që ishte atje larg si një pikë kujtese dhe malli për vendlindjen.

   Me këto kujtime, si imazhe të një kohe të shkuar, ajo ecte shaluar mbi kurizin e hënës dhe  numëronte yjet në qiellin e shndritshëm të asaj nate. Kishte folur shumë me  veten dhe me  heshtjen mbi varrin e zonjës. Ishte lodhur.Ndjeu sëmbim në tëmtha. Me kë të  fliste? Me natën e pagojë dhe të pasy, që veç shtynte  me pavetëdije në hapsirën e  pamatshme një ajër të lagësht?.

U fut brenda. Mëngjesi ishte ende larg.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page