Tre lirika
NGA PANAJOT BOLI
NË OBORRIN TEND
-Në dritarën tende,borzilok do bëhem
Për hatrin tend, i pamartuar ngelem-
-Motiv popullor-
Ngeli strehë shpirti, ky oborr për ty
Princeshë e trishtë, në këtë mbreteri
Përmbi flokë lulet,të ftojnë për valle
Sytë e tu mallojnë,këmbët bëjnë naze
Vijnë të përkedhelin, të emblat fllade
Trendafil i verdhe,mike të thotë, hajde
Ndez edhe dritat, kjo e brishta vesë
Në tabaka aromat, të sjell ky mengjes
Po të thyhet shtamba, lulet kur i vadit
Hap sytë limoni,edhe pjeshkën po çudit
Në stolin e bardhë, me shikimin tretur
Me një trendafil të kuq, në buzët e etur
Gjithë oborri lulnajë, ti mike kë pret?
Mos vallë të vjen nesër,agu ta sjell vet?
Gjithë oborri lulnajë, seç u bë merak
Ah,të isha trendafil, të më nuhasje pak
Gjithë oborri lulnajë, seç u bë merak
Ah,të isha trendafil, të më mirrje hak
KJO LULE ...
M’u dhimbsen lulet e sherbelit të fshatit tim
U iku bluja dhe ngjyrën e diellit kanë marrë
U ngeli shpirti i tejmbushur me aromën plot
Bukuria dhe shpresa u shkrinë e u bënë farë.
Kjo lulja ime e dashur fle me endrra përherë
Si dashuri e malluar që zgjohet në pranverë
Një fije e bardhë u ul e ndrojtur në flokët e tu
E ëmbëlsia e syve u mpiks si mjalti në korrik
Dashuria u poq si lulja e sherbelit, aromëplot
E puthja në buzë me e etur,me zjarr nostalgjik
Këto sytë si lulja ime flenë me endrra përherë
Si dashuri e malluar që më zgjohet në pranverë
TI MË VIJE NË MENGJES
Në mengjeset dritëlarë të Majit
Ku gjumi pikonte mjaltë
Thellëzat ia mbanin me iso që ndajnatë
E në pentagramin e qepallave
Shkruanin serenatë
Seç bëlbëzonin përgjumesh buzët
Si bletët që kërkonin nektar
Ti vije si Zanë dhe ikje ndaj të gdhirë
Me një puthje ëndërr të etur
Si oaz në shkretëtirë
Comentários