PANAJOT BOLI: PRANVERËN MA VESHI ME TË ZEZA
- Aug 20, 2025
- 1 min read

Pranverën e fshatit tim ma veshi me të zeza
Një demon i frikshëm
Me sy të zgurdulluar që villnin zjarr
Ia dogji zemrën me ushtën e skuqur
Të endet si lypsare e gjorë
Si natë qyqe, të hiqet zvarrë, zvarrë
Demoni i zi, ky djall me kthetra vampiri
Demoni i zi i ferrit
Edhe shpirtin e gurit përveloi
Më zboi thellëzat e mia të mira
Kukuvajkën solli në këtë Mbreteri..
Ah,..edhe ullirin e gjyshit ma shkrumboi
Kujtimet m’i dogji ky i paudhi i marrë
I mbuloi plot me hi
Mani më jep lamtumirën e fundit i shtrirë
E merzitur ngeli dallëndyshja nën strehëz
Edhe kokrrat nuk i la që të piqen
Në degët shtalarta të fikut tim të mirë
Hi,hi, hi...sa shumë hi, sa shumë hi
Një fije gjilpere drite po e pres mezi
Me këmbë po e shtyj tutje pluhurin hi
Fara e kujtimit të mbijë prapë përseri
Pranverë e zezë.. e zezë.. në fshatin tim
Buzëdjegur më sheh ajo me trishtim









Comments