PAJTIMTARI I TROJEVE SHQIPTARE


ANTON ÇETA: NË 100-VJETORIN E LINDJES

Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi, qeveria e Republikës së Kosovës në një takim të radhës miratoi propozimin e paraqitur nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, (MKRS-ja), Zonja Vlora Dumoshi, që muaji Nëntor të jetë “Muaji i Anton Çetës”, pasi ky vit shënon 100-vjetorin e lindjes së Pajtimtarit të Kombit, 25-vjetorin e vdekjes së tij dhe 30-vjetorin e pajtimit të gjaqeve -- kryesisht në Kosovë, por edhe në trojet e tjera shqiptare dhe në diasporë. Qeveria e Kosovës vendosi që në kuadër të këtij muaji, kushtuar bacës Anton, të organizohen një numër aktivitetesh, sa vijon: Do të bëhet përurimi i veprave të shumta të Anton Çettës. Do të përurohet Kulla e Fazli Buqollit në Pejë ku thuhet se u realizua pajtimi i parë i gjaqeve. Do të hapet “Këndi i Anton Çettës”, një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, për jetën dhe veprimtarinë e këtij shqiptari të madh. Radio Televizioni i Republikës së Kosovës është angazhuar se gjatë këtij muaji do të transmetojë emisione të ndryshme dokumentarësh dhe RTK-ja do prodhojë një dokumentar të ri mbi jetën, veprimtarinë akademike të Çettës dhe mbi pajtimin e gjaqeve. Për më tepër, në Prishtinë dhe në Tiranë do të mbahen simpoziume shkencore mbi Anton Çettën dhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe në Muzeun Historik të Tiranës do të ekspozohen fotografi nga veprimtaria dhe tubimet e pajtimit të gjaqeve. Gjatë këtij muaji, autoritetet kompetente të Kosovës kanë vendosur të themelojnë edhe “Çmimin Anton Çetta”, në nder dhe përkujtim të Pajtimtarit të Kombit.

Në njoftimin e qeverisë së Republikës së Kosovës thuhet se propozimi i Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u miratua pasi “Viti 2020 shënon 100-vjetorin e lindjes dhe 25-vjetorin e vdekjes së Prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon edhe 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontriboi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare, e pajtimit mes njerëzve”, përfundon njoftimi i vendimit të qeverisë së Kosovës, që muaji i Nëntorit t’i kushtohet Prof. Anton Çettës.

Ndërkaq, nuk di se çfarë ka ndodhur me shtatoren e Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose në ndonjë vend tjetër në Prishtinë, në këtë përvjetor të lindjes së tij -- aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej -- e për të cilën kam shkruar në fillim të këtij viti. Në atë kohë, disa media të Kosovës kanë shkruar se po zhvillohej një debat i ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e shqiptarëve!  Sipas medias vendore, kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik, kishte dalë vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çetta. Është vështirë të merret me mend se kush dhe pse do të ishte kundër vendosjes së shtatores së Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose në ndonjë vend tjetër. Nuk ishte e qartë nëse ishin “gypat” apo “qypat”, ata që pengonin vendosjen e shtatores së Profesor Anton Çettës në oborrin e Institutit Albanologjik Prishtinë, ose diku tjetër.

Përditësim: sipas një lajmi të mire që posa më ra në dorë thuhet se në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës do të merrej vendimi për caktimin e lokalicionit se ku do të vendoset shtatorja e Profesor Anton Çettës, si pjesë e aktiviteteve të muajit Nentor, kushtuar këtij njeriu të madh të Kombit.


Në këtë ndërkohë, me gëzim mësova gjithashtu edhe lajmin se ish-Kryetarja e Parlamentit të Kosovës – sot Presidente e Republikës së Kosovës – Vjosa Osmani ka thenë se do të propozojë që shtatorja e Anton Çettës do t’i bënte nder Prishtinës dhe mbarë Kosovës po të vendosej në oborrin e Kuvendit Kosovës, për një atdhetar i cili, sipas saj, bëri “të pamundshmen, në një kohë të pamundshme”. Në postimin e saj, me rastin e 25-vjetorit të shkuarjes së tij në amëshim, Zonja Osmani shtoi se, “Ideja e tij për pajtim nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin. Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi e ta falënderojmë, që në vitet 90-ta, na ktheu shpresën, na mobilizoi e na bëri një rreth kauzës kombëtare. Ndaj sot, dy dekada më pas një shtatore për Plakun e urtë do t`i bënte nder jo vetëm kryeqytetit, por gjithë Kosovës! Si Kryetare e Kuvendit, do t’i propozojë Kryesisë së institucionit më të lartë përfaqësues e legjislativ, që shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Kuvendit, pra në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit, si figurë frymëzimi e pajtimi”, ka premtuar Zonja Osmani.

Bravo, pra Presidentes Osmani dhe Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre mbarë-institucional të shtetit, për të shënuar në mënyrë dinjitoze këto tre përvjetorë me rëndësi, në jetën dhe veprimtarinë e Anton Çettës, në nderim dhe kujtim të kësaj figure të ndritshme dhe historikisht të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për mbarë Kombin Shqiptar.

Aktiviteteve të lartëpërmendura të njoftuara më heret, thuhet se u parapriu, ditën e martë të kësaj jave, botimi i kompletit të veprave të Profesor Anton Çettës, vepra të cilat i prezantoi Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS-ja Vlora Dumoshi, në një takim që ajo zhvilloi me Ministren e Financave të Republikës së Kosovës, Hykmete Bajrami. Në njoftimtin e Ministrisë së Kulturës të Kosovës, thuhet se kompleti i veprave të Çettës—i sponsorizuar nga MKRS-ja dhe Qeveria e Kosovës -- përmban gjithsejt 13 vëllime.


Aktivitetet e shumta në kujtim të Anton Çettës gjatë këtij muaji, po bëhen në bashkpunim midis Ministres së MKRS, Dumoshi dhe Ministres së Financave, Hykmete Bajrami të cilën Zonja Dumoshi e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë botimit të veprave të Anton Çettës. Ministret Dumoshi e Bajrami e vlerësuan lartë figurën e Anton Çettës dhe u shprehën se përmes këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës e nderon dhe e çmon figurën e tij.

Në përvjetorin e Anton Çettës, ministret Dumoshi e Bajrami qëndruan për homazhe tek varri i tij, në Prizren, së bashku profesor Rizah Krasniqin, si rikujtim dhe përulje për angazhimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pajtimin e mijëra familjeve të hasmuara dhe në çrrënjosjen e dukurisë së keqe të gjakmarrjes. “Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve bëri që viti 1990 të futej në histori si viti kur kjo plagë do të zhdukej rrënjësisht. Si institucione të shtetit të Kosovës e kemi për obligim dhe detyrim që historinë e Kosovës ta kujtojmë dhe nderojmë brenda të gjithë mekanizmave institucionalë që posedojmë”, është shprehur Ministrja Dumoshi.

Qeveria e Republikës së Kosovës po bën të duhurën dhe sikur po lanë mëkatet e harresës dhe të mospajtimit në radhët e disave, për të kujtuar, më në fund, rolin e Pajtimtarit të Kombit, duke nderuar njeriun që përveç kontributeve të shumta në fushën e Albanologjisë dhe në fushë të tjera të shkencës e letërsisë, ka pajtuar me mijëra familje shqiptare në hasmëri, jo vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë. Një atdhetar i merituar -- i cili sipas të ndjerit Prof. Zekeria Canës -- një bashkpuntor i ngushtë i Anton Çettës -- punoi aq shumë, “që gishtin e krimit t’a zevendësonte me dorën e pajtimit, ndër shqiptarët”.

Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për pajtim – për pajtuesë dhe unifikuesë si Profesor Anton Çetta. Kujtimi i tij qoftë gjithmonë i paharrueshëm në historinë e Kombit Shqiptar. Urime Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zonjës Dumoshi dhe qeverisë së Kosovës, që më në fund, po i venë gjërat në vendin ku duhet duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Profesor Anton Çettës, në mbështetje të kauzës dhe unitetit kombëtar -- këtij aktivisti të palodhur të çeshtjes kombëtare, të cilin Perëndia ia dërgoi Kombit në kohën kur kishte më shumti nevojë për bashkim e pajtim midis shqiptarëve.

18 views

Shkrimet e fundit