top of page

Osman Goranci: PUSHO NË PAQE MIKU IM I PENËS DHE I SKENËS, NEXHI

  • 1 day ago
  • 2 min read

 

Më 14 gusht, u bën tridhjetë ditë, që kur ike në amshim miku im i çmuar, por unë ende e kam të vështirë të shkruaj. Ndoshta pse, kur ikën një mik me të cilin ke ndarë gati gjysmë shekulli jetë, punë, art, biseda e kujtime, fjalët duken të vogla përballë boshllëkut që lë pas.

  Ishte fundi i viteve të 70-ta, kur nisëm shoqërimin; unë gazetar i ri në Radio Prizreni dhe “Rilindje”, si dhe aktor në teatrin e qytetit, ndërsa ti gazetar me përvojë në Radio Gjilani, dhe aktor në teatrin e Gjilanit. Dy radio, dy teatro, por një dashuri e përbashkët për fjalën, gazetarinë dhe skenën, na afroi dhe na mbajti miq për dekada.

  Më ka mbetur në kujtesë zëri yt radiofonik, që dikur na vinte përmes valëve me fjalët: “Këtu Radio Gjilani...”  Më duket sikur ai zë ende vjen nga larg, nga një kohë të bukur që nuk kthehet më.

  Nexhi, miqësia jonë u dëshmua ndër vite, në gëzimet dhe sukseset e njëri-tjetrit. Dhe, sa herë që më inskenohej ndonjë dramë apo komedi, në teatrot tona, fitoja ndonjë Çmim, ose më botohej ndonjë libër, ishe ndër të parët që më uroje. Ishte kjo një nga cilësitë tua të mëdha; të gëzohesh për suksesin e mikut.

 Nexhmidin Ymeri
 Nexhmidin Ymeri

  Nexhi, për punën tënde të gjatë në gazetari, në teatër, si një intelektual i shquar, u nderove me Plaketa e Mirënjohje nga qyteti i Gjilanit dhe nga kolegët e Teatrit. Vlera jote nuk matej vetëm me Mirënjohje e Plaketa por,  me gjurmët që la te njerëzit me të cilët punove, krijove dhe u miqësove.

  Ne dy kishim edhe dy miq të përbashkët e shumë të dashur: aktorin dhe punëtorin e teatrit, Raif Haziri, si dhe gazetarin e “Rilindjes”, Hasan Bunjaku, që ishin pjesë e skenës edhe në kohën kur ishe ti në teatër. Të dy ata na paraprinë në amshim disa vite më parë.

  Dhe kështu, në Gjilan, nga rrethi i shokëve të mi të ngushtë, më kishe mbetur vetëm ti Nexhi.

  Por, me 14 korrik, ike edhe ti, në moshën 77 vjeçe.

  Dhe, me ikjen tënde, sikur u mbyll edhe një derë, drejt një kohe të tërë të jetës sonë, dhe bisedave, në Gjilan, Prizren, Preshevë, etj, për familjen, për këngët e bashkëudhëtarës tënde të jetës, zonjës Shyhrete, për skenën, radion, festivalet, udhëtimet, shkrimet, dhe për njerëzit tanë të dashur që janë në jetë, ose që ishin bërë kujtim.

  Ti nuk ishe thjesht një koleg apo mik i vjetër, por një pjesë e jetës dhe historisë time krijuese.

  Nexhi, jam falenderues që kemi ndarë një miqësi të rrallë, që ndërtohet ngadalë gjatë viteve, e që u bë pjesë e jetës tonë.

  Lamtumirë, miku im i shtrenjtë Nexhmidin Ymeri.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page