top of page

Fatmir Terziu: Kur Agim Shehu më shkroi për Konicën dhe “Albania”-n

  • 1 hour ago
  • 5 min read

 

Disa letra nuk plaken. Ato nuk mbeten thjesht dokumente të një korrespondence të dikurshme. Nuk mbeten, as shënime të harruara në ndonjë arkiv personal. Me kalimin e viteve, ato marrin një kuptim tjetër. Letrat e tilla bëhen dëshmi e një kohe, e një miqësie, e një mendimi dhe, mbi të gjitha, e një mënyre të të parit të punës së tjetrit. Një e tillë është edhe një letër që poeti i mirënjohur Agim Shehu më shkruante më 27 prill 2012. Kanë kaluar më shumë se katërmbëdhjetë vjet nga ajo ditë. Sot, kur e rilexoj, më duket sikur ajo letër nuk më është drejtuar vetëm mua. Sikur Agim Shehu, përmes meje, po i shkruante edhe një kohe që ende nuk kishte ardhur. Një kohe në të cilën media shqiptare e diasporës do të bëhej gjithnjë e më shumë një hapësirë kujtese, identiteti, debati, letërsie dhe komunikimi me Shqipërinë.

Ai shkruante: “Mendoj dhe nuk gaboj, se në udhën e saj media që drejton dhe publikon ti i dashur Fatmir Terziu në Londër, po shfaqet shkallë shkallë një ‘Albania’ dhe ti një Konicë, sado në miniaturë modeste.” Është një fjali që, po ta lexosh shpejt, mund të duket si një kompliment i bukur mes dy miqsh. Por, në të vërtetë, ajo mbart një koncept të tërë për gazetarinë shqiptare jashtë atdheut. Agim Shehu nuk po shihte vetëm një gazetë, një revistë apo një media që botohej në Londër. Ai po shihte një përpjekje për të krijuar një hapësirë shqiptare në një vend të huaj. Dhe për ta shpjeguar këtë përpjekje, ai zgjodhi emrin më të madh të publicistikës shqiptare, Faik Konicën.

Krahasimi me Konicën, sigurisht, ishte i madh. Aq i madh sa vetë autori i letrës e zbut menjëherë me atë “sado në miniaturë modeste”. Ishte humori i tij, por edhe një mënyrë elegante për të mos e kthyer lavdërimin në lajkatim. Në thelb, ai më thoshte, vazhdo këtë udhë, sepse aty mund të ketë diçka që i ngjan një tradite të vjetër të publicistikës shqiptare. Dhe cila ishte ajo traditë? Ishte tradita e një publicistike që nuk e shihte gazetën vetëm si vend për të botuar lajme. Konica e kishte kuptuar shumë herët se një botim mund të bëhej një shkollë mendimi, një tribunë kulturore, një vend ku gjuha, politika, letërsia, historia dhe karakteri kombëtar takoheshin në të njëjtën faqe.

Prandaj emri “Albania”, i përmendur nga Agim Shehu, nuk është rastësor. “Albania” e Konicës ishte shumë më tepër se një periodik. Ajo ishte një projekt intelektual. Ishte një përpjekje për ta paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët në një hapësirë europiane me një gjuhë të re, me argument, kulturë, kritikë dhe dinjitet. Kjo është arsyeja pse fjala e Agim Shehut më duket edhe sot e rëndësishme, sepse ai e kuptonte se një media shqiptare në Londër nuk duhej të ishte vetëm një dritare ku diaspora shihte Shqipërinë. Ajo duhej të ishte edhe një dritare nga e cila Shqipëria mund të shihte diasporën.

Në vitin 2012, ndoshta nuk e kuptonim plotësisht se sa shumë do të ndryshonte komunikimi shqiptar në vitet që do të vinin. Rrjetet sociale, portalet, mediat online dhe shpejtësia e informacionit do ta ndryshonin krejt peizazhin. Por një gjë mbeti, nevoja për një media që të mos jetojë vetëm nga lajmi i ditës, por të krijojë kujtesë. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe pjesa tjetër, shumë karakteristike, e letrës së Agim Shehut. Ai më kujtonte Konicën me një humor të hollë: “Konica gjersa ta shtronte ‘trapezin’ letraro-publicistik me mish të pjekur, vetë nuk merrej shumë me pjata të vogla sallatash që ta ulin sadopak vlerën dhe besueshmërinë e pazarit!” Këtu poeti bëhet edhe kritik. “Mishi i pjekur” është metaforë për substancën. Për një gazetari që duhet të ketë peshë. Për shkrimin që duhet të ketë mendim. Për një tekst që duhet të justifikojë hapësirën që zë. Ndërsa “pjata të vogla sallatash” janë ato tundime të vogla të publicistikës që mund ta mbushin një faqe, por nuk e ushqejnë lexuesin. Është një këshillë që vlen edhe sot.

Një media mund të ketë shumë faqe dhe pak përmbajtje. Mund të ketë shumë zhurmë dhe pak mendim. Mund të ketë shumë emra dhe pak autoritet. Mund të botojë çdo ditë dhe, megjithatë, të mos lërë asgjë pas. Agim Shehu më kujtonte, në mënyrën e tij, se vlera e një mediaje nuk matet me sasinë e asaj që boton, por me peshën e asaj që mbetet. Dhe pastaj vinte ajo fjalia e tij, krejt labçe, krejt Agim Shehu: “Më thuaj, nëse dhe unë po të shkruaj ‘lakra’ trazuar në mish të pjekur! (si lab, nuk u ndakam dot nga krahasimi me mish helli, aq i përmalluar në Gjenevë a në Londër).”

Këtu letra merr një ngrohtësi të jashtëzakonshme. Ai e kthente kritikën në shaka, teorinë në bisedë miqsh, publicistikën në tavolinë dhe Konicën në një “mish helli” që të ndjell mallin e vendlindjes. Por ndoshta pikërisht aty fshihet edhe një e vërtetë më e madhe. Diaspora nuk shkruan vetëm nga mendja. Shpesh shkruan edhe nga malli. Dhe Agim Shehu, që jetonte mes largësisë dhe kujtesës, e dinte shumë mirë këtë. Në Londër, në Gjenevë, në Romë, në Paris apo kudo tjetër ku shqiptarët kanë ndërtuar jetën e tyre, fjala shqipe merr një ngarkesë tjetër. Ajo nuk është vetëm gjuhë. Ajo bëhet shtëpi. Prandaj një media shqiptare në diasporë nuk është thjesht një ndërmjetëse informacioni. Ajo mund të bëhet një shtëpi e përbashkët e kujtesës.

Kur sot e rilexoj letrën e 27 prillit 2012, më intereson më pak krahasimi personal me Konicën dhe më shumë ajo që Agim Shehu kishte kuptuar përpara kohe, nevoja për ta mbajtur median shqiptare larg vogëlsive që e konsumojnë dhe afër gjërave që e ndërtojnë. Konica ishte i pamëshirshëm me mediokritetin. Agim Shehu ishte i butë në mënyrën se si e kritikonte. Të dy, megjithatë, takohen në një pikë: fjala publike duhet të ketë peshë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ajo letër më duket sot më e rëndësishme se atëherë.

Në vitin 2012 ajo ishte një letër miqësore. Në vitin 2026 është bërë një dokument kujtese. Një poet më shkruante nga larg dhe më thoshte se në udhën e një mediaje shqiptare në Londër po shfaqej “shkallë shkallë” një “Albania”. Nuk e di nëse e merituam atë krahasim. Ndoshta jo. Ndoshta ishte bujaria e një poeti ndaj një pune që ai e shihte nga larg. Por e di diçka tjetër. Nëse ka një kuptim që mund t'i jap sot asaj fjale, ai nuk është madhështia e emrit “Konica”. Është përgjegjësia që fshihet pas tij.

Të krijosh një media do të thotë të krijosh një arkiv. Të botosh një shkrim do të thotë të lësh një gjurmë. Të mbledhësh shkrimtarë, poetë, studiues, gazetarë dhe zëra të diasporës do të thotë të ndërtosh një pjesë të kujtesës së një komuniteti. Dhe në këtë kuptim, letra e Agim Shehut më rikthen gjithmonë te një pyetje e thjeshtë: Çfarë mbetet nga ajo që shkruajmë? Jo sa faqe kemi mbushur. Jo sa tituj kemi vendosur. Jo sa herë jemi shfaqur. Por çfarë ka mbetur në kujtesën e lexuesit. Ndoshta kjo është “Albania” për të cilën më shkruante Agim Shehu. Jo një kopje e Konicës. Jo një madhështi e huazuar.

Por një përpjekje e vogël, e vazhdueshme, për t'i dhënë fjalës shqipe një tryezë ku të ulet me dinjitet.

Dhe, duke buzëqeshur me atë humorin e tij lab, do ta dëgjoja edhe një herë zërin e Agimit: “Më thuaj, nëse dhe unë po të shkruaj ‘lakra’ trazuar në mish të pjekur!” Jo, Agim. Sot, pas kaq vitesh, mendoj se ajo nuk ishte lakër. Ishte një nga ato copat e vogla të kujtesës që, kur koha i kalon mbi supe, bëhen vetë mish i pjekur i kujtesës sonë letrare.

7 Comments


Manjola Hatellari
5 minutes ago

Nje vleresim i merituar per ju F. Terziu nga poeti A. Shehu. Ju uroj shume suksese ne punen tuaj fisnike!

Like

Fahri Dahri
6 minutes ago

E lexova këtë shkrim dhe më duhet të jem i sinqertë lidhur me mediat, shtëpitë botuese apo revistat dhe portaler e ndryshme. Për mua, asgjë nuk merr vlera nëse nuk tregon vlera. Shumë shkurt opinioni im lidhur me vlerat : Kur më lindi mundësia për të shpalosur mendimet e mia mbi ngjarjet gjatë jetës dhe arritjet në disa konkluzione nga studimet dhe hulumtimat, mirë apo keq postova në shumë materiale në sgumë irgane shtypi. Fillimisht artikujt patën fatin e botimeve. Me kalimin e kohës, interesant, për arësye të ndryshme një nga një u rralluan. Jo se artikujt nuk kushin vlera, por problematikat preknin plagët e vërteta si të brendshmet por më shumë shkelnin në kallot e të jashtmëve. Pa e…

Like

Adham Prifti
41 minutes ago

Nje vleresim I duhur I poetit Agim Shehu per ate pune e jashtzakonshme qe bene Mjeshtri I madh Fatmir Terziu me botimin e revistes aq te dashur e te kerkuar ne Londer “Albania Post”.

Kjo leter miqsh flet shume dhe se Agim Shehu vlereson bukur ne penen e ti rendesine e jashtzakoneshme qe ka kjo revisten ne emigracion.Disa dekada me pare ne nje festival te kenges per te rritur Burrel me poetin Agim Shehu pata nje bashkepunim ku kompozova kengen”Saldatorja nga Vunoi “

Like

Kujtim Stana
an hour ago

Një letër e rrallë e Agim Shehut, e sjellur me finesë në ditët e sotme, jo vetëm fakton çfarë ka ndodhur gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve, me median " Albania" por dhe si një realizim i ëndrrave të intelektualëve të shquar të kombit tonë si Konica. Kjo arritje në fushën e botimeve, siç thotë prof. Fatmir Terziu:- Vijon të jetë shkollë mendimi, tribunë kulturore, ku gjuha, letërsia, politika, karakteri kombëtar, takohen në një faqe.-

Pa u futur në detaje të kësaj letre, të Agim Shehut, nga lindi dhe ky shkrim kujtese e vlerësimi, i Fatmir Terziut, por dhe vetëm duke e quajtur si njē projekt intelektual të suksesshëm e në vijim, në diasporë, meriton respektin më të lartë dhe përgëzime!

Like

Petraq Pali
an hour ago

Një leter monumentale ku vlerat e saj Jané parashikemet e Zhyl Vernit (Nga Poeti I madh Agim Shehu)pér shkencen .Ju I dashur Fatmir ja arritet té prezantoni kulturen ,dijet ë një kombi ne bote.

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page