Shresa Fundo Gjergji: “Pusht-gomar i shkretë” – kur satira flet me gjuhën e popullit
- 2 hours ago
- 4 min read

Ka fenomene shoqërore që nuk kanë nevojë për shumë shpjegime. Mjafton t’i shohësh përreth dhe i kupton. Një prej tyre është mediokriteti që, sapo vihet në pozita pushteti, shndërrohet në një forcë që jo vetëm nuk sjell përparim, por shpeshherë e bën jetën e shoqërisë më të vështirë. Ky fenomen është bërë aq i dukshëm në ditët e sotme, saqë nuk mund të mos bëhet objekt i satirës. Kështu lindi “Pusht-gomar i shkretë”, një poezi satirike që përpiqet ta fshikullojë këtë anë të “pistë” të shoqërisë sonë, duke e parë përmes ironisë, groteskut dhe humorit të hidhur. Por, përtej figurës satirike dhe mesazhit që përcjell, në këtë poezi kam dashur të ndalem veçanërisht te frazeologjia popullore, një mjet gjuhësor i mrekullueshëm në kësi rastesh.
Fjalët dhe shprehjet popullore janë një pasuri që nuk duhet ta humbasim. Ato mbartin kohën, përvojën, mençurinë dhe mënyrën se si një popull e ka parë dhe e ka shpjeguar jetën. Ndryshojnë kohët, ndryshojnë rrethanat, ndryshon edhe mënyra e komunikimit, por shumë prej këtyre shprehjeve vazhdojnë të kenë një fuqi të jashtëzakonshme shprehëse. Pikërisht për këtë arsye, përdorimi i tyre në poezi nuk është një kthim prapa në gjuhë. Përkundrazi, është një mënyrë për ta mbajtur gjuhën gjallë.
Frazeologjia popullore e afron fjalën poetike me lexuesin. Ajo nuk kërkon gjithmonë deshifrimin e abstraktes, nuk ngre një mur mes autorit dhe publikut, por e vendos shprehjen më pranë gjuhës së përditshme, pranë mënyrës se si njerëzit mendojnë, flasin, gjykojnë dhe përjetojnë realitetin. Në një poezi satirike kjo merr një rëndësi të veçantë. Satira kërkon të jetë e kuptueshme por njëkohësisht domethënesë. Pra të shprehë e të përmbajë kontekst, në mënyrë që të godasë jo vetëm drejtpërdrejtë. Ajo duhet të jetë e mprehtë, por edhe e kapshme; duhet të provokojë të qeshurën, por pas saj të lërë edhe një mendim. Dhe gjuha popullore e ka pikërisht këtë fuqi.
Ajo mund ta bëjë një figurë më të gjallë, një situatë më të prekshme dhe një kritikë më të fortë. Shprehje të tilla si “ra nga kali”, “i ka zënë kacidhja lesh”, “turpi për të gjallët” apo edhe ajo ironia e mbylljes me “at’ bulmet ka stani”, nuk janë vendosur thjesht për rimë apo për efekt humoristik. Ato sjellin në poezi një zë të njohur, një mënyrë të të shprehurit që vjen nga goja e popullit dhe që, pikërisht për këtë, e bën satirën më tokësore dhe më komunikuese.
Kjo lloj gjuhe nuk përpiqet të fshihet pas fjalëve të mëdha. Ajo nuk kërkon të krijojë një distancë artificiale midis poezisë dhe lexuesit. Përkundrazi, e vendos problemin aty ku ai ekziston: në jetën e përditshme dhe në marrëdhënien e drejtpërdrejtë të individit me shoqërinë. Pikërisht, mendoj se kjo e bënë frazeologjinë edhe bëhet pjesë shprehëse të kulturës. Kur një shprehje popullore nuk është vetëm një grup fjalësh, brenda saj mund të jetë një histori e tërë mendësie. Mënyra se si brezat kanë përmbledhur një përvojë në pak fjalë, i japin dimension asaj. Prandaj, kur ajo kalon nga komunikimi i përditshëm në letërsi, nuk humbet karakterin e saj; përkundrazi, fiton një jetë të re brenda një konteksti tjetër.
Në poezinë satirike të titulluar “Pusht-gomar i shkretë”, gjuha i shërben satirës për të trajtuar një problem që nuk është abstrakt dhe as larg jetës së njerëzve. Përkundrazi, lidhet drejtpërdrejt me mirëvajtjen e shoqërisë, me mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe me pasojat që mediokriteti në pushtet mund të sjellë për të tjerët. Ndoshta prandaj, kur një shprehje popullore vendoset në vendin e duhur, ajo nuk ka nevojë për shumë koment. Humori bashkohet me revoltën ndaj një figure që, sapo kapet pas karriges së pushtetit, harron kufijtë e arsyes, dinjitetit dhe përgjegjësisë. Këtu “pusht-gomari” nuk është thjesht një personazh grotesk. Ai është një tipologji: mediokri që pushtetin e ngatërron me autoritetin, vulën me dijen, karrigen me madhështinë dhe heshtjen e të tjerëve.
Satira asnjëherë nuk synon të zbukurojë realitetin. Ajo e zhvesh atë. Me ironi, grotesk, frazeologji popullore dhe një ritëm të gjallë, vargjet godasin pikërisht aty ku pushteti i pamerituar bëhet qesharak, por edhe i rrezikshëm. Sepse, në fund të fundit, karrigia mund të të ngrejë përkohësisht mbi të tjerët, por nuk të jep as mend, as kulturë, as dinjitet. Kështu satira realizon detyrën e saj të vjetër: të qeshë me atë që duhet kritikuar dhe të flasë aty ku të tjerët heshtin.
“Pusht-gomar i shkretë”
(Satirë)
S'ka bishë në botë më të rrezikshme,
Se një mediokër me pushtet.
Dhe s'ka si të jetë ndryshe,
Ky pusht-gomar i shkretë!
Se porsa bisha njeh instinktin,
Sulmon e këput zinxhirët,
Ai, nuk njeh anë e udhë!
Bëhet gjakpirës si vampirët!
Çdo gjë të keqe e ka nën lëkurë!
Kur një karrige mbanë nën "bithë".
Di vetëm të jetojë si i pafytyrë!
Edhe pse është një copë mish!
Ka frikë fjalën e mençur,
Me librin, s'bëhet muhabet.
Sytë fatkeqësisht i janë errur,
Kur mure ngre, i quan autoritet.
Mendimi i tij është i shterrë,
Njeh vetëm vulë e karrike,
Shpirti i tij vrer e skëterrë,
Sjellja e tij e shtirur, tipike.
Si dallkauk gjithë botën e përqesh
Di të mbyll dyer e rrahë krahët,
Se i ka zënë kacidhja lesh,
Thotë populli: turpi për të gjallët!
Harron se nesër do bjerë nga kali,
Ky vampir pusht - gomari,
Do të "hanë" për së gjalli,
Do të pyesim, a ke gjak shqiptari?!
Ti do t'përgjigjesh: at' bulmet ka stani!
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji








Comments