Bilall MALIQI: POEZI ME KUPTIMSHMËRI DHE POROSI…
- 2 hours ago
- 4 min read

Kur krijuesi derdh vargje poetike, kuptohet se ato i dalin nga brendia e shpirtit të parehatuar, dhe si të tilla japin ngjyrimet e saj, varësisht tematikave të përzgjedhura, të cilat i ka shtrirë gjithandej vëllimit poetik. Këtu kemi të bëjmë me një përmbledhje poetike të poetes, Venera Rrustemi, me titull “Një dimension tjetër”.
Ky libër mbështillet me poezi mikste, të dala nga përditshmëritë tona, por kemi edhe poezi përkushtuese, të cilat kanë forcën shprehëse , si dhe poezitë të tjera, të cilat mvishen me zgjedhje motivuese e me tematika të përziera.
Venera, librin e ka ndarë në tre cikle: /Një botë brenda teje/, /Rrënjët që nuk shuhen/ dhe/ Në kufijtë e humbjes/, në të cilat ka radhitur poezitë duke i pajisur ato me vargje që japim kuptimshmëri, mesazh dhe një dimension të qartë, se poezia nuk shkruhet me dhunë, ajo del ashtu lehtë me ngacmim të muzave dhe fryerje të inspirimeve dhe ato pastaj rregullohen me mjete poetike, dhe si të tilla dalin të realizuara mirë artistikisht.
Në të shumtën e rasteve librat e parë të autorëve janë eksperimental, duke u nisur nga mungesa e përvojës në shkrime dhe ndoshta edhe mungesa e leximit të duhur, por te kjo krijuese nuk ndodh kjo, sepse së lexuari të poezive hasim në gjetje të mira të ngjarjeve poetike, të cilat i ka forcuar me shprehje të zgjedhura, pa ndonjë tepri të fjalëve që do ta dëmtonin poezinë. Ato janë poezi strofike, disa katrena e disa dyshe, disa edhe astrofike, në të cilat vërehet diku-diku edhe rima e jashtme por edhe ajo e brendshme si dhe figuracioni i bollshëm stilistik.
Në poezinë /Duaj/, poetja bën thirrje për dashuri, për afrim me njëri-tjetrin:
Duaj edhe kur s’të duan,
Duaj edhe kur të lëndojnë.

Kjo tregon një rritje të madhe emocionale. Është e lehtë të duash dikë që të do mbrapsht, por të vazhdosh të mbash dritën e dashurisë ndezur kur përballesh me ftohtësi ose lëndim, kërkon një forcë mbinjerëzore.
Venera edhe në të tjera poezi bën thirrje për të dashur, për të qenë të drejtë e jo t’i shtrihemi pafytyrësisë, si në poezinë me të njëjtin titull:
Fytyra qesh, por zemra i flet tjetër.
Maskë mbi maskë,
Gënjeshtër mbi gënjeshtër.
Ose
Në fund ngel i vetëm,
Njëri pa emër.
Pra, kjo është pafytyrësia, e cila në fund të fundit si rezultat i të këqiave do të ngelesh i vetëm, pa emër dhe pa identitet. Të tilla poezi që poetja thërret për përmirësim dhe ndërgjegjësim janë edhe poezitë: /Pa identitet /, /Plagët e fjalëve/ etj., të cilat janë të mbushura me vargje kuptimplote, thirrëse dhe shpresëdhënëse për t’i hequr qafe njëherë e mirë të gjitha veset negative dhe të këqiat që na përthekojnë si popull.
Venera i shkruan edhe dashurisë vargje që japin ngjyrime emocionale:
Kur të vijë ai ngadalë,
I bukur, i ëmbël, me shpirt të bardhë,
Ta prekë pa frikë shpirtin tim,
Si dritë që hyn në një agim.
Këto vargje janë plot shpresë, dritë dhe një pritje e ëmbël. Ky është përshkrimi perfekt i asaj që quhet paqe emocionale, dëshira për një dashuri që nuk të lëndon, por të shëron.
Dhe të më thotë me zë të butë,
Se çdo ditë i kam munguar shumë,
Se në mes gjithë botës që ka parë,
Zemra e tij zemrën time ka marrë.
(Poezia “ Kur të vijë ai“ fq. 48).
Në këto vargje të motivit të dashurisë hasim në këto figura stilistike : Metafora, krahasimi, metonimia, epiteti, figurat e përsëritjes.
Në pjesën e parë dominojnë figurat që tregojnë qëndresë (muri, dhimbja), ndërsa në pjesën e dytë dominojnë figurat e dritës dhe butësisë (agimi, shpirti i bardhë, zëri i butë). Kjo ndarje stilistike bën që kalimi nga dhimbja te shpresa të ndihet fizikisht gjatë leximit.
Brenda librit kemi edhe poezi përkushtimore, kushtuar nënës, babait, motrave, vëllait dhe poezi vetevetes, me fjalë të zgjedhura poetike, të cilat i ka mbarështruar nëpër vargje poetike. Këto dedikime janë një shkarkim shpirtëror për dashurinë prindore, për nënën e babain, poezi, që japin ngjyrime emocionale dhe përmalluese:
Je diell që digjet pa u ankuar,
Për të më ngrohur, veten ke harruar.
Je mur që rri kur bota më godet,
Mburojë jete që kurrë s’u thye, s’u tret.
(Poezia “Nana” fq. 23)
Kjo strofë është një himn i pastër mirënjohjeje dhe adhurimi për nënën, mbrojtësen që ka sakrifikuar gjithçka. Pra, është një ndërthurje e bukur e sakrificës dhe dashurisë absolute që mund të ta fal vetëm nëna.
Ai ishte ombrella që ndalonte shiun,
Para se pikat të më preknin mua.
Qëndronte para stuhive pa u ankuar,
Që unë të ecja pa frikë, me jetën duke luftuar.
(Poezia “Babi” fq. 26)
Këto vargje mbajnë erë mirënjohjeje prindërore ose një dashurie të madhe për babain, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në formësimin e autores.
Në të dy poezitë e bukura përkushtuese kemi figurat stilistike që i shoqërojnë si: Metafora, antiteza, hiperbolla, simbolika, kontrasti, personifikimi etj., të cilat i bëjnë poezitë më të qëndrueshme.
Ky libër me poezi, i pari i Venerës, ka një vlerë të begatshme artistike, dhe si i tillë meriton të botohet dhe të jetë pronë e bibliotekave tona dhe rajonale.








Comments