Orilda Kalami: NE PËRBALLË VETES SONË
- 1 day ago
- 8 min read

NE PËRBALLË VETES SONË
Visar Zhiti me romanin “Në kohën e Britmës”
- Të rinjtë duhet të dinë –
Nga Orilda Kalami
Sociologe -
“Tomorrow’s Education System”
“Kemi nevojë për tjetrin, të duam dhe të na duan, ndryshe s’është më ngrohtë... acar...”
Visar Zhiti
Në mesnatën e Tiranës fishekzjarret jashtë përkojnë me mbarimin e leximit të romanit “Në kohën e britmës” të shkrimtarit Visar Zhiti. Më duket sikur ajo shkrepëtimë drite doli nga fletët e librit që t’më tregojë rrugën për një kërkim të një ideje, të një qendrimi, të një emocioni të madh dhe më nxit të bërtas dhe unë, të kërkoj atë që mungon, mbase… quhet Gjergji në roman…
Dikush po e pret, Gjergji nuk ka ardhur… unë e shoh si metafor;e… Një tryezë e shtruar, një familje e shqetësuar… Një pritje me ankth.
Romani ka në qendër shoqërinë shqiptare të fillimviteve 1990, kur Wind of change po frynte edhe në Shqipëri dhe revolucioni politik, ekonomik, social e kulturor si tufan po shkundte jo vetëm regjimin, por edhe një sistem dhune, propagande, poshtërimi e shkatërrimi njerëzor të ngritur për dekada.
Në këtë kohë kur dikush shpejton të zhdukë gjurmët e së keqes, të pastrojë imazhin e vet të turbullt apo të minimizojë ligësinë monstruoze, janë dhe ata, njerëzit e bukur, që kanë vuajtur, që dashurojnë e dashurohen, por edhe që humbasin e kërkohen.
Në roman Gjergji dashuron Rezanën duarartë që qep këmishat e “Odisesë” së saj të zhdukur deteve, apo diku tjetër. Evgjeni, piktori me mamanë ruse, dashuron Afërditën, artisten moderne... roman i dashurve tronditëse.
Këta dy çifte i ndajnë koha dhe rrethanat, i bashkojnë më fort se kujtimet, misioni. Mes ndarjesh e bashkimesh padrejtësia bëhet shkak, por edhe pasojë e një diktature që cënoi jetë njerëzish. Ata nuk janë vetëm, janë gjithmonë të mbështjellë nga meraku ynë, nga kujdesi vëllazëror. Dy vëllezër, Petriti dhe Martini që kërkojnë, që duan të gjejnë dhe të ndihmojnë, që duan të bashkojnë. Të mbrojnë njeriun, të mbrojnë familjen. Figura e vëllait, kjo shtyllë e fortë mbështetëse vjen në këtë roman me Martinin fjalëpak, vëllain e Rezanës dhe me Petritin përkujdesës, vëllain e Gjergjit.
Romani trajton familjen shqiptare përballë dramës së madhe të emigrimit, që mund të ndodhë brenda vendit, kur ikën nga vetja kolektive apo largon një pjesë të rëndishme, më të vuajturën dhe më idealen, - këtë Visari na e rrëfen mrekullisht. Mos vallë emigrimi largoi dhe shpirtin nga morali? Apo gjakun e bëri ujë? Përshtatja me jetën e re, edhe andej nga ana tjetër e detit, nga largimi, loti, ndarja, malli janë sfida të rënda nga ato që shënjojnë ndërgjegjen e një shoqërie.

Ndjeshmëria e autorit për të risjellë në vëmendje tragjedinë e ikjes, për të trajtuar jetë njerëzish të mbytura në det… jo si statistika, por si shpirtëra që ëndërruan dhe tani ulërijnë, i jep romanit një tis aq sa keqardhjeje e dhimbjeje, por edhe rebelimi dhe nevoje për t.u ngritur, për të kërkuar...
E teksa faqet e librit kalojnë në kërkime, udhëtime, shkrime, që vijnë nga ai që quhet Gjergj në mënyrë misterioze, por që mund të jetë cilido nga ne, kalojnë dhe vitet, koha si nocion filozofik.
Është tranzicioni që solli largim, vetmi, lotë, por dhe përpjekje për politikëbërje, nxitim dhe rrëmbim për plotësim material dhe dëshire, por edhe mpakje e varfëri, dhimbje, nevojën për gjetjen e vetes. Gjithashtu solli edhe marrëdhënie të bukura e miqësi, si ajo e Martinit me Amedeon, gazetarin italian, si e shumë shqiptarëve me familje italiane dhe Italinë e ëndërruar. Çdo izolim bërtet një nevojë për largim dhe kështu shqiptarët kapërcyen male e dete si Kostandini mitik, iu larguan vendlindjes, për t’iu afruar vetvetes. Në një udhëtim për t’u ndjerë i lirë, për të kuptuar, larg fantazmave të së shkuarës, që ndollën shkatërrimin.
Sidoqoftë identiteti është i lidhur me vendlindjen dhe formohet prej saj, nga gjuha që flet, nga përrallat e gjyshes, nga historitë, nga poezia… nga ato ngjarje që i kemi perjetuar bashkë, qër na shpalosen dhe në roman, dhimbja e eksodit me anije, ikjet drejt ambasadave, vrasjet në kufi, të treguara kaq furishën dhe me emocion si në “Në kohën e britmës”.
Mbi të gjitha ky roman jo vetëm bërtet, po aq sa për të burgosurit, të internuarit, të vrarët nga diktatura e egër, për dhe na prin në përpjekjet për të gjetur vendin në jetë edhe të nxit fort: “Vazhdo! Nxirre dhe ti britmën! Bërtit për veten, për ne!”
Britmën e kujt? Të Rezanës, që vuan dashurinë e humbur? Të Afërditës, që është viktimë e shpirtit të saj artistik? Të të mbyturve në Kanalin e Otrantos? Oh-trantos! - është pasthirma e autorit. Të të malluarve larg Shqipërisë? Të familjarëve që presin? Të të humburve në det? Të të zhdukurve apo të atyre që nuk u gjenden eshtrat?
Në roman gjejmë dhe personazhe me emra të vërtetë si poeti malazias, mik i shqiptarëve, Jevrem B:erkoviq, apo Maestro Ibrahim Kodra, apo shembëlltyrën e At Zef Pllumit, gjëmimet e luftës në Kosovë dhe... kthimet. Atë për të cilën po b:ertasim dhe sdot.
Dua ta gjej Gje(j)rgjin. Si mund të ndihmoj të vijë mes nesh metafora e tij sërish? Ai është guximtari, moderni, antikonformisti që s’ka frikë, që i duhet ndryshimeve, revolucioneve që bëjnë shoqëritë. Ai duhet dëgjuar. Është i mençuri mendjebukur, që edhe të tremb. Është përballuesi i veçanti në një diktaturë që imponon standartizimin, kuadratin, barazinë dhe në postdiktaturë bën të skërmisin dhëmbët kriminelët, gjakpirësit, sepse dëshmon moralin e munguar.
A e kemi prodhuar ne diktaturën, apo ajo ka prodhuar njeriun që bën keq? Çështja nëse njeriu është i mirë apo i keq nga natyra ka qenë objekt diskutimi për shumë filozofë. Sipas Rusoit njeriu lind i mirë dhe është shoqëria ajo që e korrupton. Në të kundërt, Hobs mendonte se njeriu është i prirur drejt egoizmit dhe konfliktit, prandaj ka nevojë për rregulla dhe autoritet. Ndërsa Aristoteli argumentonte se njeriu nuk është as plotësisht i mirë dhe as plotësisht i keq, por karakteri i tij formohet nga veprimet, zakonet dhe zgjedhjet që bën gjatë jetës.
Një realitet i jetuar dhe i treguar përmes historish njerëzore, siç bën Visar Zhitit me këtë roman, sjell mes nesh dëshmi të dhimbjes dhe padrejtësisë historike. Pse kemi bërë kaq keq? Pse qenia njerëzore shtyp e dhunon? Çfarë e detyron të bëjë mënxyra? Në emër të pushtetit? Të frikës? Të padijes? Cila pikë gjaku e justifikon një autoritet të dhunshëm? Cila britmë është aq e fortë sa të shkundë përbaltjen e shpirtërave njerëzorë?
U baltos dinjiteti njerëzor. Po bërtas sot për intelektualët, shkencëtarët, studiuesit, shkrimtarët, artistët, arkitektët, mësuesit, profetët e dijes, bërtas bashkë me ta, për shoqërinë tonë si jejonë e «Kohës së britmës». që vuan pasojat traumatike të vetes. Themele të fundosura në baltra të rrëshkitshme ligësish. Pasuri të çmuara të mbuluara në varrin e frikshëm të harresës. Arkeologji vlerash të përhershme. – ky është romani…
Nëse nuk i vlerësojmë, nuk ndërtojmë dot më lart. Nëse nuk e njohim dhe nuk kuptojmë të kaluarën, nuk do të gjejmë qartë rrugën drejt së ardhmes. Nëse nuk nderojmë vuajtjen, dhimbjen tonë, historinë, atëherë cënojmë vetë dinjitetin tonë të të qenurit shqiptarë. Pa kujtesë nuk ka të vërtetë, dhe pa të vërtetë nuk ka liri. Ndaj liria e vërtetë për një shoqëri shpirtgjymtuar vjen kur ajo punon dhe kujton, çmon dhe pranon dhe ecën përpara..
Këto ndjeja gjatë leximit të këtij romani. Britma ime sot është për Atdheun me dhimbje, Atdheun me vuajtje. Atdheun e bukur, me njerëz të bukur… si Rezana, Afërdita, Gjergji, Evgjeni, Martini, që na sjell Visar Zhiti, si të rinjtë sot.
Kohët ndryshojnë, diktaturat bien, por të rinjtë gjithmonë do të dashurojnë, do të qeshin, do të gjejnë të bukurën edhe në baltën që ligësia hedh. Asnjë det i zi dhune, dhimbjeje e ikjeje nuk mund të kafshojë qeshjen e dashurisë.
Fisnikët nuk do të bërtasin për hakmarrje, por me qenien dhe veprën e tyre bërtasin bukurinë e shpirtit njerëzor. Të atij shpirti që jeton.
Atdheu jemi ne.
Atdheu jane të dashurit tanë, afër dhe larg.
Atdheu janë përqafimet në aeroporte, që bërtasin mallin, lotët që bërtasin mungesën.
Atdheu janë prindërit krenarë.
Atdheu janë të rinjtë që të shohin në sy dhe frymëzohen nga dija, nga fjala.
Atdheu është dashuria.
Atdheu është kënga. Atdheu janë letrat tona, është romani i Vasar Zhitit.
Arti dhe kultura e zhvillojnë një shoqëri, sepse pasurojnë shpirtin e saj dhe sjellin emancipimin, ndaj dhe letërsia sjell dijen. Ajo hap mendjen e si zanë magjike, fal flatra dhe kështu të gjithë mund të fluturojnë në kohë e hapësira të tjera. Përmes romanit “Në kohën e britmës” të rinjtë plotësojnë njohjen, estetikisht dhe me emocion, i qasen realiteve shqiptare, diktaturë dhe tranzicion dhe hapje ndja botës, universalizojnë ëndrrën, Autori me këtë roman sikur na kap për dore dhe na dërgon në gjithkohë për të na treguar. Le të jetë një qytet i vogël dhe ca njerëz të zakonshëm, një rrugë nga shtëpia në një hotel, një galeri e dyer ambasadash, e bregu i detit e anije të rrëmbyera, më pas qytete të huaja, ku dhe humbet, por ajo që ndodh, është e gjithë, Europa është pas kthesës së parë dhe në një pikë loti është kthimi.
Duke lexuar aq sa trembesh, edhe shqetësohesh, intrigohesh, frymëzohesh, rebelohesh, zemërohesh, dashuron e zgjerohesh e arrin… te britma jote dhe protesta jote.
Nuk je vetëm me imagjinatën, me shpresën, por je konkretisht me librin në dorë si me një dorë, je me një autor që bën të mundur të gjesh forcën te vetja, por edhe te të tjerët, je i lirë. Misionin e tij si shkrimtar e bën kaq paqësisht, kaq artistikisht dhe do të thosha me një figuracion të pasur duke frymëzuar, ndërgjegjësuar dhe ndriçuar, me trëndafilin, tankun, me baltën, dallgën e detin, me këmishën, çelësin dhe britmën, sa të përfshin në beteja të brendshme, në përjetime e ndodhi, me artin që na duhet.
Mes dualitetetsh si jeta dhe vdekja, dashuria dhe dhuna, frika dhe guximi, drejtësia dhe padrejtësia jeton dhe realitetet , deri te i sotmi e ato që do të vijnë...
Misteri që shoqëron romanin kthehet në sfidë, në mision. Këmbëngulja për të gjetur bëhet edhe lajtmotiv. Të gjithë kërkojmë e gjejmë, secili sipas mënyrës së vet, Gjergjin e tij, që i jep kuptim ekzistencës që secili prej nesh ia jep edhe qenies së vet sot dhe vendit në shoqëri. Të gjithë kemi një arsye për të kërkuar.
Një yll polar drejtues është dhe romani “Në kohën e britmës”, i cili orienton një brez të ri të kuptojë dhe të njohë. Ai nxit besimin te optimizmi si psikologjie e përmirësit, duke ndikuar në formimin e qytetarit aktiv, që di nga vjen dhe njeh sakrificën.
“Në kohën e britmës” modelon, jo vetëm te të rinjtë, një qasje mirënjohjeje ndaj atyre që me guxim kundërshtuan, nderim ndaj atyre që kanë dhenë ndihmesën në demokratizimin e shoqërisë, për të kuptuar që asgjë që sot është e mirëqenë, s’ka qenë e lehtë për t’u arritur.
Sistemi i vlerave është përmbysur, shpesh anormalja kthehet në normë, apo privimi nga mundësitë e barabarta bëhet më tepër se sfidues, modelet orientuese jo gjithmonë janë zhvilluese e ndonjëherë demotivuese dhe sidomos gjenden përballë një pakënaqësie të akumuluar ndër vite dhe izolimi të nformacionit politik që qarkullon.
Jemi në një kohë e një brez që e njeh vështirësinë, atë emigrim të një rifillimi të jetës nga e para, një brez që ka të drejtë, ndaj kërkon ato që i takojnë.
Të rinjtë sot kanë aspirata të tjera. Ata kanë informacion dhe kulturën e dialogut dhe me dinjitet kërkojnë jo më vetëm revolucionin politik, siç ishte rënia e komunizimit në vitet 1990, por një revolucion në mënyrën si një qytetar i shekullit XXI duhet të trajtohet në Shqipëri. Dëgjojeni... duke sjellë mendimin e ri, idenë zhvilluese e përparimtare, të cilat frymëzohen nga dija dhe leximi. Ky roman është nga ata libra që pasuron dhe na thërret me simbolikë, sidomos për të gjetur një motivim me grintën për të bërë vendin më të mirë, për të gjetur veten, se çdo kohë ka britmën e vet njerëzore.
Tiranë, qershor 2026








Comments