top of page

Odise Gremo: MOS E USHQE GAFOREN

  • Jun 29
  • 3 min read

Biologjia më ka tërhequr gjithmonë. Orët e mësimit në këtë lëndë në shkollën tetëvjeçare me mësuesin Stavro Jorgji, i ndiqja me kureshtje. Ai na kërkon të sillnim gaforre në orët praktike dhe ne shkon në lumë për t'i kapur.

I futnim në kavanoz për të studiuar anatominë. E shihnim shumëkëmbëshin të përplaset pas qelqit, izoluar në një mjedis artificial që nuk kontrollon gjithçka.

Disa gaforre mësuesi i balsamoste. Ato mbeteshin aty, në kohë, të mbushura me formalinë, duke u kthyer në iluzionin e një jete që nuk ekziston më.

Politika sot është po ai kavanoz, por pak më ndryshe. Regjimi është gaforrja që kemi izoluar në qelqin e historisë. Ai vazhdon të qëndrojë pas xhamit, të duket i gjallë, të bëjë lëvizje të forta për të treguar se ende sundon, por pa popullin e tij ai po vyshket. Është një trup që lëviz vetëm për inerci, ndërsa realiteti i tij po kthehet në atë të një ekzemplari të balsamuar: një pushtet që ka ujë, por i ka ikur përmbajtja e jetës.

Në kuptimin e mirëfilltë, ne nuk mund të kapim një Kryeministër dhe ta balsamosim me formalin brenda një xhami të mbyllur hermetikisht. Por ka të tjera mënyra , shumë më shkatërruese për një sistem: ndalimi i ushqimit.

Pushteti vdes pa "vitaminat" që i japim çdo ditë:

Kur nëpunësi refuzon të jetë vegël e korrupsionit, kur politika refuzon të jetë mburojë e gjithësisë, kur mësuesi refuzon të bëhet propagandues. Ky është momenti kur ndalojmë së "kujdesuri " për gaforren brenda kavanozit.

Një regjim që varet nga patronazhimi, nuk mund të mbijetojë nëse nuk e kthejmë indiferencën tonë në armën më të fortë. Kur nuk e ndjekim, nuk vlerësojmë dhe nuk e financojmë me taksat tona që na mban të robëruar, ne po thajmë lëngun jetësor të sistemit.

Nuk na intereson "Kush do ta rrëzojë mbretin?", por "Kush po e ushqen ende, dhe pse?".

Përmbysja e vërtetë nuk ka gjak në duar, ka dritë në mendje. Ajo nuk thërret "Vriteni!", ajo thërret: "Mos i jepni ushqim, lëreni të ngordhi."

Kur populli nuk e ndihmon, pushteti mbetet i pafuqishëm dhe, më në fund, i balsamuar nga historia.

Në një libër për insektet kam mësuar se në një koloni milingonash, mbretëresha nuk jep urdhra; ajo lëshon sinjale kimike që do të thotë se “koka” është ende gjallë. Edhe regjimet jetojnë mbi një rrëfim të tillë: "Pa mua ka kaos. Unë jam mbi të gjithë."

Për sa kohë ky rrëfim besohet, vazhdon të jetojë.

Por kur mbretëresha plaket dhe nuk prodhon më jetë, punëtoret nuk organizojnë grusht shteti. Ato thjesht ndalojnë ta ushqejnë.

Uria e lufton vet mekanizmin që mban gjallë pushtetin.

Oligarkët janë furnizuesit, jo mbështetësit ata sjellin paratë e taksave, tenderat, lejet për ta mbajtur atë gjallë. Nëse ne ndalojmë së bleri produktet e tyre, së punuari për kompanitë e tyre, apo së legjitimuar ndikimin e tyre, ne i presim furnizimin me oksigjen kavanozit.

Shpopullimi është një fole që po zbrazet. Dhe në natyrë, asnjë boshllëk nuk mbetet për shumë kohë.

Një mbret mund të ushqehet nga të huajt, por në atë çast ai nuk sundon më mbi popullin e vet. Sundon vetëm mbi një territor. Ka kurorë, por jo besim.

Ne nuk na intereson: Kush do ta rrëzojë mbretin, por kush po e ushqen ende, dhe pse?

Përmbysja e vërtetë nuk ka gjak në duar. Ka dritë në mendje. Ajo nuk thërret "Rama në burg, Berisha në burg!" por “Rama pa bukë, Berisha pa bukë!”

Një regjim nuk rrëzohet gjithmonë nga protestat paqësore apo të dhunshme. Më shpesh ai vdes nga mungesa. Nga ajo uri e ngadaltë që nuk bën zhurmë, por e zbraz sistemin nga brenda.

2 Comments


Ibrahim Didani
Jun 29

Urime Odise Gremo!

Krenohemi me talentin dhe aftësitë e tua krijuese!

Like

Fatmir Terziu
Jun 29

Odise Gremo di të ndërtojë metafora që nuk mbeten vetëm figura letrare, por shndërrohen në instrumente të mendimit kritik. Në shkrimin “Mos e ushqe gaforen”, ai e merr një kujtim të thjeshtë nga laboratori i biologjisë dhe e kthen në një alegori të fuqishme për pushtetin, varësinë dhe përgjegjësinë qytetare. Është një tekst që nuk kërkon vetëm të bindë, por të zgjojë ndërgjegjen, duke e zhvendosur pyetjen nga “kush sundon?” tek “kush e mban gjallë sundimin?”.

Forca e këtij shkrimi qëndron pikërisht te ndërthurja e shkencës me filozofinë politike dhe te gjuha e qartë, që arrin të komunikojë ide të ndërlikuara përmes shembujve të thjeshtë e të kuptueshëm. Edhe kur lexuesi mund të mos pajtohet me çdo përfundim, ai vështirë…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page