top of page

“OAZET”...


“OAZET” E ËNDËRRTA TË SHKOLLËS NËPËR KUJTIME….


Zëri im ju ndrit nëpër mëngjeze diellore të ditës, në ritakime të vonuara,por të ëndërruara në vite…Bukuroshja e fjetur prej dashurisë humbi rininë, ne prej mallit jemi kthyer në një Itakë kujtimi me autografe të argjendta .

Cdonjeri loton për të shkuarën, ka formuar një histori nga dashuria e shkruar. Ndonjë në çastet pakthim dhe rrëmujën e mendimeve mundohet të zbres yjet në tokë, të shkrijë ngjyrat në pasqyrën e liqenit apo dhe të sjell buzëqeshjen si pikturë…Unë gërmoj kujtimet e gdhendura për të nxjerrë fjalët e pathëna e për të ndriçuar imazhe të reja nga jeta ku ndjenjat nuk krahasiten dot si pemët !...

Vazhdoj t’i jap shpirtit përplasjen me ëndrrat si dallgë e liqenit tim !.Dhe më vjen ndërmend portreti i buzëqeshjes së një vajze si “himni i Perëndeshës” në bregun e zemrës. Më shfaqet në kinotekën e kujtesës sime gjithë shoqeria e shkollës me fjalët e shpirtit si stoli. Imagjonoj ditët e dikurshme në statujën e rinisë, “oazet e ëndërrta” që na hapnin në shpirtë vajzat si zana të arta në sharmin e Tomorrit hijerëndë prej Dodonës…

Jetuam e mësuam në një qytet të lashtë që të habit për befasitë që krijon. Një qytet i ndritshëm motesh të largëta 2600-vjeçare që na ndezi flakë diturinë, dashurinë dhe dinjitetin jetësor. Kjo nuk është pak për një moshë adoleshente që nuk ka shkelur ende rrugët e vështira të jetës. Ne patëm fat të ndiheshim krenar në krahët muzeale të BERATIT, në madhështinë e kohrave të vjetra e të reja, në dashurinë prej dielli që na zgjoi në shpirtë imazhi i papërsëritshëm i Kalasë dhe Osumit me plotë zambakë të bardhë!.

Kështu edhe historia jonë e shkollës fillon me ditë të reja të panjohura më parë, me çapkënllëqe që i solli koha e parë e rinisë, me njohje e dashuri që nuk përsëriten më…

E vërteta është se nuk e pata të lehtë të mbush faqet e këtij libri kujtimesh. Mbi kohë ku “gjurma” mbetet, mu duhesh të kaloja dredhi fantastike, të ëndërroja prapë si adoleshent e të përjetoja emocione të veçanta të një moshe pa kthim në jetë. Dhe nuk ndryshova asgjë në melankolinë e dikurshme mbi rrugicat me gurë e sfond të ndritshëm. Në fasadën e qytetit të lashtë lexoj përsëri kujtimet e brishta, pa shkelur “kësmetin” e një kohe tjetër.

I heshtur si në përralla, fillova të kërkoj degëzimet e një shoqerie që u gatua si “stuhi në shpirtë” dhe nuk u përzie kurrë me kotësinë…Kjo “portë kujtimesh” e rrethuar me pemë të mëdha të viteve tona, buzëqesh si vetë pragu i shtëpisë ku lindi ky vërshim rinie…Fytyra të celura, sy të pastër qelq e plot dritë, rrezatime të bukura, shpirtëra të çelur e të freskët, një “zbavitje” e tërë e këndshme mbush kënaqësitë e shpirtit tim.

Në këtë tallazitje romantike të viteve të shkollës, ndjej freskinë jetësore për të filluar “takimin” me një moshë të këndshme plot freski e dashuri, që ka vlagë në jetë.

S’ka legjendë më të bukur !...


“E bukura është po aq e nevojshme sa edhe e dobishmja. Edhe më shumë ndoshta!...”,- kështu thuhet

nga shpirti i një shkrimtari që ka vëzhguar sa e sa situata jete. Nuk ndyshon tek mua asgjë nga kjo sentencë universale për të bukurën e nevojshme në jetë. Në ato rrugica të kalldrëmta të Kalasë mijëvjecare ku ndizeshin ëndrrat dhe e qeshura rinore si zjarr e flakë, shëtitjet u kthyen në një dehje mëngjezore të jetës. Vërtetë vite të adhurueshme !...

Ky shpirtë me ngjyrë trëndafili, më i freskët se agimi, u bë një rrezatim i tërë dhe kurrë nuk e harroj atë aventurë me fjalë zemre e dashurie tërë zjarr e flakë, si vizatim i rrallë në fytyrë !...

BUKURIA FILLON TEK TI….

Ato sy të blertë si natyra në pranverë, të kaltërtë si deti, konkuronin të gjitha ndjeshmëritë. Ishte e bukur, e modeluar si krijesë e fisme për ëndërruesit e rrallë. Fytyra e saj e virgjër, me dinjitet serioz, ishte një shpërthim i gjithë asaj dehjeje të moshës, stinës dhe dashurisë!...

Nuk kishte harmoni më të bukur midis fytyrës, flokëve dhe lëkurës së bardhë borë të këmbëve, në atë të qeshur të freskët plot dashamirësi e qendresë ëndërruese, që përfshinte ciltër që në castin e parë…

Edhe tani që shkruaj këtë libër, përsëri nuk e harroj frymëzimin nga kjo vajzë si “trëndafil nën diellin që perëndon” dhe më sjell ndërmend c’rregullimin shpirtëror të vetvetes dhe shënimin në bllokun e kujtimeve :

“ Unë jam nga liqeni

Dashurinë puth gjithë jetën

Dëfrehem si shëtitës i kënaqur

Bukuria tek ty fillon !...”.

Portretin e kësaj vajze ma vizatoi me laps plumbi Baki Selenica dhe e mbaj si një ndjenjë të gatuar tërësisht me “vyrtytin e vyer në shpirtë”. Si lule qiellore, një lulëzim i mistershëm dhe shtjellime gazmore me fjalët e ëmbla të një romance të mocme : “ C’qënka trëndafili - lule për stoli”.

NUK TRETEN KURRË “GJURMËT” E VITEVE TË SHKOLLËS…

40 vjet më parë, ne të gjithë “Zambakët e qeshur”, mbaruam shkollën e mesme ekonomiko-bujqësore “Kristo Isak” në Berat ku drejtor shkolle ishte NIKO DHIMA. Në miniaturën profesionale të shkollës sonë ne përbënim klasën E- 3 me 35 nxënës, nga të cilët 11 djem dhe 24 vajza. Një raport i këndshëm për moshën e ëndrrave, një kompleks ndjenjash i adhurueshëm për hollësitë e kujtesës rinore. Shumica ishim konviktorë të ardhur nga Korça, Erseka, Skrapari, Tepelena, Fieri, Vlora, Gjirokastra, Saranda etj. Vetëm disa si Lutfije Speci, Hajrie Pone, Burbuqe Hysi, Tabene Bedini e Vasil Xheblati ishin vendas nga qyteti i Beratit që banonin në lagjet “Kushtrimi”, “8 Nëntori” e “Kala”.

Në ato vite të vrullshme rinore, kur hodhëm hapin e parë të adoleshencës delikate, ne ishim plot dashuri për njeri – tjetrin.Pa vese, pa koncepte që “thyenin” dinjitetin apo karakterin e tjetrit. Një moshë e artë plot kujtime dhe ëndrra na flet në vazhdimësi. Të gjithë ruajmë një bllok të thjeshtë ku hodhëm atëhere kujtimet rinore të shkollës. Diçka e vyer, plot vlera e dashuri. Ishim atëhere vetëm 18 vjeçarë, të njomë si bari i Majit, plot vrull e bukuri !...

Secili në formën e vetë, la në blloqe kujtime, foto e portrete gjatë 4 vjetëve të shkollës, që sot në memorien e nostalgjisë së shoqerisë së vjetër, përbëjnë një “mal” të madh kujtimesh. Bashkëudhëtarët tanë romantikë, me portretin e tyre të vogël e të brishtë, zgjojnë një tablo të tërë përpara syve me ngjarje, dëshira dhe ëndrra që filluan të hedhin rrënjë në oborrin e shkollës atë 1 Shtator 1978… Ferdinandi u skuqej vështrimit të vajzave dhe ashtu ngultas buzëqeshte pa shkak. Mehdiu nga Ballagati i Lushnjës ishte gallatë e gjallë deri në kotësi. Ganiu nga Erseka përkëdhelej në sedër si një femër e butë. Vlashi i xinxifeve të këndshme të Lushnjës( nga Krutja e dëgjuar)këndonte vetëm me melodinë e fushës… Diamanti me flokët gështenjë impononte seriozitet të dukshëm me tipare burrërore…Gezimi nga Buzi dhe Guri nga Memaliaj të Tepelenës, mbanin si simbol krenarinë e Ali Pashës dhe mikpritjen e Ujit të Ftohtë ku rridhte dashuri…Arti Papajani nga Barmashi i Ersekës lundronte në “vetminë pa kuptim” dhe rrinte i shushatur si yjet…Vasil Xheblati me vështrimin e butë të syve vinte çdo mëngjez nga erërat e Kalasë që dominonte qytetin…Agroni i vogël dhe i urtë vështronte çuditshëm dhe rrinte larg gjërave të zakonshme dhe nuk përzihej aspak me hapin e ndryshimit që impononte mosha e adoleshencës sonë…

Po vajzat ?!. Ato ishin shumë. Me “dritë të kaltër” erdhën nëpër peizazhet e gurta të qytetit të Beratit. Marianthi Bushi, Mimoza Gegolli, Mimoza Larti, Lumturije Anelli, Fitrete Hysenllari, Shqiponja Rustemi e Natasha Mucollari vinin nga Korça e serenatave që të rrëmbente me tinguj…Miranda Gjermani, Feruze Tabaku, Jolanda Bitri, Miranda Cerepi, Natasha Bega vinin nga Lushnja e Myzeqesë shqiptare plot hapësirë dhe bereqet…Lindita Xhezairi, Valentina Laho, Pranvera Hodo, Luiza Caushi, Albina Iljazi vinin nga Erseka me atë bukurinë e shpallur në këngë si“manushaqe e prillit në mes të dëborës !”…Alma Bako nga Kuçova e naftës edhe pse e buzëqeshur, mbështillej e tëra me një “trishtim të qelqët”, tamam si puset gri të vendit naftëmbajtës me oxhaqet e tymit gjer në qiell…Sofije Pilo nga Kutallia e bardhësisë së pambukut kishte një pamje të qetë dhe sy të shkëlqyeshëm si rrezja e dritës…Haxhire Xhelaj nga Fratari i Fierit rrinte gjithmonë në “ndrojtjen” e emocioneve nga sfondi gjallërues i shkollës.

Qyteti ku mësuam si një “trëndafil” e kemi murosur në gji. Osumit ja ndaluam rrjedhën për dashurinë e lindur “me puthjen e gurit të çmuar”. Me malin e Tomorrit të shenjtë zbukuruam zbrazëtinë se hapësira e tokës gjer në horizont na jepte forcë hyjnore. Me vajzat kishim harmoni, një ndjenjë që rridhte si krua në shpirtë. Cuditërisht na dukeshin si “hënëz pogradeci” mbi liqen e na trazonin ndjenjat. Askush nga ne djemtë nuk harron diellin e shikimit të tyre me sy rrezatues plot ndjenja. Dhe sot, në ketë moshë të avancuar të jetës, ende “drithërohemi” me sizmikën e tyre “magjike” që ngrinte “serenata heshtjesh” :

Në takimin e netëve të fshehta

Na ngrinte kurth bukuria e tyre

Dashurinë nuk e lamë të lëngojë honeve

I dhamë udhë si zogj që ngjiten sipër resh

Nuk humbëm kurrrë buzëqeshjen !...

Katalizma jonë rinore, me triptik dëshirash e vetëtimë në zemër, qëndronte gjithmonë si melodi e nghyrosur në ylberin e ndjenjave. Ne të gjithë, një tufë djemsh e vajzash nga krahina të ndryshme të Shqipërisë së Jugut, nga Korça deri në Sarandë,ishim një tingull i rrëmbyeshëm me “magmë antike” si vetë Berati-muze.Shpirtit tonë të qënësishëm për dije e njohje të reja i dolëm për zot, u miqësuam nëpërmjet fjalës dhe romancës së ndjerë shpirtërore, tamam si gjenitë nëpër sfida. Dikush do të thotë ishin kohë të tjera. Vërtetë atëhere koha s’kishte lindur “demona”, por ëndrra jonë rinore krijonte gjithmonë një “vend të ngrohtë” larg ligësive dhe nuk harronte romanca të tilla si “Puthja e Judës”. Kjo kohëz rinore mbolli degëza të argjendta të shoqerisë së dlirë shkollore, që le gjurmë në perandorinë e shkëlqimit të viteve…

Ndaj në piedestalin e muzgjeve tanë tokësor me dritë të re jete e urraganë ëndrrash, libri me kujtime “ Zambakët e Qeshur” është një befasi e admirueshme për cdo shok e shoqe të viteve të vjetra, sic i quajmë 35 vjetët e kaluara nga koha e shkollës në Berat. Ai ndricon ylberin e ndjenjave në dëshirat tona më të thella të jetës. Ky libër, si një antologji poetike e shpirtërore për një maturë të paharruar në “Kristo Isak” Berat ( 1978 – 1982 ), është një mesazh i bukur se shoqeria e lindur në shkollë, ndërtyon një “muze” të tërë, me kujtime që rrezatojnë gjatë në jetë. Testamenti i saj është lënë me përmallim : “ Mos ndahemi kurrë !”.

PIKË LOTI MBI TRËNDAFILA…

Askush nuk e harron mbrëmjen e fundit të maturës. Koha e ndarjes nga 4 vjetët e shkollës “trokiti” shpejtë. Ëndrrat e “ thurura” në shpirtë nuk kishin marrë “finishin” e dëshiruar. Mbetën pa mbaruar shumë biseda,shumë kujtime kishin një “hap të ngadalësuar”, shumë mbresa e përshtypje ishin “stivosur” në shpirtë si një magazinë pa inventar…

Ajo natë e gjatë e mbrëmjes së maturës, derdhi lotët e saj mbi tërë trëndafilat e qytetit buzë Osumit. Nuk ishte I lehtë ky lëndim ndjenjash…Në rrjedhën e këtij rrëfimi brenda botës së secilit, ne gjejmë edhe fjalën e fshehur të dikujtë, që nuk është fare i dukshëm mes nesh. Në imagjinatën e lirisë së ndjenjës kemi futur brenda në shpirtë pyetjen më enigmatike : “C’ndodhi në sytë e gështenjave ?” ( sipas sentencës letrare në romanin estetik “Sytë e gështenjave të egra” të shkrimtarit Sadik Bejko) dhe përsëri lotët e trëndafilave ndrijnë me sytë si rubini kur vezullojnë !...

Nata e fundit e maturës ishte ndezur flakë e mbi të lozte gjithë drita e moshës më të bukur nën tingujt e këngës së paharrueshme me motivet e poetes Ana Ahmatova :

“ Është e tmerrshme, është dhimbje

Të dashurosh me shpirtë në heshtje !...”

E tillë do të tregohet gjithmonë kjo “sofër gëzimi rinor” që krijoi matura jonë mbi sdhkëmbinjtë e thepisur të qytetit dhe lotët e mallit i derdhi në shtratin e lumit “OSUM” tamam si zambakë të bardhë në peizazhin e lulëzuar !...

Komplimentet kishin humbur durimin e mallëngjimit dhe morrën ëndrrën e kujtimit !,,,ashtu si thënia poetike e Driteroit të madh që thoshte : “ Të mburim njeri – tjetrin,/ T’ia bëjmë shoku-shokut komplimentin,/ Në caste dashurie e pendimi…”.

U “zbrazën” dhe dëshirat e fundit këtë mbrëmje të gjatë. Unë, Miranda, Hajria, Marianthi, Valentina, Arti, Lindita etj kishim marrë “vendimin” të vazhdonim studimet e larta. Të tjerët, pjesa më e madhe e kolektivit tonë 4 vjecar, kishin mbyllur kapitullin e shkollimit dhe “përqafoheshin” me shpresa të reja për jetën. Bile edhe në blloqet e kujtimeve këto sedra dëshire ishin vecuar për cdo rast kujtese dhe u përzien me këto pika loti në “ndarjen e fundit”…

Fjalët që i kemi shkruar njeri – tjetrit në blloqet e kujtimeve, që Ferdinandi i zbukuroi me kujdes femre, kanë mbetur të dashura, të ciltëra, të kaltërta e të pa zverdhura nga vitet…

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page