top of page

NËPËR RRJESHTA VJESHTE


Brahim (Ibish) AVDYLI:

NËPËR RRJESHTA VJESHTE

1.

Trokasin në sy

përballjet

e zhveshjes vjeshtake.

Çfarë të mledhë

në shportat e prishura

të ditëve,

nuk kam çka të marr

vetëm nëse i mbledhë

fletët e shkundura nga furtunat,

ndonjë petale lulesh

me lotin në pejza

e ka mbyllur jetën,

tani

nuk është koha

kur ia shpallnin botës

bukurinë!...

2.

Lugjeve të dhembjes

bredhë kot

me gjysëm shpirti

të zonuar

e nuk e di ku hargjohen

rrjeshtat e gjata

të kësaj stine,

pak nga pak

afrohet stina e bardhë

të zbresë

nga qiejt e mendimit

e ku të gjëj

ofshamën e kalbur

për kokrrat e njoma!...

3.

As pemën e mbushur

plot me fryte

të mburrjeve të mira

nuk e gjëj,

nuk e di

çka do t`ia pëshpërisin

njëra tjetrës me vaj

fletët e lëkundura nga erërat

në rremb

ende ka fletë të mbetura

nga çdo dhembje

vjeshta është

stinë e harlisur-

dhembja dhembjen e shkel!...

4.

Çka ishte

t`ua marr lakmi

para zverdhjes së gjollit

në gjethe

lisave të gjatë të maleve

përballë kryengritjeve

të Diellit të Këngëve,

tashmë

në shportën e viteve

nuk gjëj vargje të reja

e u desh ta mbush

një shportë të fryteve

e mos ta djegë zbrazëtia!...

5.

Ylberat e fjalëve

vijnë nga lart

e ne i hedhim

papriturazi

në koshat e plehrave.

Më ka mbetur

gjysma shportë e djegur

gjysma tjetër

e thatë,

pa kurrorë frytesh

varur nëpër degë

përpjekjesh!...

Çuditërisht,

bjen nga pak Diell

në mes të vargjeve!...

NGJYRAT E MENDIMIT

1.

Papritmas

i bie lisit të vërejtjeve tona

një dorë drite

derisa i shkundin fletët e mendimeve

në një çast të ikjes

nga bashkëkohësia.

2.

Lotë rrjedhin

nëpër rrugëtimet e zemrës

nuk e kuptoj pse më bëjnë aq të ligë

kur të tjerët

i vjerrin aureolat e rrejshme

përball meje

edhe pse Diellin e Alpet i kam në dorë

e copëtohem krejtesisht

për ta dëshmuar Drejtësinë!...

3.

I zhgënjyer

përplasem nëpër cepat e mjerimit

qenia më copëtohet

me ngjyra të thyera drite,

e poshtë është vërejtja e urtë

më lartë ngritet pabarazia

vazhdimisht i vendosë

një nga një parejtësitë...

Dikur,

ngriten përpjetë

ngjyrat e mendimit

për ta vendosur ku nevojitet

portokallin e kuqrremtë të dhembjes!...

4.

Më në fund

dhembja pëlset

kuq si gjaku në mjedis të ndjenjave

pingultas

duke ecur

nëpër rrugicën e dritës

e shpërdahet

në qindra ngjyra

vetmia e durimit

llogaritë e pritjes

duke i mbledhur

me shpirtin e bluar të dhuntisë!...

5.

Atëherë

vetmia bëhet kurorë pikëllimi-

kush lidhet me këngën e braktisur,

askush nuk tregohet

aq i prekur

me fjalët e pakuptuara-

është e kot të shtresojmë ngjyrat,

le të bjerret ngadalë

kupola e mendimeve

e të rreshë me to

gjethe të thara jete!...

PËRPLASJA NË DET

Po të mos kishte qenë

kjo stuhi e dalur bese

me vetëtima të kobeve

e stërkala të tmerrshme

nuk do të përplaseshim në det

me pamëshirën e dhembjes

se fundi i detit të fjalëve

do t`i ruante fshehtësitë

e nuk do të ngriste gjithë këtë llum

në krye të valëve

për të goditur pa mëshirë

brigjet e heshtura...

Athua fundi i botës përpëlaset

nën këtë tmerr qiejsh

që pëlset ndër vetëtima

e murmurima fjalësh-

të ligat i kemi shehur në det

e veç puhinë e lehtë

e kemi përcjellur në valë!

DHEMBJA E GJYKIMIT

1.

Në e kërkoftë dikush

fjalën e sertë

ballë për ballë

me të Drejtën

bluani

në mullirin e shpirtit

gufimet e gjakut

e me buzëqeshjen tuaj

vetëm kthene

fjalën e urtë!...

2.

Në i kërkoftë dikush

faktet e gjalla

ballë për ballë

me të Vërtetën

hapeni ju

arenën e ndjenjave

qe të marrë frymë

e kthene

me përkushtimin permanent

fjalën e sinqertë!...

3.

Në i kërkoftë dikush

ballë për ballë

mendimet e ndritshme

të Diellit

e secili që e quan

vetveten Njeri

hapeni zemrën tuaj

siç e thotë

qenia e gjallë

dhe lëshoni ngadalë

e bindshëm

dashurinë polivalente!...

4.

Në e kërkoftë dikush

ballë përballë

të Njohjes

secili që i thotë

vetvetes autor

peshoni fjalët tuaja

me peshoren e artit

e mendja e juaj

do ta prehë

lirshëm

aftësinë e gjykimit!...

5.

A do të quhen

proporcione të sakta

e shkëndijat e dritës

apo balafaqimet

më të përpikta

të qëndrimit tuaj

nuk e zë goja të thotë

por e përmbajnë

dhembjen e gjykimit!...

AMAZONAT E KËNGËS SONË

1.

Një enigmë e madhe

prapa kodrave qëndron

prore më shtyp

në zemrën e viteve,

më lë të pa të fjetur

e as të zgjaur

me mendimet e pa fjalë-

enigmë e pazgjidhur

si mjegull e paqartë!

2.

Për gabimet e vogla

të dy djemve të mëdhenj

qaj e kërkoj falje,

për gabimet njerëzore

në përgjithësi-

fati bëhet edhe pafat

pafati sillet me furtunë

futunat përfshijnë të pafajshëm

në vend të ligut shkon i miri

mezi mbetet ndonjë vend

për të Drejtën

e të Vërtetën...

Çudi,

a duhet që të jap jetën

për nipa e mbesa

e t`ua mbush kështu

duart e zbrazura të fëmijërisë!

3.

Ndonjëherë dëgjoj

zëra të tjerë nga historia

i ndjejë fëmijët

që flasin e buzëqeshin

shqip nga Dodona

e lozin me gëzime,

midis tyre

më duket Demetra

në atë ëndërr apo zhgjëndërr

me gasin e bukur,

grushtin e mbushur të kallinjëve

i mbanë në njërën dorë

e me tjetrën

draprin ma tregon

prandaj rrezet e dritës

i lëshohen pas koke

ndriçon prej andej

aureola e mbretërisë!

4.

Kudo i kam pranë vetës

amazonat e fuqishme të këngës

nuk e di a duhet të jenë

muza të vargjeve,

e ngrehin trupin e ngjeshur burrëror

sikur në antikë

e herë herë më ngjallen në Kosovë

apo në një kohë tjetër,

mendohem gjatë me dhembjet e mia

shqetësom e vuaj

në një enigmë,

a u kam hak amazonave të mia

edhe pse më mungojnë

për dhjetra vite-

pore ndër ëndërra

nuk më lënë të qetë!

5.

Një monedhë

e mbaj nëpër duar,

kur e kthej në anën tjetër

është gruaja-

zotneshë,

Galatea ishte nëna e jonë

e vargjeve të pa këputura,

ilirisht i kemi gëdhendur

duke shtuar

shpresën e ditës sonë,

me emrin e saj

jemi përkundur ndër valë

deri në Azinë e Vogël,

Babë, Polifem

pse nuk na e ke thënë

se në damarët tanë

e kemi

prej atëhere

gjakun e këngëve!

6.

Duke lundruar nëpër detra

i shikonim Yjet

për të na e dëshmuar

rrugën e kthimit

derisa i kërkonim

Lopët e Diellit

me vetëdijen e pështjelluar

të sirenave...

Kështu shpenzuam energjinë

duke i menduar Zotat

me një trup njeriu,

vetëm ata na e përtërinin

mbi valë fuqinë

e mbetëm Yllor!

7.

Duke e përfytyruar si njeri

do të kishte qeshur

me anomalitë tona

energjia kozmike,

Maria Magdalena

rri pranë Jezus Krishtit,

e në mes të tyre

qëndron hapësira “V”

si Viktoria,

nuk mund të jetë ndryshe

pos një Fitore

me vuajtjet e mëdha

për të fituar

origjinalitetin!...

8.

Ka ardhur koha

të gjendet e Vërteta,

në kokë e mbajnë fshehtësinë

të gjitha religjionet,

pas tyre qëndron

një femër-

herë Shiva e herë amazonë,

tjera herë kthehet

përsëri në Dodonë

i shpërlanë gurët e mykur të kalasë

e bëhet pëllumb i bardhë

për të mbjellur paqen

mbi njerëz,

Zoti i jonë qëndron

mbi Galaktika

ne jemi fluska të dhembjes së tij-

rrënjë e madhe

e përkujtimeve tona!...

9.

Rri në këmbë

para befasisë

papritmas bëhem fëmijë

e te kulla e plisit të hekurit

fërkemin e kalit

e kërkoj ndër ëndërrime.

Dy motrat e mija

të zemëruara tej mase

i bërtisnin shekujt në mua,

këkoja diçka

nëpër themelet e kullës

së mbushur me therra

nga e keqja,

e fjalën e nderit

të familjes e mbronin

me thuprat e ngjeshura

të fëmijërisë sime,

kishin frigë

nga orët e maleve

Zanat e Kullës së Diellit!

10.

Befas

nga të qarat e fëmijërisë

të etur për rrënjë

të kësaj kulle

e të këngës sime

doli nga therrat

Ora e Shenjtë

përtej realitetit të përceptimeve

vraponte drejtë mesh

mbi barin e gjatë

duke e thirrur në emër

motrën e madhe

që godiste

dhembjet mbi mua

e qante vetë!

11.

Askush nuk guxon

këtë djalë ta rrahë

ndonëse kërkon diçka

te Kulla e Plisit,

e poqese e thyeni

njëherë këtë Besë

për ditën e madhe

të Ilirisë

do të më keni mua

me goditjet magjike

mbi shpatullat e dhembjes

e kurrë nuk do të më shihni

nga vetja e juaj

pos vegimit të fjalës!

12.

Nga flokët e arta

drita shndërrohej në Diell

e prej andej

prore i kujtoj

Orët e Maleve tona.

Herë herë më lidhet

në mërgatë

me vajzën pllavushkë

që shkoi nga bota

pas dymbjetë viteve

duke u kacafytur

për mua

me prindët e vet,

e sa të tjera që kalirojnë

mbi erërat e qiellit

e nuk e di

nëse janë të parat

apo amazonat e këngës,

muzat e lirisë!

E ARTA VJESHTË

Vdekja

nuk është vjeshtë

me ngjyrat e arta

të hijes e të dritës,

ajo dridhet

në një gjeth të zverdhur

në vibrimet vjetore

shportave të dhembjes,

është mbledhja e artë

e të gjitha meditimeve

rezultatit të ndenjave

e grumbullimit të gjërave

apo e medimeve

deri në skajin e ngjyrave

nëpër furtunë erërash...

Kjo është vjeshta

e të korrurave tona

prej tri stinëve,

bjerret dikur ngadalë

nga të gjitha fjalët!

TË KORRAT E ARTIT

Disa pjeken përpara

disa pjeken pas kohe,

vjeshta e zgjatë dorën

të mbeldhë të korrat e saja

para dimrit...

Të gjitha krijimet

e artit të gjërë dhe lirikës

shprehin aureolat e bukurisë

në këtë stinë...

Pëpiqemi që ti mbledhim

tingujt e vegjël të melodisë

te bjeshkët e mendimeve,

e t`i masim përherë

me dridhjet e zemrës!...

Zemra e ndjenë

valën e gjërave

sytë e mbasin

dridhjen e territ e të dritës,

veshët i marrin

zërat e largët

para dhe pas kodrave të shiqimit,

gjithçka peshon

pastaj mendja jonë,

e shpirti është ndjenja më e lartë-

i ndjenë fjalët e pathëna

edhe të thëna...

janë të korrat e artit

të korrat e fatit!...


4 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page