top of page

Në punë...


Meri Lalaj

Në punë edhe ditën e diel, Profesoresha Najada Çomo!?

Ndonëse i pata bërë të tria vaksinat, u sëmura nga Covidi. Nuk doja të shkoja në spital, por kur arriti puna që nuk po merrja dot më frymë u detyrova dhe më morën me ambulancë. Tek porta e Spitalit Infektiv, kur më zbritën, një burrë më pyeti: “A ke varëse floriri, unazë etj?” “Jo,” u përgjigja duke menduar se shkaktohet ndonjë reaksion ndaj ilaçeve me këto mjete (pa e vrarë mendjen pak më tej). Pastaj më detyruan që ta lë çantën tek të afërmit sepse nuk lejohej asnjë lek me vete. U lejuan vetëm celulari, syzet dhe ilaçet e nevojshme. Ato çaste isha shumë e trullosur, por më vonë mendova si nuk pyeta “A lejohen librat?”.

Më futën tek Urgjenca e Infektivit e ndërtuar rishtas, aty dy djem infermierë veçanërisht Olsi Preza, i cili qëndroi pothuaj gjithë natës me mua, Olsi, i qetë, i përpiktë, serioz vijonte punën me mjekimin tim si ndonjë shkencëtar.

Në mëngjes më dërguan në pavijon Në vizitën e mëngjesit, ndonëse është pushim vjen Profesoresha Najada Çomo, “Lavdërime paç!” (sipas Dritëroit) doktoresha Najada! Është hera e parë që takohemi përballë njëra tjetrës: unë e sëmura dhe ajo mjekja. Vitin e kaluar ne të dyja ishim zgjedhur kandidate për deputete në Kuvendin Popullor në kahe të kundërt politikë, por unë e adhuroj dhe vlerësoj punën e saj aq të paepur. Dhe sa e mençur u tregua Profesoresha që megjithëse fitoi në zgjedhjet nuk pranoi që të bëhej një deputete e rëndomtë që tund e shkund një çantë të shtrenjtë dhe bën paradë mode në oborrin e Kuvendit Popullor, sepse Doktoresha Najada në personin e saj është sa për disa deputete, ajo ka zgjedhur profesionin e mrekullueshëm të mjekut në shërbim të të sëmurëve i është betuar Hipokratit dhe vijon me përkushtim punën e saj në ndihmë të të sëmurëve, është nga ata njerëz që shtyn përpara shoqërinë shqiptare.

U habita kur Profesoresha Najada erdhi për vizitën e mëngjesit edhe të Dielën e Pashkës Katolike, po kështu edhe të hënën që ishte pushim. Ajo vjen çdo mëngjes e shoqëruar nga shpura e infermierëve, të cilët e ndjekin me vëmendje dhe kujdes. Ecën korridorit të pavijonit shtatlartë, e shkathët, autoritare, flokëkuqe e veshur me kostumin mbrojtës të virusit dhe ashtu mua më duket si ato femrat kozmonaute që synojnë drejt qiejve, por edhe Profesoresha e ka “kozmosin” e saj, Spitalin Infektiv, të cilin drejton.

Erdhi ime bijë nga Gjermania dhe më solli një libër “Parimi i besimit”, shkruar prej gazetarit Georg Meck dhe kushtuar njërit prej njerëzve më të suksesshëm në Gjermani zotëri Ortwin Goldbeck, në kompaninë e të cilit ka fatin të punojë ime bijë. Ortwin Goldbeck ka thënë: “Të besosh te të tjerët dhe të gëzosh besimin e tyre kjo e ka pasuruar jetën time në shumë mënyra”. Mendoj se këto fjalë i përshtaten më së miri edhe Profesoreshës Najada Çomo, sepse ajo beson tek ekipi që drejton dhe ata ia shpërblejnë këtë besim me punën e tyre të palodhur. Duhet ta filloj nga pastrueset e pavijonit, të cilat e mbajnë xixë mjedisin. U habita kur çarçafët akull të bardhë i ndërronin çdo mëngjes. Të gjithë infermierët duken të bukur sepse kryejnë misionin e tyre fisnik me heshtje dhe durim.ndonëse me maska në fytyrë, ata punojnë me dashuri dhe sytë e tyre shkëqejnë kur të sëmurët përmirësohen. Në dhomën ku qëndroj unë në spital vijnë dy mjeke, njëra bjonde, Edlira Petoshati që kujdeset për miken time vlonjate Shpresa Dule, me të cilën i kalova ditët edhe duke këmbyer përvoja si nëna dhe gjyshe. Mjekja tjetër, brunja Migena Qato është mjekja që ndjek sëmundjen time, e vëmëndshme ndaj gjithçka në organizmin tim. Më tregoi kryeinfermiere Rita se kur epidemia ishte në kulmin e saj, doktoresha Migena mbajti në supet e saj të brishta gjysmën e rasteve që shtroheshin në pavijon.

Dua të përmend infermierët që më shërbyen: Flora që shpejt do të dalë në pension, Manjola (si emri i sime bije), Majlinda, Albana, Amarildo, Fatjoni, Onajda, Suada, Anisa, Blerina, Grizi (nuk e mbarova së lexuari librin), Malbora, korçarja gojëmbël që me qetësi e durim ndenji mbi dy orë me mua, Emiljana, dy Xhenit, veçanërisht, ajo më kaçurrelsja, Albina “qerpiklagura me vesë”, Aida përmetarja, Ledio që flet mirë anglisht (me thes kolonjari) dhe që më ndihmonte për të ngrënë, Florit i mbetem borxh sepse çdo ditë më blinte kafenë me paratë e veta tek klubi i spitalit, Dora e jashtëzakonshme, Sonila që gjente kollaj arteriet dhe Ilirjani që gjente venat, Klodi nga Burreli që lexon letërsi artistike dhe që dua t’i dhuroj një libër, vogëlushja Shqipe aq e kujdesshme... Të më falin në kam harruar dikë që janë aq të mirë dhe do t’i kem gjithnjë në mendje.

Së fundi: të shtrohesh në Spitalin Infektiv nuk je thjesht një numër në një kartelë mjekësore, por ndihesh Njeri i respektuar. Ju falenderoj ekipi i Covidit që më kthyet sërish në jetë!

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page