top of page

Në gjimnazin"Sevasti Qiriazi" të Tiranës


Në gjimnazin"Sevasti Qiriazi" të Tiranës

Shkruar nga Çaush Kullafi

Ishte nderim për mua si i ftuar në gjimnazin "Sevasti Qiriazi" të Tiranës, me rastin e 1-vjetorit të hapjes të këtij gjimnazi dhe përvjetorit të hapjes të shkollës të parë shqipe për vajza në Korçë( 23 tetor 1891). Sevasti Qiriazi, lindi në Manastir në vitin 1871 dhe vdiq në vitin 1949. Ajo ishte mësuese, atdhetare dhe nismëtare e organizimit të arsimit shqiptar për gratë dhe vajzat shqiptare. Ajo hapi shkollën e vashave në Korçë, në gjuhën shqipe bashkë me vëllain e saj Gjerasim dhe bashkëshorten e tij Athina. Sevasti ishte drejtoresha e kësaj shkolle. Emrin e Sevasti Qiriazit e mban sot një gjimnaz në Tiranë. Sapo drejtohesh në godinën e këtij gjimnazi në rrugën" 5 Maj" në Tiranë, të bie në sy ambienti i mirëmbajtur dhe plot gjelbërim. Godinë e re me standarte europiane. Në hyrje të shkollës na pret drejtoresha e shkollës, z. Majlinda Qyra. Përshëndetemi me drejtoreshë Majlindën dhe marrim qerasjet që na ofron një nga nxënëset e kësaj shkolle, e veshur me kostum popullor. Bisedojmë me drejtoreshë Majlindën, e ajo, me atë zellin që e karakterizon për punën, tregon me plot pasion për aktivitetin e kësaj dite. Kjo shkollë, tregon Majlinda, mbush vitin që është ndërtuar dhe ju e shihni vetë se ç'parametra ka. Bisedën tonë e ndërpret një telefonatë që drejtorshë Majlinda merr nga Administratorja e Njësisë 4 në Tiranë, znj. Liri Qoshi, e cila i uron festën dhe falenderon për punën e bërë. Duke dëgjuar fjalët e drejtoreshë Majlindës hedhim vështrimin në ambjentet e brendshme të godinës dhe me të vërtetë mbetëm të mahnitur.


Në sallonin e shkollës, në katin e parë në çdo kënd të tij, pasqyroheshin foto dhe dokumente të familjes Qiriazi, veçanërisht të Sevasti Qiriazi, emrin që mban dhe ky gjimnaz. Përballë hyrjes kryesore ndeshesh me bibliotekën e shkollës, që në të qëndronin një mori librash, ku në sy binin librat e Sevasti Qiriazit. Në dy tavolina qëndronin objekte, dorëshkrime, libra orgjinale të familjes Qiriazi të shekullit XIX - XX. Opingat prej gome që vishnin gratë dhe vajzat në atë periudhë për të vajtur në shkollë. Duke parë këto veshje në ato tavolina të sjella nga drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante z. David Hosaflook, i ballafaqon me këto nxënës sot, e në një moment ndjen emocion dhe mendon për ato njerëz se sa shpirt arsimdashës kanë pasur me ato kushte. Bënë prezantimin e dy librave të ri " Krestomaci" dr David Hosaflook dhe dr. Jorina Kryeziu Shkreta. Muzika në sfond krijoj atmosferën e një feste. Të ftuarit zunë vendet e tyre, gjithmonë duke u përshëndetur nga drejtoresha e shkollës znj. Majlinda Qyra, ku në çdo moment shprehte fjalët e saj përshëndetëse: Mirëseerdhët! Emocion dha “kënga e alfabetit”, e cila hapi koncertin festiv, kënduar nga nxënësit e kësaj shkolle. Fjalën mirëseardhëse e mbajti drejtoresha e shkollës. Emocinet ishin të pranishme te drejtoreshë Majlinda se sot ajo po ndiente nga afër punën njëvjeçare me plot pasion, vullnet e profesionalizëm në këtë gjimnaz. Po e dashurove punën, thotë Majlinda, suksesi gjithmonë është me ty. Përshëndet dhe vlerësoi punën e palodhur të drjtoreshë Majlindës dhe stafit të saj, nënkryetari i bashkisë së Tiranës z. Andi Seferi. Znj. Besa Prela, përfaqësuese e Bankës së Shqipërisë, njoftoi se baknka do ti dhurojë shkollës disa nga monedhat përkujtimore qē po emërtohen më 2023- 2024 me imazhin e Sevasti Qiriazit. Nxënësit performuan bukur me numrat e tyre artistikë që kishin zgjedhur. Te secili u ndje pasioni dhe dëshira për artin dhe muzikën. Interpretimi i poezive në çdo moment krijoi emocione te pjesëmarrësit. Dy moderatoret Erjona Hasa dhe Juarda Allushi, nxënëse të kësaj shkolle, në çdo dalje performuan bukur. Duartrokitjet shoqëruan çdo numër artistik të interpretuar nga nxënësit. Këtij aktiviteti nuk i mungoi dhe humori nga nxënësit e apasionuar për art. Grupi i valleve të shkollës, veshur me kostume popullore krijuan në sallë një atmosferë tepër festive. Festa qe e bukur dhe e veshur me ngjyra artistike, falë punës plot përkushtim të dy mësueseve profesioniste Ejona Dhano dhe Stelina Palushi. Mësuese Fatjona Halili Radhima kujdesej për ecurinë e gjithë aktivitetit në këtë shkollë. Drejtoreshë Majlinda, një grua e skalitur me dashurinë për punën buzëqeshte dhe në çdo moment duartrokiste nxënësit e saj. Aktiviteti u mbyll me sukses dhe me urimin nga të gjithë pjesëmarrësit: Ju lumtë drejtoreshë Majlinda që për një vit arritët ta radhitni gjimnazin që ju drejtoni krah gjimnazeve elitare të Tiranës! Pas përfundimit të aktivitetit artistik erdhi një moment tjetër i bukur, dhurimi i librave. Ndjeva emocion kur drejtori i Institutit për Studime Shqiptare z. David Hosaflook më dhuroi tri libra me autografin e tij. Ky aktivitet u shoqërua me një koktej organizuar nga drejtoresha e shkollës znj. Majlinda Qyra, e cila kujdesej që të respektonte çdo pjesëmarrës. Urime gjimnazi "Sevasti Qiriazi"! Suksese në punën tuaj drejtoreshë Majlinda Qyra që ky gjimnaz në vite do ketë punën tuaj plot pasion! Të gjithë së bashku vlerësojmë njeriun e punës. Tiranë më 24 .10. 2023

11 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page