top of page

Nuri Bufi: Promovohet libri i autorit Vladimir Muça

  • 10 hours ago
  • 6 min read

 

Një Promovim i Larmishëm - me Shkrimtarin Durrsak Vladimir Muça

 

Shtëpia e Shkrimtarëve e Artistëve Durrës, shquhet në larminë e aktiviteteve letraro-artistike. Kryesisht me mjaft interes janë dhe aktivitetet në promovimin e krijimtarive të shumta të librit, me gjinitë e prozës, të poezisë, të romanit etj. Promovimi i radhës do të organizohej nga kryetari Agim Bajrami pranë Shtëpisë së Shkrimtarëve e Artistëve Durrës, mbi krijimtarinë letrare të sjellë nga shkrimtari durrsak zoti Vladimir Muça, i cili vjen në serialin e krijimtarisë së tij me librin kritikë letrare, titulluar ‘Arkeologjia letrare e Moikom Zeqos’’.

E veçanta në këtë promovim, që e bën atë më të larmishëm, është vendi i mirëmenduar i këtij promovimi. Shpalosja e këtij eventi pranë ambienteve të bibliotekës të kampit ‘’Universitar Aleksandër Moisiu’’ Durrës, pati një ekskluzivitet të jashtëzakonshëm. Në këndvështrimin e parë, ky universitet, përfshirë habitatet në funksion deri ato administrative, zë një sipërfaqe mbi pesë ha. dhe ka një gamë të gjerë degësh studimi në Bachelor, Master dhe programe profesionale. Prania e këtij universiteti i jep qytetit të Durrësit një prestigj të lartë, i krahasuar me qytetet e vendeve perëndimore. Universiteti frekuentohet nga qindra e mijëra studentë, nga brenda e jashtë vendit, kryesisht nga diaspora shqiptare. Pranë këtij universiteti studentët gjejnë standardet mësimdhënëse me parametrat bashkëkohorë, e jo vetëm, dhe të një stafi pedagogësh me nivele të një edukimi maksimal në larminë e profesioneve pranë universitetit.

Bashkërendimi i Shtëpisë së Shkrimtarëve e Artistëve Durrës me këtë universitet, me praninë dhe hapjen e derës nga biblioteka me këtë event promovimi, solli një risi tek shkrimtarët. Ata zbuluan jo vetëm dëshirën e zjarrtë të studentëve ndaj letërsisë e në veçanti të këtij promovimi, por dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, shkrimtarët e poetët u ballafaquan me një staf pedagogësh (profesoreshash të asistuara në këtë event) mjaft të përgatitur. Kjo dëshmon se Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës ka dhe merr një vëmendje prioritare, sa mbresëlënëse me përgatitjen e studentëve. Me nisjen e aktivitetit, të pranishmit, krahas shkrimtarëve, ishin të shumtë studentët pjesëmarrës të pasionuar drejt letërsisë. Njëkohësisht, në mbarëvajtjen e këtij eventi ata bashkëshoqëroheshin nga stafi pedagogjik i universitetit si: profesore Helena Halilaj, profesore Venera Alliaj dhe profesore Erisjana Cani.

Në rolin e moderatores dhe të zotit të shtëpisë, profesoresha Venera Alliaj, me prezantimin e këtij eventi, referoi së pari pasionin në rritje të studentëve drejt letërsisë bashkëkohore dhe të librit në tërësi. Më tej motivoi punën dhe përkushtimin e stafit pedagogjik gjithnjë e më shumë drejt stimulimit të studentëve për të qenë anëtarë të rregullt të bibliotekës, ku nuk mungojnë literaturat profesionale, ashtu dhe të letërsisë me autorë vendas e botërorë. Kohët e fundit, theksoi ajo, me mjaft interes është bërë leximi e studimi i autorëve vendas, midis të tjerëve dhe shkrimtarit e poetit në fjalë Moikom Zeqo. Ku profesoresha Venera Alliaj specifikon disa nga narrativat letrare të M. Zeqos, në cilësinë e terminologjisë shkencore të letërsisë, të emërtuara si pllakat tektonike, palimpsestet e kulturave njerëzore dhe deri te sinopset si prememorje e historisë mitike. Deri me studimet e legjendave, nga shkrimtari M. Zeqo zëvendësohet e vërteta historike, duke bërë vetë një realitet historik. Me interes, thekson ajo, mbetet dhe libri me kritika letrare nga shkrimtari Vladimir Muça, kushtuar këtij shkrimtari të madh.

Me urimin që i bën autorit të librit Vladimir Muça, në fjalën e tij kryetari i Shtëpisë së Shkrimtarëve z. Agim Bajrami, përkufizon se shkrimtari e poeti M. Zeqo është një studiues letrar i së shkuarës së hershme dhe një arkeolog në zbulimin e gjurmëve letrare. Më pas përshëndeti përzemërsisht vlerat e këtij bashkëpunimi midis studentëve të Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës dhe Shtëpisë së Shkrimtarëve e Artistëve të Durrësit.

Një rezyme mbi librin ‘’Arkeologjia letrare e Moikom Zeqos’’ me autor V. Muça, bëri dhe kritiku letrar z. Fatmir Minguli, me shtjellimin se vlerat e kësaj trashëgimie letrare nga dr. M. Zeqo do të mbeten një udhërrëfyes edhe për brezat e rinj në vazhdim. Profesoresha Erisjana Cani do të lançonte mbi specifikat letrare moikomiane, si studiues i artit të hershëm të kombit të tij, me theksin se mbetet një vlerë e shtuar për letërsinë tonë. Studimi i këtij shkrimtari drejt ekzistencës së paraardhësve me kulturat autoktone, mundëson hapjen e vatrave të reja të origjinës sonë letrare. Në vazhdim, profesoresha Erisjana Cani komentoi disa nga poezitë e poetit M. Zeqo, e cila u duartrokit nga të pranishmit në sallë.

Mbresëlënëse ishte dhe fjala e profesoreshës Helena Halilaj, lektore pranë Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës, e cila bashkë me urimin e autorit të librit V. Muça, solli dhe disa dëshmi njohëse me mjaft elokuencë, të përjetuara nga afër me profesor Moikom Zeqo. “Unë dhe studentë të tjerë kemi qenë me fat të kishim një profesor të dimensioneve universale. Po! Moikom Zeqo ishte universal në shumë pikëpamje. Ai ishte natyralist në analizat e botës që na rrethon dhe i personifikonte ato mbi bazat e diversitetit e asimetrive psiko-mendimore. Pa përjashtuar modestinë njohëse, thjeshtësinë e ëmbël dhe mirëpritjen e kulturuar që përbënin një kostum personifikues të vlerave që ai mishëronte si i paarritshëm dhe i papërsëritshëm.”

Me një sërë pyetjesh të bëra nga studentët, ishte autori i librit promovues Vladimir Muça, i cili me përgjigjet e pyetjeve dha një përshtjellim të krijimtarisë letrare të Moikomit, si një krijimtari që i jep vlera të reja letërsisë shqiptare. E veçanta e shkrimtarit M. Zeqo qëndron se ai është një studiues, i cili është marrë me studimin e botës shpirtërore. Me konceptimin e teorisë së etiologut ‘’Pol Valery’’ se: “Historia e letërsisë s’duhet të jetë historia e autorëve dhe e të papriturave të karrierave të tyre, por ajo duhet të përmbushë vlerat shpirtërore si prodhuese dhe konsumuese e letërsisë.”

Palimpsestet e kulturave njerëzore janë si pllakat tektonike, ato ndërfuten te njëra-tjetra, zgjojnë ndjesitë etnike të mëvetësive dhe krijojnë tërmete shoqërore me evolimin kulturor të mbuluar nga hiri i shekujve. Në arkeologjinë e palimpsesteve, shkrimtari Zeqo me thellësinë interpretuese, në kimiografinë shkrimore, që nga zanafilla nxjerr në pah pandryshueshmërinë e subkoshiencave njerëzore, të mbartura nga thellësitë e kohërave, si një dukuri e filozofisë së zhvillimit. Si një profeci e shekullit të 21-të, mes komunikimit të njeriut, ku primare, pa mohuar gjithçka nga e kaluara, forcohet e tashmja ekzistenciale nga ujëmet e së kaluarës, duke rigjeneruar një strukturim estetik e stilistik të ri. Gjurmët e reja letrare të dr. Moikom Zeqos kanë arritur tashmë në ato nivele inteligjente, sa që thyejnë rregullat e shkencës në fushën letrare. Dhe na sjellin përmes shtresave shekullore të kulturave, historinë njerëzore ndër lloje mineralesh letrare, shpirtin e një kohe të gjatë me një vizion të ri letrar. Në këtë lloj materieje librarie të pavdekshme, siç janë këto shpirtra, me një përkushtim arkeologjik, alkimik, do të arrihet të mbahet gjallë psikika krijuese letrare, kulturologjike, me ngritjen më lart të vlerave qytetëruese pa kufij shtetesh e ndasish etnike.

Me këtë imazh të ri në kohë të re, Moikomi me poliedritetin e tij arrin të ‘’rindërtojë universet’’ e shoqërisë shqiptare me artin e fjalës, insistuar për të qenë vetë mbijetesa e popullit një palimpsest mendor; dhe si një Pitagor në përcaktimin e këndorëve dhe parabolave të gjuhës, këngëve, aposeve, obsesioneve mendore në subkoshiencën njerëzore brez pas brezi.

Tematika tjetër studimore e shkrimtarit Moikom Zeqo është: Raporti i artit me individin. Me marrjen si referencë estetikën budiane të nënteksteve, ku letërsia nuk nxjerr në pah në triorimin e saj përjetimet intime të individit, por subjektivitetin në qëndrimet për jetën, ku krijimi letrar si një shkencë më vete nuk shprehet. Gjithçka vjen si një vazhdimësi, pjesë e një gjerdani të madh kulturor të periudhave të mesjetës së hershme, të mesme dhe të vonë me rilindjen shqiptare. Kjo gjenezë kulturore del në dritë të diellit me zvenitjen e ndryshkut turkoman dhe mjegullnajat e shekujve.

Studimet në hershmëri të togfjalëshit ‘’Atdhe e fe’’ përbëjnë shquarjen e raportit ekzistencial midis artit me individin. Këto janë përpjekjet e këtij shkrimtari të madh të kulturës dhe atdhetarisë shqiptare. Shkrimtari M. Zeqo si një krijues i një prozaizmi të ri; me ngulmimet e tij hulumtuese, me kah të kundërt me konceptet në historinë e të shkruarit, na rishfaqet ndryshe, më i konsoliduar, me estetikë të re, ndoshta kapriçoze. Tregimet, prozat poetike, esetë, sinopset që ai ka përmbledhur në dyfjalëshin ‘’Vetullat Hyjnore’’. Ky libër synon të marrë rolin e një ngrehine enciklopedike, me shumë pavione interlokutore të intelektualizmit dhe të elitarizmit. Këto rrëfime të mbartura e të pasura e lidhin si fillesat me zanafillën shpirtërore, në plazhin e Currilave, ku çdo gjë shpirtërore merr përmasat e një qenieje mitiko-’’biblike’’.

Kjo evidentohet si një nga shërbesat më të mëdha që i bëhet etnogjenezës sonë, sa të lashtë, po aq të ndërlidhur me kulturat më të lashta botërore. Te krijimtaria e dr. Moikom Zeqos tipar tjetër dallues është: Fantazia dhe hapësirat shumëdimensionale.

Kjo krijimtari, së shumti paraqitet në vargjet poetike të përkushtuara si një aureolë ikonografike te ‘’Zonja Tokë mëmë’’ që e lindi dhe e rriti poetin Moikom, ku aludon: Në Currila. – Leshterikët dhe iriqat e detit. – Kanë aromën time njerëzore.

Fantazimi letrar i M. Zeqos ka një dallim esencial nga krijuesit e tjerë. Ai veçohet nga ata krijues që e marrin lëndën të gatshme nga eposet, mitet e lashta. Moikomi radhitet ndër ata krijues që e shpikin nga mendja e tyre lëndën. Ky autor kalon nga studimi i fantazisë në përzgjedhjen e materialit me problemet e gjetjeve artistike, si kudhër është shumë e dëshiruar metafora simbol, me realizimin në veprën e tij ‘’efektet e eksitimit tek lexuesi’’, të injeksioneve poetike që shkojnë përtej realitetit, gjer në ‘’pluhurat kozmike’’. Në vitet ’70, me thithjen e ajrit të freskët të një moderniteti perëndimor, nga plasaritjet e izolimit paranojak të diktaturës, shumë bukur këtë e ka materializuar në vargjet e mëposhtme: ‘’Nga kufizimet lind arti; e vdes nga liritë’’.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page