...nuk jam prej guri


Epo unë nuk jam prej guri?!!!

Tregim lirik


Nga Përparim Hysi


Emri im është Dashuri.Jam e martuar dhe kam dy djem.Njëri prej djemëve 10-vjeç dhe tjetri 7- vjeç. Kam goxha burrë.Ky është nja dy vjeç më i madh se unë dhe të dy bashkë shkojmë si jo më mirë. Të dy në punë, me shtëpi e katandi dhe,siç mendoja,nuk kish se ku vinte më mirë. Mirëpo,kur mendon se të gjitha punët shkojnë vaj,ruhu se të gjen ndonjë bela që,katandis, që t'u vëshë shqelmin të tërave. Dhe,kur them kështu,nuk është se flas qesim. Flas nga përvoja ime dhe, në po dal cullake para jush, dua që t'ju them:-Jeta është si lumi. Ky lumi i jetës herë-herë është i qetë dhe reshperon sikur ka veshur pantofla,por ndodh si me atë lumin pranë qytetit tonë,që nga shirat e bollshme,del nga shtrati dhe bën dëme të mëdha. Kështu ndodh dhe me lumin e jetës: edhe ky"lumë" jo vetëm del nga shtrati,por "përmbyt" çdo gjë të mirë që kemi arrritur në jetë apo dhe ca më shumë:"ky lumë që del nga shtrati" shkatërron familje të tëra. Unë nuk jam as astrologe dhe as shkencëtare. Flas veç nga përvoja ime,që,për fat të keq, e kam pësuar nga kjo"dalje nga shtrati".