Noke Abilekaj: Qelitë në fund të shpirtit
- 2 hours ago
- 7 min read

Ngaqë zoti nuk mund të ndodhet në çdo skutë të jetës, krijoi nënën. ( ...)
Më në fund, ndërtoi një fortesë në nënshtresën më të thellë të shpirtit dhe filloi të strehonte dashuritë. U lumturua nga shkalla e lartë e sigurisë dhe, duke qenë e bindur se trupi vdes ndërsa shpirti shkon në qiell, i nënshkroi zemrës garancinë për pavdekësinë e “mallit” të saj të vetëm dhe të paçmueshëm.
*
Nuk dihet sa kohë iu desh që të arrinte në këtë zgjidhje. Vuajtja ishte shumë e gjatë. Sa e kishte fëmijën brenda trupit, e trembte errësira e imagjinuar e barkut të vet. Mos e mbysnin ujërat? Mos e lodhnin lëvizjet? Mos e bënte anemik qetësia? Kështu dyshonte kur shtrihej, kur ngrihej, kur hante pak, kur hante ca më shumë, kur pinte ujë, kur pinte lëngje të tjera, kur merrte frymë thellë, kur ngadalësonte frymëmarrjen. Bisedonte me qenien e ngjizur në enën e jetës sikur të njiheshin prej kohësh. Ishte e bindur se ai e dëgjonte. Patjetër, e kuptonte.
Në çastin e daljes në dritë, fëmija qau. Ai qau fort dhe me klithma pakënaqësie. Nuk i pëlqeu aspak që doli nga dhoma mëmë. As ndarja nga ujrat mëmësore nuk i pëlqeu. Drita e trembi. Gruaja (tashmë grua ishte) shtrëngonte dhëmbët për të harruar dhimbjet e tmerrshme të lindjes.
Në se ato dhimbje nuk ishin rrënjët e dashurisë së përjetshme
Në se ato dhimbje nuk vinin nga ndarja e trupit të nënës në dy pjesë.
Përpiqej të shihte fytyrën e fëmijës. Dëshironte t’i dallonte sytë, t’i hapte gojën, t’i rrëmbente tinguj zogu nga buzët paksa të çelura, të vazhdonte bisedën e lënë në mes nga dita e djeshme, të gjente se çfarë e shqetësonte. “Zemër e mamit, zëmër e mamit”, lëshoi tingujt dhe ra në kllapi.
Qe ndarje bërthamore; shpërthyese, e lodhshme, e dhimbshme, meraksjellëse, shpresëmadhe.
U përmend. Kërkoi nëpër çarçafët e maternitetit dhe zbuloi fytyrën e kuqe të të porsalindurit. Mundimshëm zgjati qafën ta puthte në ballë. Me të vërtetë e puthi por nuk ndjeu asnjë reagim të gjallesës që ajo i kishte dhuruar jetën. Në fakt mendonte në të kundërt, sikur gjallesa e imët, mbështjellë si kukull lecke, i kishte dhuruar asaj një jetë të dytë dhe do t’i jepte jetëgjatësinë e amshimit trupit që e lindi. Tha përsëri dhe përsëri.
Zemra e mamit,
fryma e mamit,
jeta e mamit.
E zuri gjumi të trembur ngaqë nuk mori asnjë përgjigje. Si do të bënte me jetën kjo gjallesë e vogël tani që u nda si bërthama nga fruti, që nuk ishte më në strofullën brënda trupit?
*
E shumëpritura, qiellorja erdhi ditën kur fëmija e ngrohu me turinjtë mishëtor dhe hapi gojën për të thithur qumësht nga krojet e gjirit të saj. Thithka përcolli rrymë emocionesh të ngatërruara. U drithërua e tëra. Ndonëse krijesa e shkëputur nga trungu i nënës nuk rihyri kurrë më brenda atij trungu (akush nuk e donte, askush nuk mund ta realizonte rihyrjen veç fantazisë së krisur të krijueses së drithëruar nga kapërdimjet e evlatit të vet nëpër honet e jetës), u lidh ngushtë me sylinjarët e krojit qumështor. U ngjesh në hojet e shpirtit.
Gufonte shpirti.
Rrahjet e zemrës nuk i bindeshin asnjë ritmi.
Shtrëngonte fort e fort fëmijën me të dy duart sa iu derdh breshëri i frikës në të gjitha indet e trupit: “I mora frymën”, qortoi veten dhe puth e puth mbi kapakun e kokës. Ç’fryt i mrekullueshëm dashurie kishte thurur këtë krijesë ëngjëllore! Ç’dashuri e re e tejfuqishme kishte zbritur në tokë dhe ishte tretur në gjakun e nënës!
*
Lumi i kohës sillte vorbulla të reja. Burrin e donte, e dashuronte, veçse nuk e dinte në se ruante freskinë e kësaj ndjenje po aq sa më parë dhe si më parë. Kishte ndiesinë intuitive të tjetërsimit të dashurisë në respekt e mirësjellje. Donte më shumë babanë e fëmijës se sa të dashurin e fshehtësive bashkëshortore. Tërbimet, aq të shpeshta në vitet e shkuara, u rralluan ose rivinin në përshtatje me vërshimet stinore. Kështu ishte por ç’rëndësi mund të kenë të tilla interpretime psikoanaliste derisa zemra e saj bubulonte nga dashuritë.
Nga një dashuri e madhe tani u bënë dy;
një e madhe dhe tjetra shumë e madhe,
e stërmadhe,
me përmasa të pakufizuara.
Betimin e dashurisë bashkëshortore e kishin bërë për një jetë të plotë, por të fundme. Tani, jo, jeta nuk duhet të ishte e fundme. Foshnja duhej rritur, duhej bërë djalosh, duhej edukuar e mësuar, duhej bërë burrë e duhej martuar, duhej ndihmuar për rritjen e fëmijëve të tij dhe këta, fëmijët dhe niprit, do të rronin përjetë. Atëhere përse duhet ikur nga jeta? U betua se do të bënte të pamundurën për të patur jetë sa më të gjatë, bile vetëm jetë e jo ndërprerje jete, për të parë e gëzuar gjithë lumturinë e brezave që do të mbruheshin e do të dilnin në dritë nga vazhdimësia e gjakut të saj.
***
Dhomën e parë të fortesës, atë dhomën e përmendur në fjalët e para të rrëfenjës, e projektoi kur Tritani u ngrit në këmbë. Si ta ndalonte të mos binte, të mos përplasej me objektet rrotull, të mos largohej nga sytë e saj? Provoi ta rrethonte në krevat, ta kufizonte në një dhomë,
ta kyçte brenda shtëpisë,
të luante në metrat katrore të oborrit,
vetëm me shokët e lagjes ...
Në të gjitha provat dështonte. Mblodhi duart bashkë, i mbështeti në kraharor. Me gishtat e padukshëm të mëmësisë hapi një fletë të shpirtit, edhe një, edhe një tjetër derisa u bind se preku fletën më të thellë. Pikërisht kjo ishte dita kur sajoi aty një qeli, strehoi të birin dhe u lut: “Ruaje, o zot! Ndihmoje birin tim të ketë shëndet dhe t’i ndrisë fati!”
I shtroi përsëri ato fletë me kujdes se mos plagosnin njëra-tjetrën dhe u garantoi jetë të mjaftueshme duke frymëmarrë thellë e duke shpejtuar rrahjet e zemrës për t’u dërguar gulçe të freskëta gjaku. Psherëtiu. Mori përsëri frymë sa u hepua kraharori. Psherëtiu përsëri. Ndihmoi veten me këto fjalë: “Lidhjet midis trupave janë për sot e për nesër, janë të përkohshme, kurse lidhjet e shpirtrave mbeten të pandërprera, të përjetshme”. Pas këtej uli kokën në punët e përditshme.
*
Ndarjet vazhduan; shkolla, emërimi në një vendbanim tjetër, kurbeti ... Sa të shumta qenkan ndarjet! Njerëzit e logjikës ngulin këmbë se çdo bashkimi i korrespondon një ndarje dhe anasjelltas por, ata bëjnë si këto llogari të ftohta prandaj flenë në kontinente të ngrira. Nëna, që jeton në mes të zjarreve të mallit dhe të merakut, mendon se nuk ka bashkime, ka vetëm ndarje. U ndanë bijtë nga unë, u ndanë nga gjiri, u ndanë nga qyteti, u ndanë nga mëmëdheu, u ndanë ..., u ndanë ...., u ndanë. Kur u bashkuan? Iku vajza, u nda. U nda, u nda, u nda. A ka më bashkim?
Shtoheshin dhomëzat në fortesën brenda shpirtit.
*
Atë ditë, kur lindi mbeska, u shumëfishua bota. Nëna nxitoi të shkonte pranë saj. Sa e bukur iu duk fytyra e foshnjës, megjithse përsëri e kuqe.
“Zëmër e nënës, fryma e nënës, jeta e nënës”, derdhi ato fjalë të ardhura nga rrënjët e hershme të pemës së dashurisë. Fjalët dilnin me kërcime të vrullshme fluturaku nga tërë kapilarët e shpirtit.
E mirëpritën.
Rijetoi mëmësinë e para dhjetëra vjetve. Veçse dielli lindte dhe perëndonte pa i kërkuar leje askujt. Mbeska mori këmbë, doli në rrugë, vajti në shkollë. Nënës i harbohej zemra, i arratisej nga kraharori, i vërsulej nëpër trotuare dhe asfalte, ndalonte makinat e u shmangej uturimës së motorave duke ecur në rrugën imagjinare mbas gjurmëve të gjakut të gjakut. “Gjaku i gjakut, mjalti i mjaltit”, i erdhi thënia stërgjyshore. “Sa më i ri brezi, aq më shumë na vërshon drejt tij dashuria”, përkthente fjalën e urtë. Puthte me delikatesë ballin e mbesës dhe buzët i ngjiteshin në nektarin e brezit të tretë. “Mba, o zemër”, këshillonte mekanizmin kryesor të jetës tek vërente se zëmra i dridhej nga kënaqësia aq sa i priteshin këmbët.
*
Një ditë mbeska nuk e mirëpriti puthjen në ballë. E treta a e katërta herë (Tritani, Drini, Era dhe tani mbeska në rritje) që i ndodhte ky refuzim i pafajshëm. Shkatërrues.
Oh, rënkoi në fund të shpirtit, duke kujtuar ditët kur fëmijët i bënë pritë me pëllëmbë të dorës puthjes së saj. Era, e bija, ishte treguar më e kujdesshme; hiqej mënjanë që të rralloheshin përqafimet dhe puthjet. I mirëpriste vetëm në çaste protokollare.
Kujtimet i vullkanizuan një rënkim të dytë.
Erdhi një ditë tjetër kur mugëtirën e dëgjimit e çanë zërat e shqetësuar të nuses dhe të Tritanit: “Nëna po na e mëson keq vajzën.” “Edhe mua ashtu më duket.” “Si do bëjmë?” “Lërma mua këtë punë!”
Ata donin që nëna t’i largohej pak vajzës. Gjyshja të mbante largësi nga mbesa.
Nënës i dhëmbi toni i zërit më shumë se shpata e fjalëve. Duroi, duroi, duroi, pastaj fshehtësisht e puthi mbeskën atje ku fillojnë balluket dhe, ndonëse ishte betuar që do të rronte pafundësisht për të, nëna-gjyshe e kuptoi se nuk mundej të ndodhej gjithënjë pranë filizave që lindnin çdo pranverë.
Me bisturinë e hollë të trurit të mençur çau udhën dhe shfletoi rishtazi fletëzat e shpirtit. Ndërtoi qelinë më të re. Këtu të rrinë, tha, të gjitha dashuritë e mia. Prej këtej nuk ka arratisje.
Në këto dhomëza nuk ka makina,
nuk ka dallgë,
nuk ka tërmete,
nuk ka mërgim,
nuk ka drogë...
Ku mund të jenë më të sigurta dashuritë e mia?
Mund t’i kem me vete në fluturimin tim.
Rrodhën dy rrëke lotësh që u lëpin rrëpirava të lëkurës. Lanë aty përvëlimin, gërryen humusin e shpirtit deri sa u shfaqën rrënjët gjarpërore të dhimbjeve. Iu afrua pleqërisë së saj, e përqafoi me të gjithë fuqinë që i kishte mbetur. E përqafoi deri në mbytje. Pastaj, mallkoi atë gërdallë pleqëri si nuk kishte mallkuar kurrë më parë as gjarprin dhe iu vërvit kërcënueshëm:
“Ç’bën këtu? Eja! Tjetërkund na presin!”
(Fjala e Lirë - Londër Nëntor 2016)








Comments