NOKE ABILEKAJ: FILLIM-BISEDE ME FARUK MYRTAJ
- 15 hours ago
- 2 min read

Pershendetje!
Në zemrën tënde si shkruhet jeta? I dashur Faruk,
Të gjeta. Të jesh mire familjarisht dhe me më të dashurit! Të tjerat më vonë.
Të perqafon!
Novruzi.
27 nëntor 2007
Ti që me gjete, të gjettë e mira, Novruz!
Më pëlqeu vjersha për tët bir: pas tërë asaj katrahure vrasjesh e ...ri-përtypjesh që i përkasin botës së gjallesave të tjera. I takon Njeriut të vuajë lotin e syrit të drenushës!
Trishtimi bie paksa kur kerkon të mësohet si shkruhet historia e jetës, e femrave, se e burrave është dhimbje e dëshiruar!
Bukur,
Faruk Myrtaj
(Ps: mirënjohës sidomos për gjestin tënd kurajoz për Myrtajt në kinema Minatori, në vitin 1974)
7 dhjetor 2007
I dashur Faruk,

Vonë të kam njohur. Më vonë të kam dashur. Akoma më vonë të kam respektuar.
Sepse më zure në gojë 1974-ën jam edhe një herë i detyruar të të them se nuk më shkoi nëpër mend aspak e ardhmja jote atë ditë. Vetëm më shqetësoi e më preku gjendja e vështirë që i përgatitën të pamoralshmit. Kaq dhe për kaq ishte reagimi im. Më vonë, kur u rritën fëmijët e mi, kur fillove ti të shkruaje aq bukur, kam pasur ndonjë sëmbim të brendshëm për paftësinë e përzgjëdhjes të të aftëve. Sëmbim dhe kaq, nga që jeta tërheq dreht vetmbrojtjes instiktive. Heroizmin e kam cilësuar gjithmonë si atribut të të tjerëvë.
Sidoqoftë, dua (dua të duash edhe ti) të bashkëbisedojmë më drejtpërdrejtë se në krijimtarinë artistike:
Ku u rrite e ku u rrita?
Si u rrite e si u rrita?
Pse menduam ndryshe ose me kahje të kundërta?
Ku e gjetëm dhe ku e lamë luftën e klasave?
Kur ikëm nga Shqipëria?
Pse ikëm?
Cfarë i morëm e cfarë i dhamë Shqipërisë?
Sa po na jep e sa po na merr bota e re?
Sa po i rrëmbejmë e sa po na rrëmben kjo botë?
Si mendon Faruku për ata që gëzojnë Shqipërinë, për ata që e vuajnë Shqipërinë dhe për ata që e braktisin Shqipërinë?
Kush e do dhe e nderon më shumë atë atdhe që kemi; të pasurit? Të Varfërit? Të diturit? Të paditurit? Të mërguarit? Të pamërguarit? Të rinjtë? Të vjetrit?
Mos qesh me pyetjet e mia se ka plot hapësirë që të shtojnë dhe të krisurit e tjerë si unë.
Kam mendimin se u gjetëm për të shkëmbyer herë pas here ndonjë "kafe"
Të përshëndes!
Novruzi








Comments