top of page

Një propozim enigmatik

Aug 5, 2022
2 min read



Ndonëse ca gjëra duken jo rrallë pa lidhje mes tyre, vjen një çast kur asgjë s’është e rastit. Kam pasur edhe ngjarje në pamje të parë interesante dhe të çuditshme e disi të pashpjegueshme.

T’ju rrëfej njërën.

Pothuajse çdo mbrëmje, herë i vetëm e herë me djemtë e mi, pija ndonjë birrë në klubin afër pallatit ku banoja, në Bukuresht. Ishte pastër e lirë.

Një herë m’u afrua një mesoburrë mustaqelli dhe më pyeti nëse mund të ulej. Megjithëse kish plot tavolina të tjera të lira, i thashë: „Me gjithë qejf”.

Qysh nga ajo ditë, Mustaqja e bëri zakon të zinte vend pranë meje, sepse, siç u shpreh, iu duka i kulturuar e modest. Kaluan nja dy a tre muaj dhe vumë re se po na hahej muhabeti. Mustaqja ishte inxhinier, kolonel i ushtrisë, por drejtonte edhe një firmë ndërtimi. Madje më propozoi të shihja mundësinë që firma në fjalë të ndihmonte edhe „popullin vëlla shqiptar”.

Qëlloi që një mbrëmje, tek po ngriheshim nga tavolina, ia behu e shoqja. U ulëm sërish për të pirë të tre edhe nga një teke. Fill paskëtaj: „Hajde të shkojmë në shtëpi, se e kam fare pranë” më ftoi, si vetiu, mustaqelliu. Meqë nguli këmbë edhe e shoqja, nuk ua prisha. Atje më nxorën një shishe me raki kumbulle të zjerë dy herë. Desha s’desha, ngrita nja dy a tre shëndete për miqësinë tradicionale shqiptaro-rumune, për historinë e lavdishme të të dy popujve tanë, sidhe për një të ardhme të lumtur të njerëzimit.

Ndërkaq ra zilja e telefonit dhe Mustaqja më dha sihariqin se do të na nderonin me ardhjen e tyre dy kolonelë të tjerë - njëri mjek e tjetri artilier. Kur pashë orën, Mustaqja më tha: „Telefonó në shtëpi, që të mos të presin para mesnatës. Sonte do ta hamë darkën bashkë”. Bëra siç më sugjeroi.

Ia behën edhe kolonelët, të cilët, doradorës që vazhdonim të hidhnim kupa, po më dukeshin njerëz për të pirë në kupë. Erdhi edhe momenti, kur njëri syresh, mjeku, bëri një zbulim me rëndësi: unë dhe ai paskëshim trup identik! Që të bindesha për këtë, jo vetëm unë, por edhe të pranishmit e tjerë, më ftoi ta vishja kostumin e tij. „Do të shohësh sa mirë të rri dhe ia vlen të të bëjmë të paktën dy fotografi me uniformë, një i vetëm dhe një bashkë me ne”.

Pa arritur t’i vinte pikën frazës-ftesë, e shoqja e kolonel Mustaqes, e shoqëruar nga qeni sa një kërriç, i cili quhej Sulltan, e gatiti për shkrepje aparatin „Lajka”, në zbatim të dëshirës (urdhërit?) të kolonelit mjek. Atë çast nga stomaku e sidomos nga truri sikur m’u shkapërderdh përjashta krejt pija. I thashë „Ndal!”, u çova si me sustë më këmbë dhe vura grushtin në tëmth. „Kështu përshëndesin kolonelët shqiptarë” u thashë dhe dola.

Të nesërmen e ndrrova klubin, ose, me gjuhën e luftës: „u dogj ajo bazë”.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page