top of page

NGJARJE E BUKUR LETRARE



Kuvend Poezie. “Guri i Plakës". Dardani

Para dy ditësh, pikërisht më: 12, Gusht 2023, në restoranti “Guri i Plakës” në Dardani, (toponim i këndshëm legjende), u mbajt Edicioni i VII-të i “Festivali i poezisë”, ku mes pjesëmarrësve të shumtë ishim edhe një grup nga Durrësi: Arben Kristani, (piktor), Gëzim Agasi, (ekonomist), Shpendi Topollaj, (poet, shkrimtar e publicist), Luan Jaupaj “Mjeshtër” i fotografisë dhe unë Kadri Tarelli, që po hedh në letër mbresa të forta kënaqësie dhe adhurimi, për të gjithë poetët e pranishëm, që nderuan me krijimtarinë dhe pjesëmarrjen e tyre. Më është bërë zakon, që të hedh në letër mbresat e takimeve ku marr pjesë, pasi për kënaqësi më pëlqen t’i lexoj here pas here.

Që të jem i vërtetë me veten, në këtë takim veç poetëve nga Dardania e Shqipëria, nderuan e garuan edhe një numër i madh poetësh e shkrimtarësh nga “Mërgata”, Suedi, Gjermani, Zvicër, Austri, Itali, etj, etj.

Më pëlqen të përshkruaj pak mbresat e udhëtimit tonë nga Durrësi për te “Guri Plakës”. Së pari, sepse makina u sigurua gati minutën e fundit, e kështu me radhë. U nisëm herët, në ora 05.00 të mëngjesit, plot freski gushti, duke harruar se Dardania është edhe më e freskët. Dikush u ankua se ishte shumë shpejt, por shumica e pëlqeu, pasi e kishim kohen përpara, për të mos u ngutur. Dhe bëmë shumë mirë, sepse ndaluam shpesh të pyesim për vendtakimin. Madje u hallakatëm boll, kur u ndeshëm me “Gurin e Plakës”, një masiv shkëmbor, gati rrëzë rrugës, që e meriton legjendën dhe emrin. Aty bëmë shumë fotografi. Pak minuta më pas u rehatuam në restorantin “Guri Plakës”, ku do të do të mblidheshin “Dasmorët” e poezisë.

Nuk them gjë të re, pasi shumica e pjesëmarrësve e ka provuar, se ështe më bukur, kur takimet me miq të hershëm dhe të rinj, bëhen para nisjes së festivalit. Pasi janë të ngeshëm, dhe vinë secili për hesap të vet, duke e kërkuar shoqërinë dhe miqësinë. Nuk u gabuam, se në tavolinën tonë erdhi Adem Ademi, Hazir Mehmeti dhe Bedri Tahiri (Vizitor i përhershëm i Durrësit, që duke qeshur, thotë: “kërkoj falje miq, sepse jam vonue pak dhe po më zemërohet Durrësi, pasi ka kohë që nuk kam ardh”. Kështu me shaka, duke shijuar edhe pak raki Durrësi, biseda nisi natyrshëm rreth krijimtarisë letrare dhe studimore.

Po më vonohej Hamit Gurguri, shkrimtar i njohur, që banon prej kohësh në Suedi, anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Suedisë, në kohën kur na kujtuan se do fillonte takimi. Prej kohësh e kisha njoftimin dhe ftesën, se do të ishte i pranishëm në këtë festë, që bëhet në vendlindjen e tij.

Një tjetër befasi: Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “Papa Klemeni XI. Albani. Suedi”, i habitur më doli përpara, duke më thënë: “Nuk e mendoja se do të takoheshim edhe këtu”. U përqafuam si miq të vjetër, duke më prezantuar te miqtë e tij, si “Anëtar nderi” i hershëm i shoqatë që ai drejton. As unë nuk e prisja këtë takim, megjithatë nuk çuditem nga rastësia, aq më shumë kur më pëlqen dhe me ndjek fati, sepse kam qenë i pranishëm në të gjitha përurimet e “Thesarit Kombëtar”, që nga numri i I-, deri tek i fundit: në Tiranë, Durrës, “Bajram Curri”, Lezhë, etj. Ndërsa sot te Guri Plakës”, në këtë kuvend poetik, do të përurohej edhe nr. 12 dhe 13.

Si nikoqir i takimit, të pranishmit i përshëndeti z. Izet Abdyli, kryetar i “Art Club “Rifat Kukaj"”, i cili foli për rëndësinë e këtij manifestimi, që u dedikohet krijuesve, në veçanti poeteve të mërgatës, që mbijetojnë dhe krijojnë letërsi. Më pas përshëndeti edhe z. Hysen Ibrahimi, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin në mes të dy shoqatave, njëra në Dardani e tjetra në Suedi.

Manifestimi filloi me përurimin e librave: “Thesari Kombëtar 12-13”, dhe “Jubileum”, botime nga “Shoqata e Shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI Albani. Suedi”, për të cilat folën z. Muhamet Ibrahimi dhe z. Izet Abdyli.

Në vazhdim u lexua letra përshëndetëse e shkrimtarit Selman Dervishi nga SHBA, dhe u pasua me Orën poetike ”Guri i Plakës”, me karakter garues, ku ndodheshin 44 pjesëmarrës konkurues.

Në këtë rast juria, në përbërje: Xheladin Mjeku, Nexhat Rexha dhe Dibran Demaku, pas vlerësimit të poezive, ndanë tre çmime:

Vendi parë, poezia: “Xhubleta" me autor Ramë Oracën,

Vendi dytë, poezia: “Përvjetor pa puthje". Autor Kadri Tarelli.

Vendi i tretë, poezia, ”Retrospektivë në kujtime", Autore Naxhije Doçi

Ndërkaq çmimi special, “Krijuesi i diasporës", iu nda Xhevat Muçakut, për të cilin, analizë-përmbledhjen e paraqiti poeti Adem Gashi.

Diçka e veçantë, që i dha të tjera vlera këtij takimi, ishte, se ky manifestim u pasurua edhe me pika muzikore, nga Grupi i pavarur artistik, ”Drenica”, që jeton dhe vepron në Itali. Për t’u përmbushur më tej artistikisht, ishte edhe Ekspozita e artit figurativ, të piktorit Rexhep Kahrimani.

Më duhet të përmend, se është i dyti vit që në këtë festival poezie, marrin pjesë poetë nga Durrësi. Vitin e shkuar, 2022, dërguan poezi: Shpendi Topollaj, që u nderua me çmimin e dytë, Merita Kuçi-Thartori, dhe Kadri Tarelli. E pranishme në atë festival, ishte vetëm poete Merita. Ndërsa këtë vit, 2023, përsëri Merita, Shpendi dhe unë dërguam poezi, por të pranishëm ishim Shpendi dhe unë Kadriu, që u vlerësova me çmim të dytë, me poezinë “Përvjetor pa puthje”.

Si të gjithë të konkuruesit, edhe ne i lexuam poezitë tona, duke uruar gjithë të pranishmit, për suksese, frymëzim dhe krijime më të bukura në vitet në vijim, në dobi të letërsisë dhe poezisë shqipe.

Unë, në fjalët e para u shpreha: “Poetët krijojnë, jo për lavdi e çmime, por shkruajnë poezi, për të mbetur në buzë të lexuesit dhe në kujtime”. Në takime të tilla të gjithë janë fitues.

Është kënaqësi të vlerësohesh me çmim, por kënaqësia më e madhe është të takohesh me krijues nga të gjitha trevat shqiptare, ca më shumë edhe nga mërgata jonë, e shpërndarë në katër anët e botës. Mbase gaboj, por këtu qëndron edhe vlera më e madhe e festivaleve poetike, sepse secili vlerëson të tjerët, por edhe veten, si të thuash: të gjejë vendin në odën e kuvendit.

Në fund të takimit, grupi ynë nga Durrësi, pati kënaqësinë të shikojë pikturën e artistit tonë Arben Kristani, të sapo mbaruar, të titulluar: “Bardhaj. Fushë Kosova”, që unë e emërtova “Fusha e Dardanisë”, plot ngjyra të harmonizuara ngrohte, duke i lënë vendin secilës, ashtu siç është vetë Drenica dhe Dardania.

Këto dit, po e përsëris shpesh në biseda mes shokësh: “Kaluam një ditë të bukur, por të ngjeshur, aq sa nuk patëm kohë të çmallemi e t’i mbyllim bisedat tona”. Më vjen keq që nuk ndeja më gjatë me mikun e vjetër Hamit Gurguri, i cili më priste të isha mik në shtëpinë e tij. Ndërsa me poetin Agim Desku, u mjaftuam vetëm me një foto”.

Menduam se do përshëndetemi me kryetarin Hysen Ibrahimi, por u ndeshëm me kundërshtimin e tij: - E pa mundur. Nuk kini ku shkoni, pa vajtur në Prekaz dhe Mitrovicë!

Pse ta fsheh, të gjithëve na pëlqeu, pasi shumica e grupit tonë nuk kishte qenë në këto dy vende të “Shenjta” për shqiptarët. Kështu u nisëm shpejt drejt Prekazit, ku prehen heronjtë e familjes së heroit legjendar, komandant Adem Jashari. Sa shumë vizitorë, megjithëse ishte ora 14.30, në atë vapë gushti! Më pas drejt qytetit të Mitrovicës. E gjitha kjo, ishte një tjetër surprizë e pa parashikuar, por me ndjesi që mbeten në kujtesë për një kohë të gjatë, si çaste lumturie. Mendoj se ky udhëtim i fundit meriton një shkrim më vete.

Fotot që po publikoj janë realizuar nga miku ynë, mjeshtri durrsak Luan Jaupi.



Kadri Tarelli

Gusht 2023.

20 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page