top of page

Nga ditari i nje ish diplomati


Nga ditari i nje ish diplomati


Alfred Papuçiu


Pjesa e dytë


3 Gusht. Ministri Reis Malile më thërret në zyrë dhe më njofton të shkoj me delegacionin e grave në Nairobi, ku do të zhvillohet Konferenca Botërore e Gruas. Përgatitem dhe shkoj. Atje na pret edhe ambasadori ynë në Tanzani, Kostaq Çifligu, bashkë me shoferin, një skraparlli simpatik. Gjatë konferences na u desh të ndërhynim disa herë, sidomos kur ishte puna për mbrojtjen e të drejtave të grave në Lindjen e Mesme. Kishte disa komisione dhe ne nuk kishim mundësi t’i ndiqnim të gjitha. Atje përfitova nga rasti dhe u takova me zëvëndësdrejtorin e përgjithshëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), me qendër në Nairobi. UNEP ishte vendosur në një vend të bukur, gjithë gjelbërim. Pritja në rezidencën e Presidentit të Kenias për të gjithë delegacionet plesëmarrëse në konferencë ishte madhështore. Shkuam edhe tek Giri-Giri ku qëndronin indigjenë kenianë dhe pamë një koncert me muzikë folklorike vendase. Vizituam edhe Parkun e madh zologjik pranë Nairobit, me luanë e tigra dhe shumë kafshë të egra. Ishte pafund dhe makina jonë ishte si e blinduar që të mos sulmonin tigrat ose luanët. Qyteti i Nairobit ishte i bukur. Aty pashë dhe magazinën “Ullsorf”, si në Nju Jork. Dyqanet me pëlhura të ngjyrave të ndryshme kishin pronarë indianë apo srilankezë. Magazinat ishin plot me mall por fuqia blerëse ishte e dobët. Kafeja, ashtu e gjelbër, ishte e lirë, si edhe bananet apo portokallet dhe limonat, pasi kishte një prodhim të bollshëm.

Në Nairobi dëgjova të flitej për “Massait”- afrikanë “fisnikë por të ashpër”, shtatlartë, elegantë, krenarë dhe mospërfillës ndaj ndikimeve të huaja. “Massai” ndoshta është popullsia pastorale dhe si e tillë ata nuk kanë ligje lidhur me token bujqësore. Dr. Rebmann ndoshta është europiani i pare që pati kontakte me “Massait” në 1840. Ai ishte gjerman dhe me Dr. Krapf, punonin të dy për “Church Missionnary Society” (Shoqatën Misionare të Kishës) që e kishte selinë e saj në Londër. Krapf kontaktoi “Massait” që janë tanimë në Kenia dhe Rebmann me “Massait” që jetojnë në Tanzani. Në librin e tij, të botuar në 1860, Krapf jep përshkrimin e pare të “Massai” dhe mënyrën e tyre të jetesës: “Ata jetojnë krejtësisht me qumësht, gjalp, mjalt dhe mish të bardhë dhe kau, të dhive dhe të deleve”.

Në kthim për në atdhe ndaluam dy ditë në Kajro për të cilën do tu flas pak më poshtë.

25 gusht .Isha në zyrën e ministrit, kur Reis Malile bisedoi në telefon me Presidentin. I theksoi pakënaqësinë ndaj këshilltarit të tij që vinte dorë në fjalim, duke ndryshuar fraza që ishin rezultat i një analize disa muajshe. Më pëlqeu kur Presidenti i tha nga ana tjetër e receptorit që të mos ndryshonte asgjë nëse ai e mendonte kështu. Reizi e mori fjalimin dhe m’a dha menjëherë për ta çuar për përkthim në dy gjuhët: anglisht dhe frëngjisht. Nuk e di por ndjeva një respekt të veçantë për këtë njeri me karakter që ka kapërcyer aq situata të vështira në jetë dhe mbi të gjitha vlerëson punën e bashkëpunëtorëve të tij të afërt.

29 Gusht. Përsëri do të shkojmë së shpejti në Nju Jork. Bëj përgatitjet e fundit. Kemi marrë masat që takimet e ministrit tonë të jashtëm me ministrat e jashtëm, sidomos të vendeve fqinje, por edhe të vendeve evropiane apo të kontinenteve të tjerë të zhvillohen normalisht gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Nju Jork. Gjithashtu edhe fjalimit të ministrit i është dhënë dora e fundit. Shkoj tek përkthyesi i shquar, Isuf Vrioni, i cili më pret si gjithmonë me dashamirësi. Ai len gjithçka tjetër për ta përkthyer në kohë fjalimin. Diskutojmë sëbashku për disa terma apo edhe fraza që përmbajnë një qëndrim të ri në krahasim me një vit më parë. Flasim hapur me njeri tjetrin dhe Isufi si njeri erudit, por edhe i matur, bën edhe ndonjë vërejtje të vogël për ndonjë fjalë apo mënyrë që mund t’i jepet asaj në frëngjisht. E shoqja tepër e thjeshtë dhe e përzemërt na bën kafé. Flasim edhe për të birin që e don aq shumë dhe dëshiron ta shpjerë për pak kohë, tek e motra në Itali. Ashtu, pa e kuptuar edhe vetë, shpreh një dëshirë. Sa u ktheva ja thashë ministrit, i cili si një njeri me karakter e njerëzor bëri të mundur që djali i Isufit të shkojë në Itali. Të kuptohemi, nuk ishte e lehtë akoma në ato vite të mund të kapërceje kufirin, sidomos në kushtet e familjes së eruditit, Isuf Vrioni që ndoshta megjithëse trajtohej më me butësi, si rezultat i punës së tij të ndershme, përsëri mund të shihej vëngër nga disa burokratë që mund të vendosnin gjithçka për fatin e tij. Atëhere, e kaluara e familjes së tij i rrinte akoma si çekan mbi kokë.

8 Tetor.Takoj kolegët egjiptianë që janë të kulturuar dhe të afruar. U flas për Kajron ku kam qënë disa herë, si dhe për Farukun simpatik që na shoqëronte gjatë qëndrimit të parë kur mora pjesë në një kongres të sindikatave. Atëhere kongresi u shty disa herë, pasi dokumentat nuk ishin gati. Ne përfituam për të shëtitur në Kajro. Vizituam Piramidat e famshme, pamë Sfinksin, një miniaturë të të cilit e ruaj të relike të rrallë.Mësuam edhe për Muhamet Aliun (1805-1849) i cili si guvernator dhe sulltan i Stambollit, më vonë mori pushtetin absolut në Egjipt. Ai krijoi bazat e modernizimit dhe të industrializimit të vendit. Ai bëri të vinin në Egjipt ekspertë evropianë dhe krijoi me ndihmën e tyre shkolla dhe akademi ushtarake. Futi kulturën e pambukut dhe një korrje në verë e saj, i siguronte Shtetit burime të reja të ardhurash. Ai u dha toka fshatarëve dhe zgjeroi rrjetin e ujitjes duke vendosur monopolin e shtetit dhe duke krijuar kushtet e nevojshme për kulturën dhe eksportimin e pambukut. Muhamet Aliu njihet si „Babai i Egjiptit modern“. Me këshillat e ekspertëve evropianë ai zhvilloi rrjetin rrugor, industrializoi vendin duke krijuar filatura, uzina të endjes, kantjere detare. Ai organizoi tregtinë ndërkombëtare, të mbrojtur nga taksa doganore shumë të larta. Gjithashtu, ai reformoi arsimin duke u bërë thirrje profesorëve të huaj, dhe në të njëjtën kohë studentë shkonin në Evropë për të përsosur dijet e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës.

3Dhjetor. E përsëris, çdo ditë që kalon është një shkollë e veçantë për mua, si edhe për kolegët e mij. Është një punë metodike, njohje dita ditës me probleme të reja, me organizma të tjerë ndërkombëtarë. Megjithë kufizimet e kohës, këtu në OKB në Nju Jork, je i detyruar të mbulosh disa çështje, të përgatisësh një fjalim, apo ke lirinë të bisedosh me këdo: me përfaqësues të vendeve të ndryshme anëtare të saj. Pak e nga pak, mësoj diçka më tepër për miqtë tanë argjentinas, algjerianë, por edhe për italianët, francezët, gjermanët, spanjollët, afrikanët. Historia e popujve është e pasur. Lexoj shpesh tregime e historira për këta popuj dhe ua tregoj edhe miqve të mij, të cilët entuziazmohen. Më bëhet qefi edhe kur ata dijnë diçka për Shqipërinë. Edhe unë përpiqem t’u sjell diçka të re, pa ato nota emocionale të fillimit, shpesh jashtë kornizave të përgatitura më parë. Fundi i fundit nuk ka asgjë të keqe të shprehësh një mendim tëndin për një problem të caktuar, edhe pse deri diku mund të duket si jashtë konteksit zyrtar. Ai është vetëm një mendim personal, ashtu siç shprehen edhe bashkëbiseduesit e mij këtu për vendet e tyre, apo politikën që ndjekin qeveritarët atje. Më pëlqen sidomos t’u flas për historinë e vendit dhe popullit shqiptar, për gjuhën që e ka ruajtur të paprekur megjithë pushtimet e shumta të huaja, për ndihmesën që ka dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe për ata italianë që dje kishin ardhur si ushtarë pushtues por që u strehuan nga familjet fshatare dhe më vonë u kthyen të lirë në tokën e tyre amë. Sa e sa familje shqiptare dhe italiane u miqësuan pas Luftës së Dytë Botërore, ku dhanë jetën edhe të afërm nga fisi im. Popujt, sidomos ata fqinjë gjithmonë duhet të jenë miq, pavarësisht se cili është regjimi që i drejton.

Qershor 1987.Ka ardhur në Tiranë Nobuaki Oda, japonez, funksionar i lartë i Kombeve të Bashkuara, me rastin e botimit në shqip të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Është njeri serioz, por admirues i artit dhe sidomos pikturave. Bleu disa piktura të piktorëve shqiptarë tek hotel “Dajti”. Më thotë se ka dhjetra koleksione në Japoni të vendosura sidomos në banka, pasi gjithë kohën është zakonisht jashtë shtetit duke qënë punonjës i OKB-së. Karta e OKB-së është shpërndarë në disa biblioteka, por jo për publikun e gjërë. Edhe në Berat ku ishim për vizitë e gjetëm tek Biblioteka e qytetit.

Shtator 1987. Kam ardhur në Gjenevë, ku është qendra e Kombeve të Bashkuara për Evropën. Kam pasur fatin edhe më parë të vij në këtë qytet të bukur e mikpritës, pasi kam marrë pjesë në seanca të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, apo edhe për ndjekjen e projekteve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin (PNUD) me Shqipërinë. Këtu është një fushë e gjerë problemesh që duhen ndjekur, duke filluar nga çështjet ekonomike, politike, sociale, të energjisë, të tregtisë për zhvillim, të telekomunikacionit, të shëndetësisë, pa u zgjatur për problemet e çarmatimit, të drejtave të njeriut etj. E krijuar qysh nga 1946 pas shkrirjes së „Shoqatës së Kombeve“ (Société des Nations), sekretariati i Zyrës Europiane të Kombeve të Bashkuara, në 1966 ishte quajtur Zyra e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, siç quhet edhe sot e kësaj dite. Është tepër interesant fakti se Zvicra si vend mikpritës i saj, nuk është akoma anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por kontribuon gjerësisht në financimin e programeve të OKB-së dhe është një anëtare aktive e gjithë institucioneve të specializuara të Kombeve të Bashkuara. Në Pallatin e Kombeve në Gjenevë janë zhvilluar bisedime të gjata që kanë sjellë si rezultat zgjidhjen e konflikteve të ashpra në shumë vende dhe rajone të botës. Në Pallatin e Kombeve zhvillohen më tepër se 600 mbledhje në muaj. Ato mund të zgjasin edhe një ditë, por edhe me ditë të tëra, si për shembull konferencat vjetore botërore si Asambleja Botërore e Shëndetësisë (OMS), Konferenca Ndërkombëtare e Punës (OIT), sesionet e Komisionit të së drejtës ndërkombëtare, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut etj etj. Nga mbi 180 vende anëtare të OKB-së rreth 150 kanë një mision të përhershëm. Kam shprehur dëshirën që ndonjë simbol i Shqipërisë, një pikturë e bukur me pamje nga Shqipëria të ekspozohet dhe të mbetet në Kombet e Bashkuara, si edhe ato nga vendet e tjera anëtare. Por deri tani nuk ka patur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

1989. Organizohet Festivali Folklorik Ndërkombëtar në Friburg. Këtë vit erdhi edhe një ansambël shqiptar. Në krye të grupit është shkrimtari Besnik Mustafaj, një njeri me horizont dhe që ka dhënë disa intervista në Radio dhe TV zviceran. Festivali organizohet nga Cyrill Renz, një dentist por edhe i pasionuar pas artit. Ansambli ynë bëri figurë të mirë edhe në rrugët e Friburgut duke kërcyer vallet tona karakteristike. Ansambli përbëhej sidomos nga amatorë por malësorë të mirë dhe të urtë që të ngjallnin respekt.

1989. Më njoftojnë të shkoj nga Gjeneva në Vjenë, për të ndjekur punimet e konferences ndërkombëtare kundër trafikut të paligjshëm të drogës. Në kryeqytetin austriak tashmë kishte mbritur një delegacion prej disa vetësh, i kryesuar nga zëvëndësministri i brëndshëm shqiptar. Ky i fundit i kishte shumë qef kosat me fruta kur hanim mëngjezin “kontinental” në hotelin ku ishim vendosur. Një anëtar i delegacionit që ishte me të kishte shfletuar më parë programin dhe gjithçka do të flitej gjatë konferencës. Nga ana teknike ishte i aftë, por nuk merrte vesh fare nga trajtimi i problemit në një konference ndërkombëtare. M’u desh t’u spjegoja gjatë se çfarë duhej patur parasysh. Sidoqë të ishte nuk do të kishte ndonjë reagim nga ndonjë shtet anëtar, pasi Shqipëria mund të “sulmohej” vetëm për problemin e të drejtave të njeriut dhe sidomos të minoritetit grek. Përsa i përket çështjes së drogës as që bëhej fjalë, pasi ajo nuk përbënte problem në ato vite. Qëndrova disa ditë dhe u largova. Mora në telefon ministrin dhe i thashë se nuk ishte e domosdoshme që unë të qëndroja më tepër në Vjenë. Doja të shkoja pranë familjes, si dhe të ndiqja konferencat e shumta që zhvilloheshin në Gjenevë për probleme nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato ekonomike, sociale, të çarmatimit, të të drejtave të njeriut, apo korespondencën që vinte nga organizatat ndërkombëtare apo Misionet e ndryshme diplomatike.

1989. Ambasadori senegalez, Sené, që e njoh që kur isha në Nju Jork gëzon një prestigj të veçantë tek trupi diplomatik. Ai ka respekt për mua dhe here pas here më ve në dijeni për problemet që do shtrohen tek Komisioni i të Drejtave të Njeriut që çdo vit zhvillon punimet në Gjenevë, në muajin gusht. Vijnë aty ekspertë nga vende të ndryshme të botës dhe diskutojnë për problemet e të drejtave të njeriut. Pjesa më e madhe janë profesorë të shquar në vendet e tyre dhe meqë kanë pushimet në gusht, vijnë në Gjenevë, edhe për mbledhje por edhe për pak argëtim. Kam mik aty dhe përfaqësuesin argjentinas, një njeri me karakter dhe shumë i aftë. Shpesh më jep këshilla për qëndrimet që duhen mbajtur në disa situata të vështira. Ndodh që nga Tirana nuk të përgjigjen në kohën e duhur për një çështje të koklavitur, kështu që duhet t’i japësh “drejtim” vetë, pa pritur sa “t’i ngrohen llampat” atij që merret me organizatat ndërkombëtare në qendër. Përpiqem disa here t’i mbush mendjen përfaqësuesit portugez i cili shpesh mban një qëndrim negativ ndaj çështjes së të drejtave të njeriut tek ne. Mundohem t’i shpreh se unë jam nip prifti dhe edhe nëse në Shqipëri feja nuk lejohet të praktikohet në publik, çdonjëri në familje ka të drejtë të praktikojë ritet e fesë së tij: katolike, myslimane, apo ortodokse. E kuptoj edhe vetë se nuk mund ta bind dot, por ç’ti bëj E.Hoxhës që dha urdhër të mbyllen kishat në 1967. E kujtoj gjithashtu me neveri atë muzé në Shkodër ku ishim të detyruar të shpinim të huajt për vizitë dhe ku me argumenta qesharake lëshoheshin nga ana e ciceronit anatema kundër “bëmave” të kishës katolike. Më kujtohej gjithmonë ai altari i Kishës së Madhe në Fier, ku gjyshi im mbante me atë zërin e tij melodioz për rreth gjysëm ore palëvizur e pa zë, ata qindra njerëz fetarë që kishin ardhur për ta dëgjuar dhe për të bërë lutjet e tyre. Më kujtohet kur shkonim bashkë nëpër shtëpi dhe ai me atë instrumentin karakteristik “thimiatua”, lëshonte themjanën me atë erë të mirë. Apo kur bekonte fëmijët dhe kur jepte “naforën” e Krishtit. Ndjeja gëzim të veçantë kur shkoja për pushime për Krishlindjet në Fier. Një atmosfere e gëzuar, paqeje, mirësie, dashurie e respekti për njeri tjetrin. Të gjithë përshëndeteshin me njeri-tjetrin. Më kujtohet kur hidhej kryqi në Gjanicë në mes të dimrit dhe ai që e kapte ishte më i lumturi. Më kujtohej edhe ai manastiri në Ardenicë, ku për fat të mirë kishte qënë gazermë ushtarake kur u prishën kishat në 1967 dhe ikonat mbetën të paprekura deri në ditët e sotme. Krenohesha me atë manastir kur shkoja me miq të huaj atje.

1989. Isha në Bazel, ku u miratua Konventa përkatëse mbi kontrollin ndërkufitar të mbeturinave të rrezikshme. Konventa nuk ishte vetëm një instrument për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme, por gjithashtu për administrimin e sigurt të mbeturinave të tilla. Ajo u hartua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit, prej efekteve të dëmshme të shkatuara nga ekspozimi ndaj mbeturinave të rrezikshme. Zvicra ishte tepër aktive gjatë konferencës së Bazelit. Ministri i jashtëm zviceran, Flavio Koti më falenderoi për qëndrimin tonë dhe më dorëzoi një pikturë simbolike, duke qënë një nga nënshkruesit e parë të Konventës. Në fakt, megjithëse prita nga Tirana ndonjë përgjigje, lidhur me Konventën dhe qëndrimin që duhej mbajtur, siç duket, punonjësi që merrej me këtë çështje në MPJ ishte i zënë me punë të tjera. Kështu më kishte ndodhur edhe herë të tjera. Prandaj dhe e firmosa Konventën, duke e kuptuar rëndësinë e saj dhe mbi të gjitha pasi ishte kërkuar një bashkëpunim edhe nga një vend mik i Shqipërisë si Zvicra që ka pritur në gjirin e saj dhjetra mijra shqiptarë. Nga fqinjët tanë, Jugosllavia nuk u bë palë në Konventë.

Gusht 1989. Ministri më propozon të jem anëtar i delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në sesionin e 44-tërt të Asamblesë së Përgjithshme në Kombeve të Bashkuara. Shkoj dhe bëj përgatitjet në Tiranë. Në fjalim duket një kthesë e madhe sidomos ndaj politikës së dy superfuqive. Edhe Isufi erudit e shprehu njëfarë entuziazmi kur përktheu fjalimin. Sidoqoftë, ai si dhe unë e dinim se nuk mund të thoshim diçka më tepër pa u mbajtur fjalimi.

Tetor 1989. Ministri Reis Malile deklaron para sesionit të 44-tërt të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se “dialogu politik aktual në marrëdhëniet midis dy superfuqive ( të cilat, duhet shënuar, nuk cilësohen më respektivisht si “imperialiste” dhe “socialimperialiste”) ka shpënë në një ulje relative të tensionit ndërkombëtar”. Po atë ditë këto pjesë të fjalimit të tij u përshëndetën nga shumë agjenci lajmesh dhe nga shtypi botëror. Edhe ne sikur e ndjenim veten tashmë më të çliruar këto ditë kur takoheshim me delegacionet e huaja në OKB, pasi e dinim se një kthesë për mirë do të merrte edhe në marrëdheniet me SHBA dhe BS.

Sapo mbaroi fjalimin e përqafoj edhe unë Reizin, por natyrisht pa e tepruar. Edhe fqinji ynë amerikan i dha dorën dhe e përshëndeti përzemërsisht. Një kthesë do të fillonte së shpejti në marrëdhëniet midis vendeve tona. Do të kishim edhe ne mundësi të flisnim më lirshëm edhe me amerikanët apo edhe të shkonim diku tek miqtë tanë në Nju Xhersi, Las Vegas, Florida apo edhe më larg.

Atë mbrëmje bëmë festë dhe e kapërcyem pak nga gëzimi edhe cakun e lejuar të pirjes së uiskit, votkës apo verës së Kalifornisë, bashkë me vëllezërit tanë nga Kosova, viset , si dhe shqiptarët e Shqipërisë, brezi i vjetër dhe i ri që janë vendosur prej dhjetra vitesh në Amerikë. Shumë kanë ardhur nga larg me aeroplane, apo me “kera”, siç i thonë ata veturës.

Korrik 1990. Ka ardhur koha që edhe tek ne të mendohet se jemi vend europian dhe nuk mund të jetojmë më “si në vathë të mbyllur”. Çdo shtet është i ndërvarur nga njeri tjetri. Pse nuk merret shembull qoftë edhe nga paraardhësit tanë të shquar. Dihet se shteti i krijuar nga Skënderbeu u bë në kohën e vet faktor aktiv pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai bëri përpjekje të krijojë një front të përbashkët europian kundër osmanllinjve. Ai u përpoq ta realizojë këtë edhe me Janosh Huniadin, gjeneralin e madh hungarez. A nuk pati Skënderbeu mbështetjen e fuqishme të Papës së Romës dhe Mbretërisë së Napolit. U përpoq të bashkëpunojë dhe me Republikën e Venetikut, por që nganjëherë haste ndesh për shkak të synimeve të atëhershme të Venetikut. Sot është krejt ndryshe. Europa apo Amerika nuk janë “armike” ndaj nesh apo që duan “të na sulmojnë”. Ka ikur koha e bunkerëve, në kohën që tashmë ka rënë edhe muri i kobshëm i Berlinit.

Korrik 1990. Sot erdhi më takoi funksionari i lartë i Kombeve të Bashkuara, Stefan De Mistura. Është i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Perez De Kuelarit, lidhur me problemin e personave që kanë hyrë në ambasadat e huaja. Më tha se ka dhe një motër në Shqipëri. Theksoi se Kombet e Bashkuara duan t’i japin një zgjidhje të kënaqshme dhe të shpejtë problemit. Ishte shumë elokuent dhe tepër i saktë në fjalitë që shprehte. Njoftova menjëherë Tiranën dhe atje e pritën mirë.

Korrik 1990. Stefan De Mistura u kthye nga Shqipëria. Pas valës së parë kur u lejuan 4786 shqiptarë të emigronin në Itali dhe në vende të tjera perendimore, u duk shenjat e një zbutje të regjimit. De Mistura, një funksionar tepër i aftë i Kombeve të Bashkuara që i dha një zgjidhje konkrete problemit të shqiptarëve që u futën në ambasada dhe u lejuan të largohen në vendet që dëshironin. Ai dhe Viera de Mello që është funksionar i lartë në Komisariatin e Lartë për Refugjatët, më ngjallin një respekt të veçantë, pasi dijnë të zgjidhin edhe situate tepër të koklavitura në rajone të ndryshme të botës. Nuk e di nëse shkrimtari ynë penëartë Xhevahir Spahiu që më kërkoi adresën e De Misturës, kur isha në Tiranë mundi të lidhej me të. Ai po përgatit një përmbledhje për shkrimtarin Petro Marko dhe do t’i kërkonte një mendim De Misturës. Këtë të fundit e kam parë here pas here të debatojë edhe në televizionin në gjuhën italiane.

1990.Rruga drejt demokracisë në Shqipëri siç duket do të jetë akoma e gjatë. Nuk është e lehtë. Shqiptarët është e vërtetë se e duan të renë, janë për Europën, por është e vështirë të shkëputen nga ato vite të diktaturës. Të paktën ata që përhapin akoma në shkallët e pallateve ku banojnë, veprat e E.Hoxhës. Qeveria demokratike ka kohë pas kohe probleme, sidomos me nostalgjikët që nuk shohin më larg se drita e tyre e syrit. Harrojnë ata se u rropatën gjithë jetën për të patur një pension qesharak, ndërkohë që pinjollët e diktaturës shijnë me paratë e popullit. Njerëzit e thjeshtë mendonin se me ardhjen e demokracisë së brishtë parajsa do të vinte menjëherë. Por si edhe pas çdo fitoreje duhet pritur. Përveç kësaj, ekziston akoma një ndarje e madhe midis nivelit të vendimit politik qëndror dhe shërbimeve të Shtetit që normalisht merren me ndryshimet që duhen realizuar. Me fjalë të tjera, dëshira për ndryshim nuk është e njëjtë midis që gjithë aktorëve të jetës politike shqiptare.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page