Nexhip Ejupi: STOLAT ME VARGJE DASHURIE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Apr 18
- 3 min read

STOLAT ME VARGJE DASHURIE
Në shpinoret e stolave të parkut
Le të bukurshkruhen poezi për dashurinë...
Kush lexon ato vargje
E çlodhet në këto parqe
Ka për ta ndjerë në zemër
më gjatë lumturinë...
NË KUJTIM TË NËNË SELVISË
Sa bëj të fle,të shoh në ëndërr,
Sikur t'i kem të hapur sytë
E zë më flet më zë të ëmbël,
Sa nuk gjen mjaltë si zëri yt...
E fjala jote rrjedh si hoje
E më pikon në shpirt pikë-pikë,
Tani e ndjej sa fort më doje,
Tani që jam në Amerikë...
Po ëndrra qenka vesë që ndrin,
Shkëlqen e tretet në zabele,
Një tufë me çaj,sikur ma fshin,
Sikur ma fshin një tufë sherbele...
Sa ç'doja fort e fort dadanë *,
Të doja ty,moj nënë Selvi **,
Që larg ku je,në Elbasan,
Në ëndërr vjen,më merr në gji...
E zëri yt kullon si hoje,
E më pikon në shpirt pikë-pikë,
Tani e ndjej sa fort më doje,
Tani që jam në Amerikë...
---------------------------
* Nëna ime
** Shoqja e ngushtë e nënës sime
ETJA E TË SHKRUARIT
S'm'u shua etja për të shkruar,
Po letrën bosh nuk mund ta lë,
Për botën tjetër,të amshuar,
Sa vjen,më shumë mendoj për të...
Siç thonë,atje krejt shpirtrat tanë,
Do të shpërmallen sy-ndër-lotë,
Do t'jemi bashkë nën një taban,
Që është njëlloj kudo në botë...
Çdo paralel e meridian
Le t'na shërbejë si telefon,
Të marrin vesh ato që s'thamë,
Sa qemë gjallë n'Atdheun tonë...
Atje sekush do t'jetë i lirë
Të flasë ç'mendon,pa asnjë pozë,
Kush qe i mirë dhe bëri mirë,
Kush qe i zi në shpirt si blozë...
S'm'u shua etja për të shkruar
E letrën bosh s'po mund ta lë,
Për botën tjetër të amshuar,
Gjithnjë më shumë mendoj për të...
AI SHOK,MILIANOV KALLUPI
Ai shok,që e desha e më deshi,
Që kafen e pinim bashkë çdo mëngjes,
Që veç i buzëqesha e veç më buzëqeshi,
Sikur më thotë: - M'u vonove...Nuk të pres...
Që ngryseshim në Berat e gdhiheshim në Delvinë
E nga Delvina në Sarandë e që këtej në Vlorë,
Me të - buzë Vjosës e me të në Shkumbin,
Ai shok m'u shua,si të ishte meteor...
Pikërisht ai,që e desha e më deshi,
Që e pinim kafen bashkë çdo mëngjes,
Që veç i buzëqesha e veç më buzëqeshi,
Pikërisht ai shok nuk më pret...Ku ta pres?...
Hedh sytë gjithandej...Më ndrin si mëngjes...
ISOT E JUGUT
Shkrep e gërxh edhe lëndinë,
Çaj Çajupi,trëndelinë...
Buzë Vjosës,drejt përpjetë,
Hidhni sharkun mbi rrufetë...
Rob i zini ndënë shark,
Në përzhitjen gjoks-e-bark...
Rrëzë një shkrepi,rrëzë një rrëze,
Bëhi zë në gushë thëllëze...
Flini e zgjohi në dyjare,
Që kur bota s'ishte fare...
NE
Në etje jemi të shumetur,
Në çiltërsi - tej çiltësisë,
Në net hënore - të pafjetur,
Ia endim ëndrrat dashurisë...
Murosim fjalët me rrënjë miti,
Rozafa shekujsh,dhembjeplote.
Pastaj zbulojmë kush na grabiti
Visare plagësh në motmote...
Në shtjella kohrash-besëlidhur,
Si gurëthemelet e kalasë,
I rrimë së sotmes zemërdridhur,
Për gjurmët tona që lamë pas...
Sërish në etje - të shumetur,
Sërish Rozafa - thellë në gji,
Ndër net të ftohta - të pafjetur,
Përgjojmë nga vjen bajlozi i zi...
PULEBARDHAT
Dallga- dallgën ndjek dhe deti
Shkumëzohet,hedh stërkala,
Sikur shembet gjëmë rrëmeti
Te shkëmboret gungëdala...
As largohem dhe as qasem,
I magjepsur,i mbërthyer,
Teksa shkulmet vetëpërplasen,
Porsi kuaj të ndërkryer...
Turfullohen,ngrihen kas,
Të rreshtuar tej-e-tej,
Gjithë me turr e me tallas,
Sikur sulen për betejë...
Thyejnë këmbët gjunjëbardhat
Prej shkëmbinjve kokëshkëmb,
Për t'u lindur pulëbardhat
Nga kjo ndeshje dhëmbë për dhëmbë...
RREMBIMI I ZEMRES
Kjo zemër rrihka për t'u dhënë,
Por kujt t'ia jap atë më parë?...
Ta kem për hënën gjysmëngrënë,
Apo për majin shi-litar?...
Ta kem për lypës a lypsare,
Apo ta kem për biznesmenë?...
Një kumuri gugurimtare
Guget e...zemrën ma rrëmben...









Comments