Nexhbedin Basha: SOT ËSHTË DITËLINDJA IME...
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 11 hours ago
- 1 min read

SOT ËSHTË DITËLINDJA IME...
Sot është ditëlindja ime,
vitet ikin si zogj pa kthim,
por hije e tyre mbetet mbi supet e mia,
si një kronikë heshtjeje që s’plaket kurrë.
Në vargje jam unë,
me plagë që kanë mësuar të flasin bukur,
me hapa që s’u trembën errësirës,
se drita lind shpesh nga rrënojat e kohës.
Është familja ime që më dha forcë,
janë rrënjët,
dielli dhe flladi i bjeshkëve të Korabit,
që më mbajtën drejt kur rruga u drodh.
Je edhe ti, lexues, kujtim, frymë e muzë,
që hyn në poezinë time pa trokitur
dhe më bën më pak vetëm në këtë udhë.
Sot, kjo ditë nuk është numër,
por aset i shpirtit tim të lodhur e krenar,
sa kohë shkruaj, sa kohë më lexon dikush,
hija s’është barrë;
është dëshmi se kam qenë udhëtar.
Është ditëlindja ime,
por edhe ditëlindja e rrugës që nuk ndalet aspak.
Nexhbedin Basha
1 janar 1958









Gëzuar ditëlindjen, shkrimtar dhe poet Nexhbedin Basha!
Uroj që frymëzimi, fjala e bukur dhe dashuria për letërsinë të shoqërojnë çdo hap të krijimtarisë suaj. Shëndet, suksese dhe vlera të reja në veprat që na dhuroni!