top of page

Nexhbedin Basha: 20 vjet gazeta “Rruga e Arbërit”: Një zë, një kujtesë, një histori

  • 2 hours ago
  • 6 min read

 

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 29 maj 2026, ora 18.00 u shënua 20-vjetori i gazetës “Rruga e Arbërit”; një botim, që nga një nismë komunitare, u shndërruar në një tribunë të mendimit të lirë, kulturës dhe identitetit dibran.

Në këtë jubile morën pjesë figura të njohura të jetës publike, intelektualë, gazetarë, krijues dhe përfaqësues të diasporës, duke e kthyer mbrëmjen në një reflektim mbi dy dekada rrugëtim dhe kujtesë kolektive.

Aktiviteti u çel nga presidenti i gazetës, Musa Riçku, i cili solli në vëmendje fillesat e “Rrugës së Arbërit”, lindjen e saj si zë i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë dhe misionin e saj dydekadësh në shërbim të kulturës, identitetit dhe kauzave të zonës. Ai vlerësoi kontributin e intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve që e kanë mbështetur gazetën ndër vite, duke e cilësuar atë si një projekt që ka tejkaluar kufijtë e një botimi të zakonshëm.

Moderimi i aktivitetit u realizua me profesionalizëm nga gazetari Dëfrim Defrim Methasani, i cili i dha mbrëmjes ritëm, koherencë dhe emocion, duke lidhur natyrshëm kumtesat dhe ndërhyrjet e pjesëmarrësve.

 

Nga një ide e thjeshtë në një mision kulturor

 

Gazeta “Rruga e Arbërit” nisi si organ i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, në një kohë kur projekti i rrugës së Arbërit si vepër e infrastrukturës në vend ishte ende ëndërr. Ajo u konceptua si zë mbështetës i këtij projekti dhe si urë lidhëse mes dibranëve në të dy anët e kufirit.

Fillesat e saj nisën në Laprakë, ku një grup idealistësh dhe intelektualësh dibranë; Shaqir Skarra dhe Hajri Mandri, me mbështetjen e biznesmëneve Musa Riçku dhe Shaban Bitri hodhën themelet e një shoqate, dhe njëkohësisht edhe një shoqate të re.

Në fjalën e tij, Shaqir Skara, si kryeredaktor i parë i kësaj gazete, rikujtoi vështirësitë e botimeve të para, të realizuara me përkushtim dhe sakrifica.

Sot, pas 20 vitesh, gazeta “Rruga e Arbërit” vazhdon të botohet nën drejtimin e botuesit Bujar Karoshi, me mbështetjen e presidentit të gazetës Musa Riçku dhe gazetari të njohur Shaqir Skarra, duke ruajtur misionin e saj kulturor dhe qytetar.

 

Një gazetë që u bë arkiv i kujtesës dibrane

 

Gjatë ceremonisë u theksua se gazeta nuk ka qenë vetëm një mjet informimi, por një arkiv i gjallë i historisë, traditës dhe zhvillimeve shoqërore të Dibrës, duke pasqyruar jetën e komunitetit në të dy anët e kufirit. Kjo u evidentuar edhe nëpërmjet një kolazhi audioviziv, kujtese dhe emocioni; që solli në ekran 20 vite histori të gazetës, faqet e para të gazetës nga numri i parë deri tek botimet më të fundit, duke rikthyer figura, ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme të pasqyruara ndër vite.

 

Zëra, kujtime dhe dëshmi

 

Mbrëmja u pasurua me kumtesa dhe mesazhe nga personalitete të ndryshme:

Prof. Shpëtim Cami, Kryetar i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, vlerësoi rolin kulturor dhe intelektual të gazetës. "Gazeta i tejkaloi pritshmëritë e themeluesve, duke mos mbetur thjesht një organ i shoqatës. Ajo u kthye në një zë të fortë në mbështetje të premtimeve dhe investimeve për “Rrugën e Arbrit”, në një tribunë më gjithëpërfshirëse dhe në një media që kërkonte më shumë pavarësi dhe shtrirje territoriale", theksoi profesor Shpëtim Cami.

Gazetën e vlerësoi edhe prof. asoc.dr. Saimir Shatku, Kryetar i shoqatës Bashkësisë Dibrane, i cili e cilësoi gazetën si "urë lidhëse dhe një zë të qëndrueshëm të komunitetit dibran".

Profesor Enver Hysa, në fjalën e tij u ndal te rëndësia e ruajtjes së traditës dhe identitetit kulturor dibran, duke vlerësuar gazetën edhe për kujdesin në përdorimin dhe pasurimin e fjalës së bukur të trevës së Dibrës, si pjesë e trashëgimisë gjuhësore shqiptare.

Ndërsa profesor Bashkim Lleshi solli kujtimet e tij në bashkëpunimin me gazetën, si dhe informacioneve që ka ndarë ajo, duke ndjekur hap pas hapi ecurinë e projektimi, ndërtimit dhe problematikave që janë hasur.

Bardhyl Marku, kishte ardhur nga Shkupi për të sjellë përvojën e tij në bashkëpunimin me gazetën. Ai ndau kujtimet e tij në lidhje me rolin që luajti gazeta në ndërgjegjësimin për projektet e devijimit të ujërave të Radikës, duke qenë një zë i besueshëm dhe ndërgjegjësues për banorët që prekeshin nga ky projekt mjedisor.

"Kjo gazetë, jo vetëm që ka qenë promovuese e vlerave të kulturës dhe traditës dibrane, por ka qenë edhe një zë i fuqishëm i mbrojtjes së interesave kombëtare e patriotike të kësaj treve", theksoi Bardhyl Marku.

 

Mesazhe nga Europa dhe SHBA

 

Në jubile u transmetuan edhe mesazhe video nga shkrimtari Agron Tufa dhe botuesi Agim Deva, të cilët vlerësuan gazetën si një pasuri shpirtërore dhe një urë lidhëse me diasporën shqiptare. Në mesazhin e tij, shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Agron Tufa ngriti një pyetje thelbësore: “A duhet të mbyllet gazeta, pasi dikush mund të thotë se e ka përmbushur misionin e saj?”. Por ai vetë dha përgjigjen, duke theksuar se “Rruga e Arbërit” nuk duhet të mbyllet, pasi është kthyer në një pasuri shpirtërore dhe një tribunë të mendimit të lirë që duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj.

Në videomesazhin e tij nga SHBA, Agim Deva theksoi rolin që ka luajtur gazeta në lidhjen e komunitetit dibran kudo në botë, duke mbushur një hapësirë që u mungon bijve të larguar nga vendi, me dashurinë për atdheun, për vendlindjen".

 

Vlerësimi i profesionistëve të medias

 

Në këtë përvjetor jubilar përshëndeti edhe Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i cili e vlerësoi gazetën “Rruga e Arbërit” si një tribunë të mendimit të lirë, që prej kohësh i ka kapërcyer kufijtë e një gazete lokale. Ai theksoi se e njeh nga afër rrugëtimin e saj, pasi ka lexuar pothuajse çdo numër të gazetës dhe ka vlerësuar problematikat e gjera që ajo trajton. Sipas tij, kjo është meritë e korpusit të madh të intelektualëve, gazetarëve, studiuesve dhe publicistëve dibranë, por edhe më gjerë, të cilët me shkrimet dhe kontributet e tyre i kanë rritur vlerat dhe autoritetin gazetës “Rruga e Arbërit”, ku meritë të veçantë theksoi z.Çipa, ka editori Bujar Karoshi.

 

20 vite - 700 bashkëpunëtorë: Fuqia e bashkimit

 

"Rruga e Arbërit" nuk është thjesht një gazetë - ajo është një frymë!", tha në fillim të fjalës së tij, botuesi i gazetës, Bujar Karoshi.

"Nuk jam unë që kam bërë gazetën, janë më shumë se 700 autorë, personalitete të njohur të kulturës, shkencës, gazetarisë dhe jetës publike shqiptare e dibrane, të cilëve u jam shumë mirënjohës për bashkëpunimin, mirëkuptimin gjithë këto vite. Pa to ne nuk do të kishim një gazetë, pa to ne nuk do ta festonim këtë 20-vjetor", tha ai në fillim të fjalës së tij.

"Ashtu si çdo infrastrukturë reale që lejon njerëz, mallra dhe ide të udhëtojnë të lirë në dy drejtime, Rruga jonë e Arbërit krijoi truallin e qëndrueshëm të vetëdijes se, nëse bëhemi bashkë, nëse guxojmë, nëse besojmë tek fuqia e aspiratave tona, jemi të pandalshëm", tha ai.

"Gazeta Rruga e Arbërit krijoi një vetëdije të re, ripërtëriu një identitet rajonal dhe fuqizoi një trup krahinor të drobitur, por jo të dorëzuar", theksoi botuesi Karoshi.

Gjatë fjalës së tij, ai përmendi rolin e dy publicistvë të njohur dibranë të rilindjes kombëtare shqiptare, Jashar Erebara Josif Bageri, nën shembullin e të cilëve, përmes gazetës Rruga e Arbërit kanë dhënë kontribut shumë personalitete dibrane të kulturës dhe gazetarisë së sotme, deri te brezi i të rinjve sot që po shkëlqejnë në median qendrore.

Në vijim, Karoshi shpalosi edhe vizionin e tij për të ardhmen e gazetës, duke theksuar se këtë 20-vjetor nuk e konsideron si një pikë përmbyllëse, por si një nisje të re rrugëtimi, me më shumë përgjegjësi për të ardhmen. Sipas tij, gazeta do të vazhdojë të jetë zë i komunitetit dibran, urë lidhëse mes brezave dhe diasporës, si dhe hapësirë e hapur për mendimin e lirë, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Në këtë përvjetor jubilar nuk munguan emocionet, kujtimet për bashkëpunëtorët e hershëm dhe mirënjohja për të gjithë ata që kontribuuan që “Rruga e Arbërit” të mbijetojë e të ecë përpara për dy dekada me radhë. Një gazetë… një kujtesë… një komunitet… një rrugëtim 20-vjeçar në shërbim të fjalës së lirë dhe identitetit dibran.

Të pranishëm në takim ishin personalitete të kulturës, shkencës, artit dhe jetës publike, si ambasadori Sulejman Tomcini , këngëtarja Liri Rasha , akademik Adem Bunguri, e shumë të tjerë, të cilët e vlerësuan veprimtarinë dhe kontributin e gazetës në jetën publike shqiptare. Të pranishëm në takim ishin edhe biznesmenë, të cilët premtuan një mbështetje për vazhdimësinë, duke e bërë gazetën Rruga e Arbërit si një nga gazetat lokale më jetëgjata në vend në formatin e printuar në letër.

Në këtë rrugëtim kujtimesh dhe emocionesh, më solli ndërmend edhe një reflektim të hershëm: dikur ishte vetëm një shteg ku dëgjohej vetëm troku i kalit dhe kalimi i vështirë nëpër shtigje malesh, ndërsa sot është një rrugë moderne, ku dëgjohet zhurma e automjeteve, muzika e këngëve dibrane dhe fryma e bashkimit të shqiptarëve.

Ky kontrast mbetet simbolik i vetë rrugëtimit të Dibrës dhe i misionit që ka mbajtur gjallë edhe gazeta “Rruga e Arbërit” gjatë këtyre dy dekadave.

Urime gazetës “Rruga e Arbërit”! Një gazetë që u bë histori. Një histori që vazhdon të shkruhet.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page