top of page

NE, TË ZHGËNJYERIT NË TRE BREZA


Vullnet Mato

Vullnet Mato


Na premtuan do hanim me lugë floriri,

pritëm dekada, duke shtrënguar rripin.

Hëngrëm kothere misri me kokrra ulliri,

duruam të kuqtë, mbi shpina të hipin.


Na vunë triska, tallonë, e duhej folur mirë,

ndryshe na quanin të deklasuar me damka.  

Pëshpëritëm kundër gënjeshtrave me brirë,

na internuan në këneta e na vunë pranga.


Thanë do na begatonin, pak vite më tutje,

kur të ngriheshin lart gjithë ëndrrat lindore.

Na vunë të brohorisnim për Kinën e kuqe,

si miq bunkerësh e raketash bërthamore.


Premtuesit e majmur, hëngrën e pinë,

lugët e floririt i morën në varr me vete.

Ne, prindërit na lanë trashëgim urinë,

duke shkuar të vrerosur, prej kësaj jete.


Dolën në krye flamurmbajtës perëndimor,

shembën fabrikat dhuruar për ndryshkun,

thanë do na ushqejë bota, me donatorë,

mjafton të brohorisnim, kapitalist mikun.


Na sollën veshjet, hedhur nga të vdekur,

mbushën tregjet me modifikime gjenetike,

shitën malet me bakër, krom dhe hekur,

u rehatuan për vete në kolltuqe e karrige. 


Së fundi, të tjerët, buxhetin tonë kombëtar,

ndajnë në pak veta, të partneritetit privat.

Do presim të hamë dheun e bollshëm në varr,

pasi të na ikin të gjithë bijtë e bijat refugjatë;


Apo do shkelmojmë përfundimisht zhgënjimin,

për t’u bërë zotër të fateve dhe trojeve tona,

të marri populli në dorë, të gjithë drejtimin,

pa gënjeshtarë të rinj, pa zhgënjime të vona?!...


12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page