top of page

Thoma Goga: Botë e madhe plot me halle...-

  • 2 hours ago
  • 5 min read

                  

-  xhevap i sheqerosur për mikun tim gazetar, Bujar Rama –

 

E këndova dy a tri herë kartën tënde, që kishe qendisur për mua.  Bukur e me lezet e kishe ujdisur. E kuptova ku e vërvisje llafin. Më kujtove edhe ca vite kur punova andej nga vendlindja me kulturën. Atje njoha edhe më mirë jetën, njerëzit. Njoha ata që ropaten ditë e natë për të nxjerrë një kafshatë. Këta i dua dhe më duan. Njoha edhe ca “morra” të kuq e blu, që ishin shtuar si farë e keqe. As një klasë shkollë s’kishin, po të gjithë me “dhiploma” universiteti ishin. I paguante pushteti për spiunllëqe, hajdutllëqe. Njoha edhe ndonjë “të zgjedhur” me vota të vjedhur. Zbukurohen e pasurohen sapo mbi kolltuk shtrojnë menderen. Deri dje ishte “pabukse”, po fare koromane, nashti u bë milionere hane-hane... E m’u kujtua një llaf i mençur i popullit që thotë: “Në mbretërinë e qorrave sundon ai që ka një sy”... Nejse. U bë ca kohë që më zuri një si “dremitje” dhe kalemi më ishte “kredhur” në mërzitje. Nashti që është rritur nafta, dua ta kursejë edhe unë kalemin. Nashti të gjithë i rrisin çmimet, sepse “asht rrit nafta”. Ma bëre zemrën behar me këtë kartë. E di se je lis “mexhlisi”, rritur te vilajeti i Ali Pashait. Ajo ana juaj ka nxjerrë burra të rëndë, që s’maten me kandar. Andej guri çon xixa edhe kur bie shi... Më duket se këto “xixa” ta mbajkan edhe ty “barutin” të thatë... Çoç kam kënduar ca nga shkrimet e tua e m’u mbush mendja se qënke shkrimtar me “vlagë” dhe gazetar “shigjetar”...Mbarë ta bëftë Zoti! Mbarë, o zoti Bujar, dhe pena zjarr!E që ta ngas llafin, do të jap edhe unë ca material për të mbushur “hambarin” tënd. Nashti do të njihemi më mirë dhe do mësoç për punët e mia. Që ta marrësh vesh zotrote, unë jam Çeço Çobani. Kam stanet që më ka lënë amanet gjyshi im, ndjesë pastë. Stanit tim i ka dalë nami, se unë kërkoj rregull e “dhisiplinë”. Për këtë kam bërë “ëmbër” e nami shkoi deri lart në “qiveri”. Ndaj na bënë një si biçim “akademi”. Ai “i gjati” bën ca si punë “sasimite”. Ashtu bëj dhe unë këtu në stanin tim. Organizoj ca si punë “samute”?! Mbledh agallarët e staneve nga Salaria, Tërbaçi, Kurveleshi, Devolli, Shishtaveci. Kurse mua ma “ngopën” detyrën si biçim “rektori”. Me një fjalë, i pari në “kuvendin” e staneve. Ja, kur të viç këtu, do t’i shoç me sytë e tu e do ta kuptoç, se ne e kemi kaptuar ”vrromën Evropnë”... Po kam gjetur belanë me kafsharët e punësuar. Më janë mërzitur një çikëz, sa morën vesh se do hyjmë në Europë. Do thuash ti, pse? Po kjo qëne Europë i do kafsharët me gjuhë të huaj. Këta të mitë edhe shqip mezi flasin. Kurse për të shkruar e lexuar të hanë munë. Vetëm nipi i Pinxho Kapellës çoç bënë ndonjë punë. Po edhe ky qerrata i madh. Ka filluar të bëjë letra anonime. Çdo javë në stanin tim bëjmë një si biçim “informacioni politik”. Erdhi një ditë vetë ministre Diella të na sqaronte. Po ç’e do, u ftoh në tajare. Desh na bëri hatanë. Aty tek ne i mbaroi “karburanti” dhe ngeci, sikur t’i kishte hyrë në gurmaz një këmbë keci. Eh, ç’vajti, o nipi i Selam Salarisë! Kërkonin kafsharët ku e kishte “kazanin e karburantit”, që t’i hidhnin ca dhallë. Po shyqyr thuaj, që kam nipin e Pinxho Kapellës. E ndolla menjëherë, se atij i pjell mendja për këto punë. I gjeti një çiçive afër sumatriçes. Ishte si butoni i lavatriçes. Sa i futi gishtin, u përmend Diella. Nashti këtë marifet e mësova dhe unë, po kam frikë se mos ngatërroj “vërën” kur t’ja fus gishtin...Nejse.Kur të bëjmë informacionin e radhës, do të thërras edhe ty. Ti rri, dëgjo, shiko e shëno, se çoç do mësoç. Do keç material sa të dhjeç...Ja kështu që thua ti, o Bujari im. Stanit tim i ka dalë nami edhe si stan “ndërkombëtar”. Kam punësuar një kinez, një afgan, një sirian. Kisha dhe një “dëngladeshas”, po e nisa në Bangladesh, se shiste dëngla. Ne po i shesim “pordhë” me shumicë gjithë Europës, kurse ai...“Ambasador” për ndërkombëtarët  kam “graduar” Agushin italian. E mo, ai topçiu që mbajti Mato Gruda. Unë dal e i kontrolloj. Një ditë gjeta kinezin që po zinte një zhapik. Kurse Agushi italian po shkruan një libër, që na i thënka “roman”. E ka mbushur librin me historitë e fshatit Harun, me plakun Mere, që dilte e fliste në ballkon. Përmend Tosun Baçin që do të rrëzojë qeverinë me molotovë, hallë Esmanë, mua që mbaj fshehur në plevicë një top...Thotë e ç’nuk thotë! Thotë se do të shkojë në një si biçim konkursi. Pastaj do të marrë një si biçim çmimi, që të takojë atë “të gjatin” e të marrë pasaportë shqiptare. I pjell mendja dhe këtij pipinos. Pastaj, sa të martohet, ai ”i gjati” do t’i japë shtëpi pa asnjë koqe leku...U punon mendja allafrenga...Kur ai ta mbarojë librin, do të tharrasë edhe ty në stan që ta bëjmë “lajm i fundit”. Jam i bindur se ai do të jetë lajm i pari dhe më i miri në haberet e akshamit...  Nashti, që thua zotrote, më është hapur punë e madhe. Thotë mirë populli; kur të vjen e mira, hapi derën. Pres e përcjell turista. Ka lloj-lloj. I sajdis me djathë, gjalpë e gjizë. Dy bidona me dhallë i thajnë çdo ditë... Ama nuk i kursejnë fotografitë. Shkruajnë edhe ata nëpër gazeta. Për mua fjalët më të mirë thanë e ç’nuk thanë. Po një koqe leku për dhallën nuk më dhanë...E unë kujt t’ja kërkoj lekët për dhallë? Hë më thuaj; t’ja kërkoj “qiverisë”?! Po a e dinë turistat, se edhe “qiverisë” për lekë i vjen mendja vërdallë?!...Ja kështu, o Jaro. Të pres sa më shpejt te stani im, që shkëlqen për rregull e “dhisiplinë”. Jo si “stani i madh”, që është bërë lesh e li...Aty po ha njeriu, njerinë. I ke parë se si po hanë kokat e njëri-tjatrit?! Nashti janë në garë kush të hajë më shumë; e djathta apo e “mëngjëra”... Po e hëngri mola trarin “e madh”, i gjithë stani shëmbet. E “pashallarët” tanë këtë llaf nuk e dinë...Është plot me habere e me halle kjo jallane, o Jaroooo...  Ja kështu, o nipçja i Selam Salarisë. Të thaç kaq shumë habere, që t’i hedhësh në defterin tënd. Mbase do të duhen një ditë. Mbase dhe të lodha një çikëz me këto “molloisjet” e mia. Po m’i bëj hallall, se helbete, pleqëri hesapi... Të paça me jetë e me shëndet! Pena t’u bëftë top, në do të bëç bereqet... Çeço Çobani, dora vetë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page