Fatmir Terziu: Kur një fjali bën diskurs më vete
- 1 hour ago
- 3 min read

Në historinë e letërsisë botërore ka raste kur një fjali e vetme arrin të bëhet më e fuqishme se një ese, më e thellë se një kritikë dhe më e qëndrueshme se një parathënie akademike. Një fjali e tillë nuk mbetet vetëm tekst, ajo bëhet frymë, kulturë, etikë njerëzore dhe dëshmi e dashurisë për librin. Pikërisht kjo më ndodhi kur lexova fjalinë e shkrimtares Mimoza Leskaj: “falenderoj kontributin e Z. Robert Martiko për korrektimin dhe parathënien e librave”. Në pamje të parë duket një falënderim i zakonshëm, një mirësjellje që zakonisht kalon pa u vënë re në ceremonitë letrare. Por jo. Brenda saj qëndron një univers i tërë kulturor. Ajo fjali bëri diskurs më vete. Një fjali e thjeshtë në dukje. Por sa e rrallë në thelb. Në kohën tonë, ku shpesh autorësia ngrihet mbi kultin e vetes, ku shumëkush kërkon të duket si krijues absolut i gjithçkaje, një falënderim i tillë ka peshën e një akti qytetarie letrare. Pikërisht këtu nis diskursi: tek madhështia e thjeshtësisë.
Historia e letërsisë botërore është e mbushur me shembuj ku veprat më të mëdha nuk do të kishin mbërritur tek lexuesi pa dorën, mendimin apo besimin e një tjetri. Kur Franz Kafka i kërkoi mikut të tij Max Brod të digjte dorëshkrimet pas vdekjes, ishte pikërisht dashuria e Brodit për letërsinë që shpëtoi “Procesin”, “Kështjellën” dhe gjithë universin kafkian. Një mik nuk dogji letrat; ai ruajti ndërgjegjen moderne të njerëzimit. Sa herë lexojmë sot Kafkën, lexojmë edhe aktin moral të një njeriu tjetër që besoi tek libri më shumë se tek dëshira personale e autorit. Po kështu, T. S. Eliot nuk do të ishte i njëjti pa syrin kritik të Ezra Pound. Vetë Elioti e quajti Pound-in “il miglior fabbro” – mjeshtri më i mirë – sepse ai e ndihmoi të shndërronte “The Waste Land” në një nga poemat më të rëndësishme të shekullit XX. Pra, një kryevepër nuk u krijua vetëm nga frymëzimi, por edhe nga korrektimi, prerja, këshilla dhe besimi. Edhe Fyodor Dostoevsky kishte pranë gruan e tij Anna Dostoevskaya, e cila jo vetëm i sistemonte dorëshkrimet, por shpëtoi ekonomikisht dhe botërisht shumë nga veprat e tij. Pas “Vëllezërve Karamazov” apo “Krim dhe Ndëshkim” qëndronte edhe përkushtimi i heshtur i një gruaje ndaj librit. Në botën angleze, Virginia Woolf dhe bashkëshorti i saj Leonard Woolf krijuan së bashku “Hogarth Press”, duke botuar jo vetëm veprat e Virginia-s, por edhe autorë të tjerë të mëdhenj modernistë. Ishte një martesë mes dashurisë njerëzore dhe dashurisë për librin. Po të kthehemi më pas në letërsinë latino-amerikane, Gabriel García Márquez shpesh ka pranuar se pa mbështetjen absolute të bashkëshortes së tij Mercedes Barcha, ai nuk do të kishte përfunduar “Njëqind Vjet Vetmi”. Thuhet se ajo shiti sendet e shtëpisë që ai të vazhdonte të shkruante. Një roman universal lindi edhe nga sakrifica e heshtur.
Këta shembuj tregojnë se letërsia e madhe nuk ndërtohet vetëm mbi talentin individual. Ajo ngrihet mbi bashkëpunimin, besimin, korrektimin, mbështetjen morale dhe mbi kulturën e mirënjohjes. Prandaj fjalia e Mimoza Leskaj ka rëndësi, sepse ajo na rikthen tek një virtyt që po rrallohet: pranimi i kontributit të tjetrit. Në thelb, ky është një akt elegance shpirtërore. Të falënderosh dikë për korrektimin apo parathënien do të thotë të pranosh se libri nuk është thjesht produkt i vetmisë së autorit, por fryt i një komuniteti kulture. Kam shkruar me qindra analiza e kritika. Kam botuar vëllime të tëra mbi letërsinë dhe diskursin kritik. Por rrallë kam parë një fjali kaq të vogël të mbartë kaq shumë etikë letrare, sepse një korrektues nuk rregullon vetëm gabime, ai ruan dinjitetin e gjuhës. Një parathënie nuk është vetëm hyrje ceremoniale; ajo është drita e parë që i hap rrugën lexuesit drejt botës së librit. Dhe ai që falënderon për këto gjëra, në fakt falënderon vetë kulturën. Në një botë ku gjithçka matet me zhurmë, kjo fjali solli heshtjen fisnike të librave të vërtetë. Dhe pikërisht aty ku ka fisnikëri, letërsia mbetet universale.








Faleminderit nga zemra Fatmir!
Është pikërisht ashtu siç ju e keni përshkruar!