Nexhi Baushi: UNË FËMIJA I SHEKULLIT TË KALUAR
- 2 hours ago
- 4 min read

-poemë-
1.
Atë kohë,
Nuk më shkonte ndërmend
si mund të ishte e ardhmja ime
As, edhe se si do t’i hidhja hapat më pas,
nga një vit në tjetrin.
Me intuitën e një fëmije mendoja,
se jo rastësisht, u linda në Tiranë,
se jo rastësisht do të jetoja gjithmonë këtu.
Ndoshta edhe lidhja ime me Tiranën,
do ishte shpirtërore, e përjetëshme,
ashtu si prindërit e mi,
kur erdhën nga Egjeu i largët.
2.
Nga shtëpia përdhese ndërtuar me qerpica,
pranë Selvisë dhe shkollës time
prindërit dilnin dhe hynin nga porta e madhe e drunjtë,
me fytyrë nga lindja,
ndërsa mbi supe u rëndonin hallet e jetës
dhe brengat er fëmijëve.
E vogël isha, fare e vogël,
kur ngjitesha majë pemës,
duke cicëruar me zërin tim të brishtë,
këngët e bukura të Tiranase.
Përhumbesha ëndërrimeve kur vështroja,
diellin e përflakur perëndimeve.
Eh, perëndimi! Portë e rëndë kalaje na ish dukur,
ndaj dhe dockat e mia të njomëzake nuk e hapnin dot,
ndaj s’munda dhe s’munda t’i afrohesha.
Ja! Sa afër ish perëndimi!
Ja, Durrësi!
Ja, qielli!
Ja, dielli!
Dhe disku i përflakur që përpihet nga deti.
Ja perëndimi!
Ja liria!
dhe krahët e mia i hapja, duke lazdruar me sytë nga qielli.
3.
Si të gjithë fëmijët e botës isha edhe unë,
por ah, në pamundësi të rroja si ata.
Sa të tillë fëmijë, kishte në atë kohë,
që nuk do të donin ta hapnin atë portë?
Sa të tillë fëmijë, kishte në atë kohë,
që nuk do të donin ta kapërcenin atë prag?
Jo për t’u larguar, jo jo!
Por thjesht për të parë e vëzhguar,
c’farë jete bëhej atje në perëndim.
Për t’u ngjarë fëmijëve të perëndimit,
por neve s’na mbetej gjë tjetër, vecse të ëndërronim.
4.
Bisedonim ne, kokë më kokë atëherë,
ëndërronim ne, për ikje,
Eh, një ikje e vecantë ish ajo.
Si ato të lodrave “Roza Rozina”,
ku vërtiteshim rreth vetes e rrethit përqark.
apo edhe rrethit harkuar me shtete te Evropws plakë
ku shënjonim vendet ku donim të shihnim.
Atëkohë, kishte plot fëmijë si unë,
që do guxonin të vraponin drejt Portës së Kalasë
Jo, se donin të largoheshin nga gjiri i familjes.
JO!
Jo, se nuk e donin qytetin e lindjes.
JO!
Por thjeshtë, i mundonte kurioziteti fëminor.
T’i shihnin me sy, ato që kishin ëndërruar,
të njihnin botën e fëmijëve atje, si në glob.
Cdo mendim, ide, dëshirë apo dashuri
ishte lidhur me botën time,
me rrugicën time të kalldrëmtë,
me lodrat e sajuara nga unë vetë,
por edhe për botën tutje…tutje, larg nesh,
si rrallë kush edhe unë e dëshiroja, e ëndërroja.
5.
Ne fëmijët e shekullit të kaluar,
ishim të lidhur pazgjidhshmërisht,
me argëtime rrethanore, lojra mësime, e miqësi prore.
Mëngjeseve kur zilja e shkollës do binte pa ndalim,
Të gjithë ne, së toku, vraponim me cantat e leckës ndër duar,
për t’u rreshtuar, në rresht për dy,
me shallin e kuq të pionierit në qafë.
Kur betoheshim të gjithë njëherësh,
zëri ynë oshëtinte tutje xhadesë,
“Gjithmonë Gati”!
Atë kohë, nuk e kuptonim ne, përse duhej betuar?
Nuk e kuptonim ne, përse duhej bërë gati për luftë?
6.
Me vrap ne, zhurmëmëdhenjtë e vegjël,
do ngjitnim shkallët kush më parë të hynim në klasë,
të uleshim në bankat e drunjta, të hapnim ato pak libra e lapsa,
të ngriheshim brram, në këmbë kur futej mësuesja në klasë.
Ishim fëmijë që losnim, topa-gropthi,
hidheshim me litarë, edhe në kaluc.
Lageshim me ujë cesme, loznim me top,
zhuriteshim nga dielli përvëlues,
vraponim rreth oborrit të shkollës,
ngjiteshim në pemë dhe djersa na rridhte curg.
Ndoshta ishim të lumtur me pak, kaq pak… ndoshta!
Në të vërtetë atë kohë, nuk e dinim ende, cfarë ishte lumturia,
sepse, ne fëmijët e shekullit të kaluar,
ishim të privuar nga shumë gjëra.
7.
-Mos e ngrini zërin e radios, se dëgjohen jashtë këngët italiane!
Na thoshte nëna.
-Flisni me zë të ulët, se edhe muret kanë vesh!
Na këshillonte babai.
-Përse e ke veshur këtë fustan, me fantazi dhe bojra?
Cfaqje të huaja mikroborgjeze, e pafalëshme!
Cirrej dhe dridhej si purtekë udhëheqësja e rinisë.
E kështu filluan bisedat me zë të ulët e kokë më kokë.
Ëndërronim edhe për ikje,
rrëfenim sekretet tona… shëët…shëët… mos na dëgjojë kush,!
Po nesër,
në një kohë tjetër kush do t’na besojë?
Kështu nga frika dhe terrori mblidheshim grusht.
Ndërsa sot pa kaluar ende një shekull, bota ka ndryshur.
8.
Sot, do marr për dore atë vajzë,
atë vajzë shtatë vjece të shekullit të kaluar,
pa katër dhëmb të qumështit,
që nuk ngjan fare me mbesen time shtatë vjece,
po pa katër dhëmbwt e qumështit.
Kur ajo ta shohë, nuk do ta njohë fare,
moshataren e saj të një shekulli më parë.
Ndoshta do t’i duket e dalë mode,
ndoshta, ku i dihet.
Por dashuria ime e moshës së saj,
do jetë aq e madhe, aq fisnike,
sa edhe ajo do të ndjeje mall,
për fëmijërinë e asaj vajze vërsnike.
9.
Sot ajo vajzë e shekullit të kaluar, tashmë e rritur,
ka hapur kanatat më kanat Portat e Kalase si me magji.
Disku i diellit do flakëroi qiellin perëndimeve,
dhe atje me siguri fëmija e shekullit të kaluar,
do të gjejë atë fëmijëri të munguar,
të largët e të malluar.








Comments