Ndahet nga jeta ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jun 13, 2024
- 2 min read

Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndahet nga jeta ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini
Ish-kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Kanë qenë familjarët dhe të afërmit e Sejdinit ata që kanë ndarë lajmin e trishtë. Mësohet se Sejdini vuante prej një kohe të gjatë nga një sëmundje e rëndë. Qazim Sejdini ishte ndër figurat më të rëndësishme të PS dhe drejtoi për tre mandate Bashkinë e Elbasanit nga viti 2007 deri në vitin 2019 kur vendosi të mos rikandidonte më.
Kush ishte Qazim Sejdini
Qazim Sejdini lindi në Elbasan në 12 shkurt të 1951. Ndoqi shkollën e mesme Jeronim De Rada dhe vazhdoi edukimin e tij të lartë në Universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës, nga 1968-1970, në degën e Edukimit Fizik.
Nga 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987, ai ndoqi studimet në Institutin e Edukimit Fizik Vojo Kushi në Tiranë.

Në 1970 Sejdini kreu shërbimin ushtarak, më pas në 1973 ai punoi si mësues historie, gjeografie dhe edukimi fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Mal-it. Më pas në vitin 1974, ai u bë instruktori i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992 ai punoi në Sport Klub Elbasani, fillimisht si Inspektor i lojrave me dorë e më pas ai zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit te Elbasanit.
Në 1995 Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë ai u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i 2002 deri në maj 2004 ai ishte President i Unionit të Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor 2002 deri në maj 2005 ai u zgjodh Prefekt i Prefekturës së Elbasanit. Si kryetar i Bashkisë Elbasan, Sejdini shërbeu tre mandate, nga viti 2007 deri në vitin 2019.
Ngushëllimet tona më të thella i shkojnë familjes së tij, bashkeshortes së nderuar znj. Xhuliana, si edhe tre fëmijëve Imelda, Aljoni, dhe Ina. Qazim Sejdini do të mbetet i paharruar!









Comments