NË STUDIO


Edmond Llaçi

                                           

  Ai hapi derën dhe me kujdes zgjati kokën në  brendësi të saj. Si fillim kaloi njërën këmbë. Më pas sëbashku me trupin edhe tjetrën. Heshtja karakteristike që zotëronte ato momente qetësie, i pëlqente vazhdimisht. Ndoshta ishte kjo arsyeja që vinte me vonesë. Pa u përpjekur për të gjetur vënd, pasi gjithë hapësira e studios nuk ishte e bollshme e ngriti kavaletin diku pranë derës ku prej andej u përballua me shpinën e saj. Në këmbë, mbi një podium të imrovizuar dhe me duart e mbërthyera mbi një tubo hekuri ajo sikur priste urdhërin të kryente një lëvizje të shpejtë. E kopsiti letrën e vizatimit mbi kavalet duke kaluar pëllëmbën e dorës mbi të. I turbulluar nga disa gota me konjak të rrëkëllyera me shpejtësi para se të mbrinte aty, po përpiqej të përqëndrohej. Picëroi sytë disa herë duke e shoqëruar atë veprim me një lëpirje të shpejtë të buzëve. Gjuha e tij  në një ngjyrë vishnje gati të errët, pas atij veprimi u zhduk në brendësi të gojës. Instiktivisht, kaloi edhe njëherë pëllëmbën e dorës mbi fletën e vizatimit si për të vërtetuar nëse ai terren  do të ishte i përshtatshëm për lëkurën e saj të brishtë.

Duke kryer me kënaqësi mbi buzë atë lëvizjen interesante të gjuhës, në qendër të letrës të vizatimit hoqi një vijë gati vertikale. Aty do të shfaqej lëvizja trupore e saj në atë përpjekje për tu rrotulluar rreth atij metali të shndritshëm. Pa filluar ta konturonte mbi letër, sikur ndjeu ti kalonte mollëzën e gishtit të madh mbi ullukun e mishtë të shtyllës kurizore. Ai ishte një veprim që e kryente shpesh kur kur punonte. Ishte një veprim gati i mistershëm që do të ravijëzonte me saktësi atë lëvizje të vështirë. Diku poshtë kokës të përcaktuar me një rreth të shpejtë, hoqi një vijë horizontale të lehtë e cila më pas do të tjetërsohej në shpatulla, supe dhe duart në vazhdim.

E ngacmoi çdo pjesë trupore e saj. Filloi ta kundronte me kërshëri.  Koka dhe qafa e gjatë tek nisej e mbështetej tepër çuditshëm midis shpatullave.  Me duart e mbërthyera gati në të njëjtën lartësi mbi atë hekur të ftohtë të cilat do të shërbenin për të ekulibruar lëvizjet dhe peshën trupore të saj. Nga të gjitha këto lëvizje që ajo do të kryente do të shfaqte veçantinë e saj femërore. Përveç thithkës të pa përfillshme në aq sa shfaqej nga ana tjetër e krahut, do të ndjente edhe një pjesë të gjoksit. Qëndrueshmëria e saj fizike e trëmbi për një çast. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe modelja, ajo vajzë delikate nuk do të mundte të qëndronte pa bërë një pushim. Duke lënë lapsin i hodhi një shikim të shpejtë asaj që kishte hedhur mbi letër. Në atë formë si lëvizi kokën deshte ti thoshte vetes se diçka kishte realizuar. Tek hodhi sytë përreth vuri re përqëndrimin e të tjerëve mbi modele. E ktheu mbrapsht fletën e vizatimit dhe pa zhurmë doli.

Njëzet metra nga objekti ku në katin e dytë të tij kishin studion, ndodhej lokali tek i cili konsumonte pijen e tij të preferuar. Prej atij lëngu, dy teke të shpejta ishin për tu kthyer. Si gjithmonë pas atij veprimi, duhej të bënte edhe një lëvizje të shpejtë të gjuhës mbi buzë. Duheshin shijuar edhe pikat e fundit të atij lëngu. I përhumbur, tek po kthehej ndjeu një zhvillim të ri brenda vetes. Në mundësinë e interpretimit krejt ndryshe të asaj pune. As vet nuk e kuptoi se çfarë po ndodhte me të. Kësaj here do të hynte në studio i pa vëmëndshëm dhe do ta linte derën të përplasej. Ajo kërcitje e thatë pas shpinës së tij gati do ta shkëpuste nga ai ngacmim i çmëndur. Duhej të ishte sa më i vëmëndshëm karshi asaj që po përjetonte. U ndodh përpara kavaletit. Pa menduar nëse do të mundte mori lapsin. E ndjeu veten keq. Ndodhej shumë larg asaj që mendonte. E ktheu letrën e vizatimit në mënyrën më të pavetëdijshme duke e kopsitur sërisht me ato pineska të vogla dhe kaq. Ngacmim që pati ishte ende i freskët por që nga mendimi deri tek maja e lapsit ndoshta ishte shumë larg. Pa e kuptuar ndjeu ta tjetërsonte. Çdo pjesë e trupit të saj po përshtatej në figura gjeometrike. Ishin figura që lëviznin vertikalisht gati në një kohë. Dhe, dhe në vazhdim me një frikë të madhe në atë që po guxonte, përtej fantazisë i shfaqi në një dimension të ri, në një plan ku gati do ti ndjeheshin të gjitha pjesët trupore. Sigurish, duke i ngacmuar me një dritë-hije të lehtë, për tu dhënë kohën dhe vendin e duhur. Ndjeu edhe diçka ku të tjerët nuk do ta kuptonin, lëvizjen mbi atë tub metalik të shndritshëm të cilën ajo as edhe njëherë nuk e kryejti.


#edmond #llaçi

21 views

Shkrimet e fundit