top of page

Idris Dermyshi: Shpirt i tretur në vargje

  • 6 hours ago
  • 7 min read

 (Rreth përmbledhjes poetike “Shpirti mall e dashuri” të poetit Islam Hasani )

 

      Kënaqësi që më jepet mundësia të vlerësoj vëllimin poetik “Shpirti mall e dashuri “ të  kolegut Islam Hasani. Islami është fëmija i tretë ndër shtatë fëmijët e Telhait dhe Venetikes. Është babai i tre fëmijëve, gjyshi i shtatë nipërve e mbesave. Lindi më 23.04.1960 në Ermenj të Torricës gramshake. Shkollimin 8-vjeçar e mori në vendlindje, gjimnazin e kreu në Gramsh, universitetin në Elbasan për gjuhë e letërsi shqipe  Punësimin e pandërprerë 43- vjeçar e pati në Bletëz, Skënderbegas, Vidhan e Sotirë të Gramshit dhe në Gjepale, Ishëm, Lalëz e Xhafzotaj të Durrësit.

   Trembëdhjetë vite mësues dhe tridhjetë vite drejtues. Për kaq vite pune në arsim , nuk grumbulloi para, pasuri e katandi, por përvojë, karakter e dinjitet. Në udhëtimin e gjatë në mësuesi dhe krijimtari, Lami ka ngritur një “mal” vlerash. Largimi i viteve do i shoh ato edhe më të mëdha, pa mjergull e hije. E njohim për misionar e vizionar në punë e shoqëri. Tani që vitet e nxorën në pension, ndihet i qetë për dritësimin e dhënë nxënësve të vet, të ardhmes sonë. Edhe poezia kuvendon bukur me ta, me klientët e përhershëm të tij : “ Me fjalë të zemrës u drejtohem/ udha juaj u bëftë e bardhë dritë/ Në jetë për të gjithë do të krenohem/ Se për ju treta dhe shkriva fuqitë. Shtatë vite punoi Islami drejtor në Lalëz. Veç ndihmesës si drejtues dhe rrezatimit njerëzor e kulturor, i la shkollës edhe monografinë”Historia e një shkolle”. Shkolla “Vat Bushi” ka sot historinë e saj të shkruar, ka “tapinë” e vlerave në vite, ka pavdekësinë, se libri është magji, është përjetësi.

      Mësuesi pasionant Islam Hasani përdori çdo mundësi që nxënësit të lexonin sa më shumë, të provonin të hidhnin hapat e para në udhën e krijimit letrar. Këtij synimi të madh i shërbyen nëntë revistat “Cicërimat e para”, të cilat promovonin talentet e reja.

 Korrektesa, pasioni, përkushtimi, humanizmi, komunikimi e profesionalizmi e bënë personalitet të vlerësuar për nxënësit, kolegët, prindërit e gjithë të njohurit.

   Dashuri të përhershme dhe mik të zemrës ka patur librin, sidomos atë artistik. Ndihmesën e vyer letrare e artistike e ka dhënë si publicist,redaktor e kritik letrar, si prozator e poet, duke krijuar individualitet të spikatur ndër njerëzit që lexojnë dhe e çmojnë librin.

   Përmbledhja poetike që po analizojmë  vjen pas katër librave të suksesshëm të autorit, duke treguar qëndrueshmëri vlerash, përmirësim e lartësim të tyre.

   Në poezitë e Islamit fryn erë paqeje, erë Tomorrice, aromë çaji e lezet lulesh, madhështi Tomorri e shenjtëri teqeje. Islami është muhib në Teqenë e Shëmbërdhenjit, ka shkruar për Baba Mustafa Braçin e Dervish Xhelalin, ka botuar përmbledhjen poetike“Aromë bektashiane”. Poezia e Lamit, siç e thërrasim mes shokëve, nuk i fsheh hiret si nusja poshtë duvakut. Lezetet e saj janë të hapura, të  drejtpërdrejta, në dritën e diellit dhe në sytë e botës mbarë. Poezia është reale, konkrete, tokësore. Flet për vende e njerëz konkret, të dukshëm, të njohur. Poezitë e arrira nuk janë petale të lehta që i merr era. Ato janë të rënda, se mbajnë brenda malet, gurët e drurët e vendlindjes, peshën e mallit dhe të dhimbjes për njerëzit  në nevojë apo të ikur nga kjo botë.

  Poeti është vëzhgues i kujdesshëm i jetës. Asgjë nuk i shpëton syrit, veshit, mendjes e shpirtit të tij. Çdo ngacmim, lajm apo sinjal, bëhet  pikënisje e një krijimi, e një poezie. E mendoj Lamin sikur shkruan në ecje, me celular e stilolaps në dorë fikson çastet, se ato janë unike, të papërsëritshme.  Kalon tek statuja e Lasgushit poradecar dhe në mbrëmje shkruan për të: “Të përshëndetin kalimtarë/ të njohur apo të panjohur/ Nga kurmi yt marrin nektarë/ Nga vepra s’ndihen të ngopur…” Shijon bukuritë e Korçës dhe të serenatave magjike dhe ngacmimin e kthen në poezi: “ S’pyesin të ftohtin e sapoardhur/kanë përsipër jorganin e fukarasë/ Muzikë e serenatave i lë të çlodhur/ Si çekiçë këshillat e mamasë.”

  Lami nuk është nga ata njerëz që jetojnë si në ëndërr dhe vdesin pa u zgjuar. Ai është përherë syhapur, kërkues e ngulmues që ëndrra të marrë formë, të bëhet realitet.

  Poezia është e drejtpërdrejtë. Ajo godet jo në pamjen e jashtme të gjërave, por  në thelbin e palcën e tyre. Poeti e përdor poezinë si mjet reflektimi dhe jo si mjet estetik. E përdor me synim edukimi dhe jo thjesht për imazh e bukuri. Doemos, profesioni i mësuesit e orienton poetin.

   Poezitë i bashkon fund e majë një shpirt i bukur, një ndjesi e ëmbël, një dashuri e pamatë. Të mirën e sajon nga hiçi, duke kthyer në hiç çdo të keqe që sheh e njeh. Poezia e Islamit, në thelbin e vet, është homazh, thirrje e ulëritje për vlerësimin e njeriut si qenie humane, larg prirjeve zhvlerësuese që e shohin si objekt e send me vlerë të reduktuar, si rraqe shtëpie, që shteti, pasunari, i forti e i ligu e përdor sipas qejfit.

 Veç pak poezive reklamative, shumica e tyre nuk buçasin për të tërhequr vëmendjen. Ato digjen pa flakë, flasin me zë të ulët, por nxehtësinë e depërtojnë thellë,deri në shpirt. Tamam, si prush lisi.

   Jeta e dinjitetshme në Tomorricën shkëmbore lyp mundim, sakrificë e heroizëm. Njerëzit e saj ndeshen me gurin, borën e ariun, ndaj janë të fortë si mali, ndaj e ruajnë jetën si sytë. “ Tomorricarët nga Tomorri kanë marrë krenarinë,”ashpërsinë”. Nën hijen e tij kanë formuar karakterin”, - thotë studiuesi i njohur Hajri Nuhu.Në kënaqësitë e dhimbjet e tomorricarit vjen si ledhatim e ilaç qetësues zëri i Demir Zykos, Xhevahir Borës e Vilson Zanit, vargjet e Xhevahir Spahiut, shkrimet  e Elmas e Arben Gugës, heroizmat e Mahmut Zaloshnjes , Zenel Braçit e Mestan Ujanikut.Tomorrica madhështore me 43 fshatra, që e lau lirinë me gjak,origjina e frashërllinjve të njohur, e arkitekt Sinanit,që priti tre herë mysafir  Nolin e madh,  krahina që pëlcet nga pasuritë e bukuritë, tani po shkon në rrudhje të frikshme, në katandisje. Sa pak njerëz! Sa pak lëvizje! Sa pak shpresë! Nostalgjia e mallëngjimi, realizmi e romantizmi i autorit bëhen gërshetë, duke na dhënë vargje trishtuese , por të vërteta.

   Ermenji është zemra e Tomorricës, kopshti i Edenit për Islamin, që “ Dimri si gunë përsipër i rri”, Ermenji me tre mekame e katër lagje, Ermenji “Me shtëpi gurë skalitur/Bija e bij mendjendritur”, bëhet fole frymëzimi e muzë krijimi. “Dy male qiej dhe dy lumenj/ Rrethojnë trupin tënd përherë/ Kuvendojnë çiltër me ty Ermenj/ Natyrës i falin shëndet e verë”, - vazhdojnë vargjet.

  Poeti mendjehapur dhe larg etheve politike, e bën pjesë të librit figurën e bashkëfshatarit të vet, Abaz Ermenjit. Abaz Zeneja (Ermenji), diplomuar në Sorbonë, historian, politikan dhe luftëtar nacionalist, profesor në Liceun e Korçës, i dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, për sebep të tij 50 % e fshatit trajtoheshin si të deklasuar. Duke bërë apologjinë e këtij personaliteti plot ndriçim e mjergull, mes rreshtave kënga mallkon makinën e çmendur të diktaturës., duke aluduar se kush punon për kombin, mbetet në historinë e tij. “ Të do Ermenji, Shqipëria/ Të vlerëson ty historia”, - thotë kënga e Islamit për Abazin.

    Stili i poetit është liriko – rrëfimtar. Fjalët e mendimet nuk janë të mjegulluara, gurë e gëzhuta përzierë. Fjala është bereqeti i vetëm i gatimeve poetike, ndaj autori e zgjedh me kujdes, e gdhend, e laton e ngjyros para se ta vendos në murin e poezisë, në vargjet e saj. Fjala ka shijen e jetës. Mund të jetë e ëmbël, e kripur, e hidhur, e thartë. Ato godasin, prekin, ledhatojnë, pickojnë, demaskojnë….

   Figuracioni i pasur nuk është teprues, por elegant e sqimatar.Figurat letrare më të dashura dhe me denduri më të madhe përdorimi janë metafora, krahasimi, simboli e personifikimi. Përdoret poezia strofike katërshe me varg të rimuar, por jo rrallë lejon shmangien nga rima e rregullt, duke mbivlerësuar përmbajtjen në dëm të formës.

  Sistemimi i poezive në libër bëhet në tetë kapituj, të krijuar sipas kriterit tematik: për pandeminë, urime e portrete,mall vendlindjeje, dedikime në elegji, satirë, muaj e stinë, emigrim e meditime.

 Vendin e luanit e zënë poezitë që portretizojnë njerëzit e familjes, shokët e shoqet, figurat e shquara … Njëzet e dy krijime trajtojnë këtë temë.Si relike sermi do i ruajnë në kujtesë dedikimet  poetike bashkëshortja, vëllai, motra, nipi, mësuese Simja, komshi Idajeti, shokët e ngushtë: Syrjani,Petriti, Bajrami…. Vargjet për ta rrjedhin si ujë mali , duke u dhënë jetë e dritë vlerave humane që mbajnë gjallë shoqërinë e vërtetë. Të ëmbla janë vargjet për Syrja Rrodhen e paktë në trup, “por me peshë si floriri”:  “ Urimet qasen e formojnë dallgë / Zbresin nga mali dhe s’gjejnë pritë/ Si piklat e ujit nga një ujëvarë/ Ato janë shpresë, jetë dhe dritë.” Kurorën e bukurisë, për mua, e mban poezia- portret kushtuar Dorelës, e cila “ Sa herë shfaqet ballë për ballë/ Rrëzon poshtë të fortët si gjela/ Kokën ua bën përshesh e dhallë/ E bukura, e hijshmja, Dorela”

       Shtatë elegjitë për njerëzit e ikur, nuk janë vaje dëshpërimi, nuk të mbytin në pellgun e mërzitjes, nuk lahen me kuje e lotë.Dhimbjen autori e mjekon me shpresë,duke folur për pavdekësinë e kujtimeve e të vlerave njerëzore që ata lanë. As një grusht pesimizëm, por dengje besimi e optimizmi mund të mbledhësh në poezitë e dhimbjes. Autori e ka në shpirt thënien e Çurçillit: “ Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi, një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.”

   Vdekjes tragjike të shtatëvjeçares Jonada Avdia nga një skafist në plazhin e Potamit të Himarës, i kushtohet një poezi prekëse. Për të qetuar veten dhe lexuesin nga llahtaria e gjëmës së ndodhur, poeti përdor në strofën e fundit një gjuhë eufemistike e religjoze: “ Fluturoi në qiellin e përjetësisë/ ende pa mbushur të shtatin vit/ Mbase ishte e dashura e Perëndisë/ Për t’u bërë yll, të ndriçojë yjësitë! ”

  Elegjia për Klodjan Rashën ka dhimbje e revoltë. Paralelizmi figurativ fton edhe natyrën në vajtimin e 15-vjeçarit, si në eposin e kreshnikëve, ku Ajkuna qan Omerin. “Mllefi i vërsnikëve mbin në zemër/ Bashkon me ta dhe retë e qiellit/… U larguan zogjtë malit/ Nga largimi i Klodjanit…”

   Ditët e veremta të pandemisë kovid 19 trullosën, brengosën e burgosën këdo. Këtij gabimi njerëzor apo mallkimi hyjnor, libri i rezervon katër poezi, ku frika, dhimbja e tmerri ia lenë vendin njera-tjetrës, por pa vrarë shpresën, e cila jetoi e fitoi.

  Njëmbëdhjetë poezitë satirike nuk të gajasin së qeshuri, por të ngacmojnë të mendosh e të reflektosh për veset që thajnë shpirtin human të njeriut.     “ Aty ku nuk arrin shpata e ligjit, mbërrin kamxhiku i satirës”, - thoshte dyqind vjet më parë i madhi Pushkin. Kjo lloj poezie fshikullon me purtekë trusakatët, dembelët, drejtorucët, të babëziturit… Ato janë profilaksi, që vesi të mos bëhet pandemi : “ Ndaj, o njeri i ndershëm, i mirë/ Kur të zë në grykë babëzia/ Mos u bëj kafshë e egërsirë/ Se s’ka ç’të bën as Perëndia ! “, - profetizon autori.

   Islam Hasani nuk është poet që jeton për poezinë, por është qytetar që jetën prozaike dëshiron ta kthejë në poezi, në përsosje, në mirësi. Një mendje e ndriçuar dhe një shpirt i mirë dëshiron të sjellë në shkrime frymë lirije, humane e iluminimi për çdo lexues të vëmendshëm.

  Ndezur më rri dëshira për të parë e lexuar të tjera libra të kolegut tim, Islam Hasani. 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page