top of page

Faruk Myrtaj: NUK KËRKOHET NJË TJETËR HIMN KOMBËTAR!

  • 58 minutes ago
  • 4 min read

(rreth librit Vasil S. TOLE "Himni Kombëtar" 2013)

E lexova si në ngut këtë shqyrtesë/esse/studim të Vaso Toles!

Si në vrap pas përpjekjeve të herë pas hershme për një tekst tjetër, për ta zëvendësuar “Betimin mbi flamur” nisur prej shijes së Aleksandër Stavre Drenovës, me shkas prej dikujt aty ku jetonte mërguar që, edhe ai, sipas rrëfimit të zemërmadhit tjetër Lasgush Poradeci, prej dikujt tjetër e kishte ngjyer frymëzimin.

Tërë shpirtrat e kombeve marrin e japin, këngë e paqe e dritë, edhe luftëra, aq më kollaj në fqinjësi e aleanca të mbrujtura në shekuj, edhe kur s’kishte kufij midis.

Ngaqë do arrinte e do përjetohej prej shqiptarëve, them unë, ta merr mendja që para-teksti i zgjedhur me intuitë prej Asdrenit në Rumani, frymonte hollë-hollë prej shtjellave gjermanike, aleatëve të natyrshëm historik të shqiptarëve.

Tërë ato histori të ardhjes së himneve të popujve ballkanikë, Evropianë, North-Amerikanë, Latinë e Aziatikë e bëjnë edhe më interesante këtë libër himnesh si rrëfenja të dufeve të shpirtrave të kombeve, në përpjekje për të mbijetuar dhe udhë në mbarësi.

Në fundje të leximit të këtij libri të mbetet në mendje e ndjesi pritja e gjatë e Aleksandër Stavre Drenovës, atje ku jetonte, larg vendlindjes së tij, Shqipërisë të cilën pa zulm e bujë e kishte bërë me himn, si përkushtim të Tij: Kur dhe si, dhe me çfarë lloj versioni teksti e muzike, do t'ia këmbenin “Betimin në Flamur”?!

Mban kureshtje, dhe turbullon, paralelja e shfaqur në mënyrën se si thirren, dhe se si qasen vetiu krijuesit, poetët, poetët më në zë në Atdheun Amë, për të ofruar një tekst tjetër, të ndryshëm prej atij të Asdrenit, thjesht se ai vinte si i të-huajësuar, në mos si aty-këtu i huajtur. Edhe nëse thirreshin nga qeveri serioze, poetët vet i janë drojtur me të madhe përgjegjësisë kombëtare. Ajo u kujtonte pa pushim atë barrë të madhe të rëndë që, siç mund t’i nderonte, po aq lehtë mund t’i linte nën turp, nëse fjala mbetej nëpër dhemb apo muzika s’bëhej këngë për shpirt kombi në kryqëzim...


Mbase të gjithë, për arsye e natyra të ndryshme, kishin parasysh Asdrenin e pikëlluar prej varfërisë e terrësirës së vendlindjes. Pas kremtimeve të pavarësie atij iu desh të kthehej sërish Atje, poet me himn kombëtar por i mërguar...

Më rreptë akoma: me veshët nëse ata që linte pas do mund të ngjiznin një Himn më të vetin, më të bukur, më...

Ç’fat inspirues, për një artist, sa i vështirë për një njeri, aq më shumë në ndjeshmëri poeti: pasi kishin dalë prej një Rilindje u kërkohej të zbrisnin në tokë ëndrrën e tyre...

Edhe vet Himnit, sado që asaj Shqipërie “s’mund të mos i vinte nga jashtë”, i merrej fryma. Duket se kurrë dot s’po mund të legalizohej brenda saj! Himn Kombëtar në përdorim, legal, por në ilegalitet ligjor! Qeveritë e sistemet këmbeheshin, vinin e iknin ushtëri të huaja, nisnin e mbaronin luftëra, Himni po ai, vetëm ai ekzekutohej edhe pse jo në Kushtetutë, në pritje të një versioni tjetër.

Deri në 1992?! E pabesueshme që vetëm më 1998, zuri vend në vend të vet!

Edhe pse ngritja e flamurit, nën fjalët e “Betimit mi flamur” të Asdrenit, s’ishte thjesht një akt formal nga ana e Ismail Qemal Bej Vlorës, por për ta “ligjëruar” këtë këngë tash e tutje, si këngën kombëtare dhe që, sipas Mitrush Kutelit, ”ngritja e Flamurit në Vlorë e lidhi himnin me historinë e vendit.”

Gërricja shpërgjumëse e Konicës nuk reshti:

“Kombi shqipëtar nuk është një komb dhe s’do të jetë një komb gjer sa t’i jepet shpirti që i mungon dhe se muzika e vërtetë, muzika e madhe që hyn më thellë se cipa është një nga veglat më të forta për të formuar shpirtin e një kombi...”

Arsyet në kohë të ndryshme, të lloj-llojshme, por dhimbja e gëzimi për atë Himn, e njerëzve që e bën menjëherë të vetin, dhe që u vunë në lëvizje në një hap me të, pa e ditur fillim-ngjizjen e fjalës dhe muzikimin e Himnit është padyshim bekim.

Mbase ngaqë Rilindja nuk u shndërrua shpejt në iluminim e filozofi jete, “disponimi himnik e përshkon ende poezinë patriotike shqiptare, duke shtuar entuziazmin, retorizmin dhe pathosin e saj...”

Pak vite më vonë, 1923, himni kombëtar interpretohet nga banda “Vatra” në Amerikë, gjer kur më 28 nëntor 1990 promovohet në Kosovë në kishën e Shën Ndout në Prishtinë, nga kori i burrave të Gjakovës.

E megjithatë, ndjeshmëria në rastet e ceremonive në nderim të tij, mbetet ajo e një populli që i gëzohet të vetmit Himn, njëkohësisht, në shumë shtete fqinjë dhe në disa kontinente.

Sërish jemi kthyer e rikthyer te joshja, në mos ngutja politike, për ndërrimin e tij. Tërë ato komisione në sallonte, oborre apo sheshe republikanë, mbretërorë apo socialistikë, në garë të pashpallur me një Himn të sjellë nga një i mërguar hershëm, prej një njeriu që edhe kur ndërroi jetë, e pritën në kryeqytet dhe menjëherë e nisën për në Vendlindje, sikur s’kishte të drejtën e një copë truall në vendin të cilin e kishte bërë me Himn!

Tërë të mëpastajmët, edhe pse dhembshurakë mëmëdhetarë apo veç mëtues lavdish, që sidomos në rast Himni mund t’i përfitoje vetëm me përkushtim e devotshmëri ndaj shpirtrave të të vdekurve dhe të atyre që ende s’kishin lindur në këtë truall, hynë e dolën të pa-gojë!

Përpjekjet për ta këmbyer më në fund Himnin e Tij me Himnin e ndokujt apo të Kohës së radhës, nuk mundën.

Mbase ngaqë nuk u kujtuan se këto punë bëhen pa zhurmë, edhe në mugëtirë pa-lirie, doemos në drojtje ndaj vetes dhe atyre që do ngrihen më këmbë për shkak të pranisë se Flamurit me tekst të Tij...

S’e ditën o s’e morën dot prej qiejve bekimin e fjalës, hiret që i duheshin dhuruar një Himni, që mbetën anë udhe, mënjanë, thjesht si kronikë. Se nuk ishte e kollajtë.

Nuk mundën, jo thjesht prej vetes...

Jo thjesht se, përpara se ta shkruanim apo kompozonim, nuk e rrëmbyen dot prej shpirtrave ku këndohej prej njerëzve që quheshin shqiptarë...

Mbase ngaqë “...nisur nga përmbajtja e poezisë së tij, himni ynë kombëtar klasifikohet në grupin e himneve që lavdërojnë të shkuarën e vendit,” pra ngaqë e sotmja mbeti edhe më tej e brishtë për himn të ri, aktual...

Ai Himn mbeti, ngaqë përgjatë dëgjimit të tij “mallëngjimi e pushton njerinë, kur dëgjon ato fjalë të bukura me zë pej shqipëtarëve të kthjelltë, muhamedan e të krishterë”!

(Faruk Myrtaj: Gazeta Panorama Online)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page